Çfarë tha Putini në fjalimin e tij të shumëpritur?

Evropë

Çfarë tha Putini në fjalimin e tij të shumëpritur?

Më: 9 maj 2022 Në ora: 07:38
Provat për paradën ushtarake në Moskë. Prill, 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka nisur fjalimin e tij për Ditën e Fitores në Sheshin e Kuq të Moskës duke iu thënë luftëtarëve rusë se tani po luftojnë për sigurinë e Rusisë.

Ai ka uruar veteranët për ditën e “fitores së madhe”. Dita e Fitores feston fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, transmeton Telegrafi.

Duke folur për situatën aktuale në Ukrainë, Putin tha se “operacioni special ushtarak” i Rusisë në Ukrainë – atë që Kremlini e quan pushtim – ishte një masë e nevojshme dhe “në kohë”.

Ai thotë se ishte “vendimi i duhur” i një vendi të pavarur, të fortë dhe sovran.

Presidenti rus ka deklaruar se gjatë vitit të kaluar ka pasur tensione me vendet e tjera evropiane dhe NATO-n.

Ai thotë se Rusia “i kërkoi Evropës të gjente një kompromis të drejtë, por ata nuk donin të na dëgjonin”, dhe potencoi se ata po përgatisnin një operacion ndëshkues në Donbas, në Ukrainën lindore, në zonën ku ai tha se operacionet e Rusisë janë të fokusuara.

“Në Kiev ata thoshin se mund të merrnin armë bërthamore dhe NATO filloi të eksploronte tokat afër nesh dhe kjo u bë kërcënim i dukshëm për vendin tonë dhe për kufijtë tanë. Gjithçka na tregonte se ekziston nevoja për të luftuar”.

Bota pret fjalimin e Putinit në Ditën e Fitores

Rusia shënon sot Ditën e Fitores, apo atë që njihet si mposhtje e Gjermanisë naziste në vitin 1945.

Trupa, tanke, raketa pritet të shfaqen sot në Sheshin e Kuq të Moskës dhe në qytete të tjera të vendit.

Nën presidentin rus, Vladimir Putin, kjo ditë është shndërruar në një shfaqje të fuqisë së ushtrisë ruse, si dhe në rast për të kujtuar sakrificat e Luftës së Dytë Botërore.

Rreth 27 milionë qytetarë sovjetikë janë vrarë në atë që rusët e quajnë Luftë të Madhe Patriotike.

Kremlini tha se parada ushtarake do të zhvillohet sot në 28 qytete të Rusisë, ku do të marrin pjesë 65,000 njerëz, 2,400 pajisje ushtarake dhe më shumë se 400 avionë.

Megjithatë, këtë vit, ngjarja vjen nën hijen e luftës në Ukrainë. Rusia ka nisur pushtimin e fqinjit të saj më 24 shkurt, pasi Ukraina ka shfaqur hapur ambiciet e saj për anëtarësim në NATO.

Mijëra njerëz janë vrarë në luftë, ndërsa milionë të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë.

Rusia i referohet pushtimit si “operacion i posaçëm ushtarak”, duke refuzuar ta quajë luftë.

Ka spekulime se Putin mund ta shfrytëzojë rastin e sotëm për të bërë një njoftim të madh në lidhje me pushtimin.

Zyrtarët perëndimorë kanë thënë se ai mund të shpallë luftë të shkallës së plotë në Ukrainë, por Kremlini e ka mohuar një gjë të tillë.

Në prag të kësaj dite, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia “ka harruar gjithçka që ka qenë e rëndësishme për fituesit e Luftës së Dytë Botërore”.

Ai tha se e gjithë bota e lirë mund ta shohë se Ukraina është “pala e së mirës në këtë luftë” dhe shtoi se Rusia “do të humbasë, sepse e keqja humbet gjithmonë”.

Udhëheqësit perëndimorë e shfrytëzuan gjithashtu Ditën e Fitores për të dënuar veprimet e Rusisë në Ukrainë.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, i cili vizitoi Ukrainën, tha se Putin “po shkon kundër vlerave, për të cilat aq shumë njerëz kanë luftuar dhe janë vrarë”.

Udhëheqësit e grupit të vendeve më të industrializuara, të njohur si G7, thanë se veprimet e Putinit sollën “turp për Rusinë dhe sakrificat historike të popullit të saj”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat