​Putin e shtrin edhe më shumë ndikimin në Serbi, arrin mjeti më i madh propagandues rus

Evropë

​Putin e shtrin edhe më shumë ndikimin në Serbi, arrin mjeti më i madh propagandues rus

Më: 14 korrik 2022 Në ora: 20:39
Foto ilustrim

Përveç televizionit shtetëror rus “Russia Today”, në Serbi po mbërrin edhe një tjetër “flamurtar” i Putinit, “Jandeks” (Yandex). Është versioni rus i "Google", i cili është burimi kryesor i kërkimeve në internet për shumicën e rusëve dhe vlen miliarda dollarë.

Deri vetëm pak muaj më parë, Yandex u dallua si një histori suksesi biznesi në Rusi, duke u rritur nga një startup i vogël në një gjigant teknologjik që jo vetëm dominonte shërbimet e kërkimit dhe taksive në të gjithë Rusinë, por gjithashtu krenohej me një shtrirje globale në rritje.

Aplikacioni i taksive dhe Yandex ka funksionuar në qytete të largëta si Abigjan, Bregu i Fildishtë; Oslo, Norvegji; ose Tashkent, Uzbekistan; dhe kompania shpërndau gjësende në Londër, Paris dhe Tel Aviv. Pesëdhjetë robotë eksperimentalë Yandex kanë bredhur në kampusin e Universitetit Shtetëror të Ohajos në Kolumbus, duke ofruar porosi ushqimore për studentët – me plane për t'u zgjeruar në 250 universitete të tjera amerikane.

Shpesh e quajtur "kompania më e mirë në Rusi", Yandex punësonte më shumë se 18,000 njerëz. Themeluesit e saj ishin miliarderë, dhe në kulmin e saj kompania kishte më shumë se 31 miliardë dollarë kapital.

Dhe më pas presidenti rus Vladimir Putin pushtoi Ukrainën.

Kur investitorët perëndimorë u larguan nga Rusia dhe qeveritë perëndimore vendosën sanksione të ashpra ekonomike, pothuajse brenda natës vlera e kompanisë ra në më pak se 7 miliardë dollarë. Në të njëjtën kohë, bursa NASDAQ pezulloi tregtimin e aksioneve.

Ngjarjet e papritura e detyruan kompaninë të mbyllte një sërë operacionesh ndërkombëtare, duke përfshirë shërbimet e shpërndarjes në Londër, Paris dhe Kolumbus.

Mijëra punonjës - pothuajse një e gjashta e totalit - u larguan nga vendi. Themeluesi Arkady Volozh dhe zëvendësi i tij kryesor dhanë dorëheqjen pasi Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj të dyve, duke i akuzuar ata për përhapjen e dezinformatave të Kremlinit.

Ajo që nuk bën në Perëndim, bën në Serbi

Yandex, ndonëse e ballafaquar me shumë probleme, ka kohë që planifikon të shtrihet në Serbi, e këtë e vërteton edhe fakti se në fillim të qershorit janë regjistruar zyrtarisht në Agjencinë për Regjistrat e Bizneseve (APR) në Serbi. Edhe pse shërbimet e taksive dhe dërgesës Yandex janë në dispozicion në Beograd dhe qytete të tjera për disa vite, kjo është hera e parë që kompania regjistrohet në Serbi.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Beogradi është bërë një destinacion popullor për emigrantët rusë, shumica e të cilëve janë profesionistë të IT.

Mes tyre janë edhe punonjës të Yandexit, të cilët privatisht u zhvendosën në Beograd menjëherë pas sulmit rus në Ukrainë.

Kompania më vonë mori me qira një "zyre të madhe në Beograd", i tha BBC-së një burim i afërt me Yandex, i cili dëshironte të mbetej anonim. Sipas një burimi tjetër anonim, kompania mori me qira hapësirë zyre për 700 punonjës në Dorçol, në pjesën qendrore të Beogradit.

“Kur filloi lufta, punonjësve u tha se ishin të lirë të lëviznin në vende të tjera dhe se nuk kishin nevojë për miratimin e punëdhënësit për këtë”, thotë një ish-punonjës i Yandexit, i cili së fundi është larguar nga kompania.

Themeluesi i zyrës përfaqësuese është Pjotr Popov, i cili drejtoi Grupin e Biznesit për Kërkim në Internet, Reklamim dhe Shërbime në Cloud në fund të prillit. Ai më parë ka mbajtur postin e drejtorit teknik të Yandex.

Përveç Beogradit, që nga fillimi i luftës, kompania ka hapur një zyrë përfaqësuese në Jerevan (Armeni), ku janë shpërngulur rreth 100 punonjës, shkruan Forbes.

Çfarë është "Yandex"?

I themeluar si një motor kërkimi privat në internet përpara vetë Google, Yandex ofroi një mori shërbimesh, duke përfshirë tregtinë elektronike, hartat, transmetimin e muzikës, ruajtjen në renë kompjuterike dhe makinat vetë-drejtuese.

Investitorët e huaj e pëlqyen atë dhe për rusët ishte një "fantazmë virtuale" - një kombinim i Google, Uber, Amazon dhe Spotify u bashkua në një. Megjithatë, kompania kishte një thembër të Akilit që nuk ishte e dukshme deri në pushtimin e Ukrainës. Motori i kërkimit dhe shërbimet e tjera të Yandex bazohen, siç është rasti me Google dhe kompani të tjera teknologjike, në besimin e publikut.

Para luftës, rreth 50 milionë rusë vizitonin çdo ditë faqen kryesore të Yandex, ku kishte një listë me pesë tituj (të ashtuquajturat "Yandeks novosti" - Yandex Lajme), dhe për shumë ishte burimi kryesor i informacionit. Në vitin 2014, Yandex dhe përdoruesit e tij pranuan një rregull të ri sipas të cilit Kremlini zgjedh burimet e lajmeve, por ata e konsideruan atë një pjesë të kufizuar të një perandorie më të gjerë teknologjike revolucionare. Sidoqoftë, me pushtimin dhe shtypjen e çdo diskutimi publik të luftës në Rusi, Yandex u bë shpejt një temë për të qeshur.

"Yandex ishte si një ishull lirie në Rusi, por nuk jam e sigurt se mund të mbetet kështu", tha për New York Times Elena Bunina, një profesore matematike, mandati pesëvjeçar i së cilës si drejtore ekzekutive e Yandex përfundoi në prill.

Intervistat me 10 ish-punonjës dhe aktualë të Yandex zbulojnë një portret të një kompanie të mbërthyer mes dy imperativave të papajtueshme. Nga njëra anë, ajo duhet të plotësojë kërkesat e Kremlinit, i cili është i vendosur të shtypë çdo kundërshtim ndaj asaj që ai e quan një "operacion special ushtarak" në Ukrainë, dhe nga ana tjetër, qeveritë perëndimore, investitorët dhe partnerët që janë të tmerruar nga Lufta e Rusisë.

“Ata duhet të gjejnë vendin e tyre mes dy poleve, dhe kjo ndonjëherë është e pamundur”, tha Ilija Krasilçuk, i cili së fundmi dha dorëheqjen nga kompania. Ai drejtonte pjesën e kompanisë që merret me shpërndarjen e ushqimeve dhe sendeve ushqimore.

Si e vuri Kremlini nën kontrollin e tij "Yandexin"

Përpara Yandex, shërbimet ruse të taksive përbëheshin nga shoferë të rastësishëm që përpiqeshin të fitonin disa rubla. Uber u përpoq të hynte në treg, por përfundimisht hoqi dorë dhe u bë partner i Yandex në Rusi dhe shumë ish-vende të ish-Bashkimit Sovjetik. Ashtu si shumë kompani të suksesshme në Rusi, veçanërisht ato që merren me lajme në çdo format, Yandex shpejt u gjend nën syrin vigjilent të Kremlinit.

Kujdestarët e imazhit të Presidentit Putin kanë vënë re se faqja kryesore e faqes së internetit shpesh përmban lajme që e kritikojnë atë. Gjatë protestave në rrugë të 2011 dhe 2012, dhe më pas sulmeve në Krime dhe Ukrainën lindore në 2014, zyrtarët e Kremlinit u përpoqën të redaktonin listën e burimeve të pranueshme të lajmeve, ndonjëherë edhe duke ndryshuar titujt.

Yandex u përpoq të mbrohej, duke shpjeguar se algoritmi gjeneroi automatikisht listën nga mijëra burime bazuar në popullaritet. “Presioni ndaj nesh është rritur që nga viti 2014 dhe ne kemi bërë gjithçka që mundëm për të ruajtur një rol neutral”, tha John W. Boynton, një nga anëtarët e bordit të kompanisë, në një intervistë në qershor. “Ne nuk përfshihemi në politikë, nuk kemi dashur kurrë.

Por Yandex është shumë i madh për të mos u përfshirë në politikë dhe Kremlini vazhdimisht po shkatërron pavarësinë e tij. Ligjet e miratuara së fundmi kanë detyruar burimet e lajmeve dhe motorët e kërkimit të përdorin burime të miratuara zyrtarisht, ndërsa Kremlini ka fituar më shumë kontroll mbi strukturën e menaxhimit të kompanisë.

"Ata thjesht po e bënin më të lehtë për Kremlinin që të tërhiqte të gjitha fijet nëse donte", tha Esther Dyson, një nga dy amerikanët që dhanë dorëheqjen kur filloi lufta. "Është bërë e qartë se Kremlini po shkon më tej drejt kontrollit të plotë të kompanisë", shton ajo.

Pas pushtimit të 24 shkurtit, Putini shpejt nënshkroi një ligj që e bënte krim përhapjen e "lajmeve të rreme" për ushtrinë dhe kërcënonte me gjoba dhe burgim deri në 15 vjet. Ajo që në 2014 ishte një problem i menaxhueshëm - mbrojtja e Kremlinit dhe ruajtja e imazhit të pavarësisë - bëhet një krizë në 2022.

Alexei Navalny, lideri i opozitës ruse, i cili u dënua me nëntë vjet burg nga një gjykatë në Moskë, shkroi në Twitter: “Mos harroni se propaganduesi kryesor i luftës nuk është aspak televizioni, por gjiganti teknologjik rus “Yandex”.

Kompania iu përgjigj akuzave se po përhapte dezinformata se duart e saj ishin të lidhura me ligjin rus dhe se donte të ruante ekzistencën e punonjësve të saj dhe interesat e investitorëve të saj.

Të vetëdijshëm se Kremlini ka marrë kontrollin e plotë të një gjiganti tjetër rus, VKontakte, ekuivalenti rus i Facebook-ut, drejtuesit e Yandex po ecin me kujdes dhe janë të shqetësuar se diçka e ngjashme mund t'u ndodhë atyre.

“Drejtuesit menduan se për sa kohë që ata kontrollonin motorin e kërkimit Yandex, përdoruesit mund të gjenin lajme të besueshme për luftën nga jashtë”, shpjegon Dr Bunina, duke vënë në dukje se Rusia nuk është ende Kina.

Por ky ishte një vlerësim shumë optimist.

Për momentin, drejtuesit e Yandex thonë se shqetësimi i tyre kryesor është të vazhdojnë inovacionin ndërsa zemra e kompanisë mbetet në Rusi, e shkëputur nga teknologjia perëndimore.

"Që nga lufta, ne i kemi pezulluar të gjitha nismat tona dhe kemi pezulluar shërbimet tona globalisht", tha Bointon.

Rreth 2500 punonjës janë larguar nga kompania dhe ritmi i largimit nga kompania, siç pretendon doktor Bunine, po përshpejtohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat