​Reforma e pensioneve e Macron po merr mbështetje nga e djathta

Evropë

​Reforma e pensioneve e Macron po merr mbështetje nga e djathta

Më: 9 janar 2023 Në ora: 12:26
Emmanuel Macron

Partia Republikane franceze e krahut të djathtë ka konfirmuar se do të mbështesë reformën e vonuar vazhdimisht të pensioneve të shpallur nga presidenti Emmanuel Macron, që do të thotë se pas muajsh pasigurie, ajo mund të votohet me shumicë parlamentare.

Projektligji për reformën e pensioneve, i cili është ndër premtimet kryesore parazgjedhore të Macron, do të prezantohet nesër në parlament.

Reforma synon të sjellë në linjë shpenzimet e pensioneve, të cilat pritet të arrijnë një deficit gjatë 25 vjetëve të ardhshëm.

Qeveria argumenton se rritja e moshës minimale të pensionit është një mënyrë për të siguruar që i gjithë sistemi të mos mbetet pa para.

"Situata buxhetore, demografike dhe ekonomike kërkon këtë reformë," tha kryetari republikan Eric Ciotti për Journal de Dimanche.

"Kjo është arsyeja pse unë shpresoj të jem në gjendje të votoj për një reformë të drejtë që do të shpëtojë sistemin tonë të pensioneve," tha ai.

Ciotti theksoi se “e djathta qeveritare” ka mbrojtur gjithmonë idenë e reformës që çon në më shumë punë, duke iu referuar reformës që synon rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64-vjeç.

Megjithatë, tha Ciotti, ajo parti do ta mbështesë propozimin e reformës, vetëm nëse kërkesat e saj pranohen.

Kjo përfshin qasjen në një pension minimal prej 1,200 euro për pensionistët e rinj dhe "në mënyrë retroaktive për pensionistët aktualë që përdorin pensionet më modeste," shtoi ai.

Siç tha ai, reforma duhet të “zgjatet në dy periudha pesëvjeçare”, me rritjen e moshës së pensionit në 63-vjeç në 2027 dhe 64 në 2032.

Reforma e pensioneve ka qenë një pikë debati në Francë gjatë muajve të fundit, duke bërë që sindikatat të paralajmërojnë javën e kaluar për një "konflikt të madh social" nëse miratohet.

Në fillim të dhjetorit, një grup sindikatash thanë se ishin "gati të mobilizoheshin" rreth reformës, të cilën ata e vlerësuan se vjen "në një kohë kur konteksti social, mjedisor dhe ekonomik është veçanërisht i vështirë për një pjesë gjithnjë e më të madhe të popullsisë".

Nesër, kryeministrja franceze Elizabeth Bourne do të paraqesë detaje të planeve për të rritur me shumë gjasa moshën e pensionit për francezët në 64 ose 65, nga 62.

Reforma e pensioneve në Francë, ku e drejta për pension të plotë fitohet në moshën 62-vjeçare, ka qenë gjithmonë një çështje e ndjeshme, veçanërisht tani me pakënaqësinë në rritje për rritjen e kostos së jetesës.

Qeveria shprehet se reforma është e nevojshme për të siguruar financimin e pensioneve në vitet në vijim.

“Qëllimi është arritja e një ekuilibri pa rritur taksat dhe pa ulur pensionet. Opsione të ndryshme janë në tryezë, por të gjitha përfshijnë rritjen e moshës së pensionit”, u tha gazetarëve zëdhënësi i qeverisë franceze Olivier Veran.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat