​Tregjet evropiane të aksioneve bien, ekonomia botërore kërcënohet me recesion

Evropë

​Tregjet evropiane të aksioneve bien, ekonomia botërore kërcënohet me recesion

Më: 19 shtator 2022 Në ora: 19:59
Foto ilustrim

Për muajin tetor, FMN njoftoi një ulje të re të vlerësimeve të rritjes së ekonomisë globale, pasi tashmë në korrik e uli vlerësimin në 3.2 për qind këtë vit.

Në bursat evropiane, çmimet e aksioneve ranë sot, duke vijuar trendin negativ pas humbjes më të madhe të javës së kaluar në tre muajt e fundit.

Indeksi STOXX 600 i aksioneve kryesore evropiane ra 0.4 për qind, në nivelin më të ulët në dy muaj.

Në të njëjtën kohë, indeksi FTSE i Londrës u dobësua me 0,62 për qind, në 7,236 pikë, ndërsa DAX i Frankfurtit ra me 0,55 për qind, në 12,662 pikë dhe CAC i Parisit me 1,25 për qind, në 6,001 pikë.

Çmimet e aksioneve ranë edhe në bursat aziatike, kështu që indeksi MSCI i aksioneve të Azi-Paqësorit, duke përjashtuar aksionet japoneze, ra me 0.5 për qind, pasi u fundos pothuajse 3 për qind javën e kaluar.

Çmimet e aksioneve në Shangai, Australi, Hong Kong dhe Korenë e Jugut ranë mes 0.3 dhe 1.1 për qind këtë mëngjes. Në Japoni, nga ana tjetër, nuk ka punë për shkak të pushimeve.

Investitorët nuk janë të prirë për investime më të rrezikshme sepse 13 banka qendrore në botë janë planifikuar të mblidhen këtë javë dhe shumica e tyre pritet të rrisin normat e interesit për shkak të inflacionit të lartë.

Investitorët do të fokusohen në seancën dyditore të bankës qendrore amerikane, e cila përfundon më 21 shtator.

Shumica e analistëve presin që drejtuesit e Fed të rrisin sërish normat bazë të interesit me 0.75 pikë përqindjeje, për të tretën herë radhazi. Megjithatë, disa prej tyre besojnë se Fed mund të rrisë normat e interesit me një pikë përqindje të plotë.

Tregu gjithashtu po spekulon se sa mund të rriten normat e interesit në muajt në vijim. Aktualisht, normat e interesit të Fed janë në intervalin 2.25 deri në 2.50 për qind dhe deri në fund të vitit ato mund të arrijnë në intervalin nga 4 deri në 4.25 për qind.

Vitin e ardhshëm, Fed mund të rrisë më tej çmimin e parasë, nëse presionet e inflacionit nuk fillojnë të lehtësohen ndjeshëm.

Normat e interesit pritet të rriten nga shumica e bankave të tjera qendrore, të cilat do të mbajnë seanca këtë javë, mes tyre bankat e Zvicrës, Anglisë dhe Afrikës së Jugut.

Ndër përjashtimet e pakta është banka qendrore e Japonisë, e cila ka të ngjarë të mbajë politikën monetare të lirshme për të mbështetur rritjen ekonomike pasi inflacioni relativisht i ulët e lejon këtë.

“Në muajt e fundit jemi përballur me një nga episodet më agresive të shtrëngimit të politikës monetare në histori, pasi rreth 85 për qind e bankave qendrore në botë po shtrëngojnë politikat”, shkruajnë analistët e Bankës së Amerikës.

Dhe kjo, natyrisht, do të ngadalësojë rritjen e ekonomisë globale, siç paralajmëruan nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore javën e kaluar.

Për muajin tetor, FMN njoftoi një ulje të re të vlerësimeve të rritjes së ekonomisë globale, pasi tashmë në korrik e uli vlerësimin në 3.2 për qind këtë vit.

Disa vende do të zhyten në recesion vitin e ardhshëm, por është ende herët të thuhet nëse do të ketë një recesion global, tha FMN.

Nga ana tjetër, Banka Botërore tha se ekonomia globale mund të jetë drejt recesionit, duke qenë se bankat qendrore në botë po rrisin njëkohësisht normat e interesit për shkak të inflacionit të lartë.

Tri ekonomitë më të mëdha të botës – SHBA, Kina dhe eurozona – po përjetojnë një ngadalësim të mprehtë të rritjes dhe madje edhe një goditje e moderuar mund ta shtyjë ekonominë botërore në recesion, thotë Banka Botërore.

Kryeekonomisti i saj tha gjithashtu se ai është i shqetësuar për mundësinë e stagflacionit, një periudhë me rritje të ngadaltë ekonomike dhe inflacion të lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat