Borrel në Samitin e Pragës: Të ndërtohet një strukturë e re e sigurisë në Evropë por pa Rusinë

Evropë

Borrel në Samitin e Pragës: Të ndërtohet një strukturë e re e sigurisë në Evropë por pa Rusinë

Më: 6 tetor 2022 Në ora: 17:49
Josep Borrell

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thënë se në Samitin e Pragës do të diskutojnë se si të ndërtohet një strukturë e re e sigurisë në Evropë.

Ai theksoi se Komuniteti Politik Evropian është mënyra më e mirë për të përballuar krizat e krijuara nga lufta në Ukrainë. Sipas tij duhet të ndërtohet një rend i ri sigurie për të përballuar edhe krizën energjetike.

“Sot, 44 liderë evropianë, mblidhen këtu së bashku, për të diskutuar se si të ndërtohet një strukturë e re e sigurisë në Evropë. Duhet të bëhet pa Rusinë, jo sepse ne nuk duam që Rusia të jetë pjesë e Evropës, por sepse Putini i Rusisë e ka nxjerrë atë nga Komuniteti Evropian.”, tha Borrel.

Ai vazhdoi duke thënë se Europa përbëhet nga shtete që janë pjesë e BE dhe ato që nuk janë e që duan ose nuk duan të jenë dhe është e rëndësishmë të përcaktohen linja të reja për europianët.

“Komuniteti Evropian është i formuar nga këto 44 shtete, disa prej tyre janë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe disa të tjerë nuk janë. Disa nuk duan, disa të tjerë kanë qenë anëtarë dhe janë larguar, një pjesë tjetër ende nuk janë anëtarë, por do të bëhen anëtarë, dhe së bashku duhet të përcaktojnë linjat e reja për evropianët. Evropa duhet të përballet me krizën e krijuar nga lufta në Ukrainë, duhet të ndërtojë një rend të ri sigurie për të përballuar krizën energjetike, dhe ky forum, ky komunitet, ky komunitet politik është mënyra më e mirë për evropianët, të gjithë evropianët brenda dhe jashtë bashkimit, për ta përballuar këtë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat