Suedia: Rriten dyshimet për sabotim lidhur me shpërthimin në tubacionet e gazit natyror në Detin Baltik

Evropë

Suedia: Rriten dyshimet për sabotim lidhur me shpërthimin në tubacionet e gazit natyror në Detin Baltik

Më: 7 tetor 2022 Në ora: 18:05
Foto ilustrim

Agjencia suedeze e sigurisë tha të enjten se hetimi i saj fillestar mbi shpërthimet javën e kaluar në tubacionet e gazjellësit rus “Nord Stream” në Detin Baltik "ka rritur dyshimet për sabotim". 

Një prokuror suedez tha se "janë bërë sekuestrime (të provave) në vendin e krimit dhe këto tani do të hetohen", ndonëse ai nuk identifikoi provat e sekuestruara. 

Asnjë nga tubacionet nënujore të gazsjellësëve “Nord Stream 1” dhe “Nord Stream 2”, që lidhin Rusinë me Gjermaninë, nuk ishin në përdorim në kohën e shpërthimeve, por për ditë të tëra ato shkaktuan çlirim të gazit të metanit afër brigjeve të Suedisë dhe Danimarkës. 

Disa zyrtarë të vendeve skandinave kanë spekuluar se Rusia i ka shkaktuar shpërthimet në tubacionet e gazit natyror si një mënyrë për të ndëshkuar aleatët perëndimorë për mbështetjen që po i japin forcave ukrainase në luftën kundër ushtrisë ruse dhe për të ndërprerë rrjedhën e mundshme të karburantit për muajt e ardhshëm të dimrit. 

Por presidenti rus Vladimir Putin ka akuzuar Perëndimin se ka sulmuar tubacionet, gjë që është mohuar me forcë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre. Ata kanë thënë se Rusia është ajo që do të përfitonte më së shumti nga ndërprerja e furnizimit të Evropës me energji. 

Shërbimi suedez i Sigurisë tha se hetimi i tij konfirmoi se "shpërthimet" shkaktuan dëme të mëdha në tubacionet e gazit natyror. Agjencia e sigurisë tha se ajo që ndodhi në Detin Baltik ishte "shumë serioze", por nuk dha detaje të mëtejshme mbi hetimin.

Prokurori Mats Ljungqvist tha se ai kishte dhënë "udhëzime për të bllokuar përkohësisht zonën rreth tubacioneve të dëmtuara për kryerjen e hetimeve në vendin e krimit." 

Por ai tha se tani që hetimi fillestar ka përfunduar, bllokada rreth tubacioneve në territorin e Suedisë do të hiqet. 

Qeveria daneze dhe ajo suedeze kishin thënë më parë se dyshonin se disa qindra kilogramë eksploziv ishin përdorur për të dëmtuar tubacionet. 

Një pjesë e informacioneve për këtë artikull janë marrë nga agjencitë e lajmeve Associated Press dhe Reuters./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat