LIVE: Breshëri sulmesh ruse në Ukrainë, shënohet numri më i lartë i civilëve të vrarë në një vend që prej 30 shtatorit

Evropë

LIVE: Breshëri sulmesh ruse në Ukrainë, shënohet numri më i lartë i civilëve të vrarë në një vend që prej 30 shtatorit

Më: 15 janar 2023 Në ora: 22:49 Përditësuar në ora: 23:16 më 15.01.2023
Foto ilustrim

​Borrell dënoi sulmet me raketa ruse në qytetet e Ukrainës

Kreu i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dënoi sot sulmet me raketa ruse ndaj qyteteve të Ukrainës dhe objekteve të infrastrukturës së energjisë elektrike.

Një sulm tjetër raketor rus goditi qytetet e Ukrainës dje. Agresioni çnjerëzor i Rusisë synon drejtpërdrejt civilët, përfshirë fëmijët. Nuk do të ketë mosndëshkim për këto krime”, shkroi Borrell në llogarinë e tij në Twitter.

Borrell tha se BE do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën "për aq kohë sa të jetë e nevojshme".

Putin: Gjithçka po shkon sipas planit

Vladimir Putin ka thënë se operacioni i tij special ushtarak “po zhvillohet brenda kornizës së planit”, raporton agjencia e lajmeve Interfax. Udhëheqësi rus tha gjithashtu se ushtarët rusë do të japin “më shumë rezultate në fushën e betejës” dhe se fushata e Kremlinit po tregonte një prirje pozitive.

Dinamika është pozitive,” tha Putin për televizionin shtetëror Rossiya 1. “Gjithçka po zhvillohet në kuadër të planit të ministrisë së mbrojtjes dhe shtabit të përgjithshëm. Dhe shpresoj se luftëtarët tanë do të na kënaqin edhe më shumë me rezultatet e luftimeve të tyre”, ka shtuar Putin.

Ndërkohë, ministria ruse e mbrojtjes ka thënë se forcat e saj kanë nisur një valë sulmesh raketore kundër objekteve ushtarake dhe infrastrukturës ukrainase të shtunën. Ministria ruse e mbrojtjes nuk e përmendi Dnipro si një objektiv specifik të ndonjë sulmi.

Në deklaratën e saj, tha: “Të gjitha objektet e caktuara u goditën. Objektivat e goditjes janë arritur”.

Shpërthen një depo municionesh në Rusi, raportohet për 3 viktima dhe 13 të plagosur

Një depo municionesh në rajonin Belgorod të Rusisë shpërtheu. Si pasojë humbën jetën 3 persona dhe 13 të tjerë u plagosën, njoftoi agjencia e lajmeve ruse RIA Novosti sipas shërbimeve lokale të urgjencës.

TASS njoftoi më herët se një zjarr ra në një qendër kulturore gjatë natës, ku ishin ruajtur municionet, gjë që shkaktoi shpërthimin.

Raportohej për 10 ushtarë rus të plagosur.

Në rajonin e Belgorodit në kufirin e Rusisë dhe Ukrainës, ka baza ushtarake ruse dhe fusha trajnimi.

Putin e ka humbur luftën e gazit me Gjermaninë

Rusia nuk mund të ushtrojë më presion ndaj gjermanëve me gazin. Edhe pa Gazpromin ata i kanë rezervat e mbushura dhe nuk tremben për mungesën e gazit as në dimrin e ardhshëm, thekson Andrey Gurkov.

Do të ishte e hershme të flitej për humbje të Rusisë në Ukrainë. Por luftën e gazit kundër Gjermanisë, Putini e ka humbur, kjo mund të thuhet me siguri. Republika Federale ka rezervat më të mëdha të gazit në Europë. E nëse niveli i mbushjes pikërisht në pikun e ngrohjes në janar ende është në nivelin 90%, kjo do të thotë: mungesa e furnizimeve me gaz rus nuk përbën më rrezik.

Në kohën kur filloi sulmi rus në Ukrainë, Gjermania importonte më shumë se gjysmën e gazit nga Rusia. Për Moskën shantazhi ndaj Gjermanisë ishte thelbi i presionit ekonomik për BE, me qëllim që të minohej mbështetja e europianëve për popullin ukrainas dhe ushtrinë e vendit.

Muaji i pestë pa gazin rus i Gjermanisë

Ky plan dështoi. Gjermanët nuk po ngrijnë në shtëpitë e tyre, nuk duhet të mbyllin fabrikat. Edhe në Berlinin politik ka ikur frika, se Moska për hakmarrje do ta paralizonte Gjermaninë. Jo, Republika Federale në kuadër të sanksioneve të BE është shkëputur vetë nga qymyrguri dhe nafta ruse, dhe nga fundi i gushtit nuk merr më as gaz nga Gazpromi.

Me fjalë të tjera: gjermanët jetojnë në muajin e pesë pa gazin rus që mendohej se ishte kaq i pazëvendësueshëm dhe ekonomia më e madhe në Europë duket se po ecën mirë edhe pa të. Vërtet që pritet një recesion ekonomik, që nuk të habit para ndërprerjes së zinxhirëve të vjetër të furnizimit dhe çmimeve shumë të larta të energjisë. Por ka tregues që të thonë, se rënia është më e dobët se mendohej. Madje edhe inflacioni rekord po ngadalësohet. Ndërkohë Berlini po e zgjeron mbështetjen për Kievin, gjë që mund të shihet si një provë jo e drejtpërdrejtë për dështimin e “operacionit të posaçëm të gazit” të Putinit. Në fillim të janarit qeveria gjermane e ndryshoi qëndrimin dhe është gati për dërgimin e tankeve mbrojtës. Mund të pasojnë edhe tanke luftarakë, debati publik për këtë ka marrë hov.

Autoritetet heqin sinjalin e alarmit

Që Putini e ka humbur luftën e gazit duket edhe nga deklaratat e qarta, që iu dhanë ekonomisë dhe popullsisë nga dy burime: nga agjencia shtetërore e energjisë dhe dega e sektorit energjitik. Agjencia Federale e Rrjetit tha zyrtarisht se “situata e mungesës së gazit gjithnjë e më shumë nuk ka gjasa”. Kreu i kësaj agjencie, Klaus Müller pret fundin e luhatjeve të çmimit dhe stabilizimin në këtë nivel. Ky nivel është patjetër shumë më i lartë, se më parë, por disa herë më i ulët se vlerat rekord në verë. Me këto çmime degët e industrisë gjermane që konsumojnë shumë energji mund të fillojnë të planifikojnë, sipas Müller. Pak pas kësaj edhe Shoqata e Rezervave të Gazit dhe Hidrogjenit, INES në konferencën e shtypit në janar bëri parashikimet për vitin 2023. Me një mot me temperatura normale gjendja e rezervave të gazit në fund të dimrit pritet të jetë rreth 65%. Një situatë e mirë për verën 2023 dhe mbushjen 100% të rezervave në shtatorin e ardhshëm. Pra dega e energjisë dhe autoritetet i sigurojnë sipërmarrjet dhe familjet gjermane se nuk priten probleme as këtë dimër dhe as dimrin e ardhshëm. Me kusht që “të vazhdohen kursimet e forta të konsumit të energjisë edhe më tej.”

Gazprom humbi tregun më të madh

Ekspertët e INES kanë bërë parashkime edhe për rastin më të disfavorshëm: Moti bëhet shumë i ftohtë, oferta e gazit të lëngshëm nga Azia për shkak të kërkesës së lartë bie, Rusia ndërpret të gjitha furnizimet me gaz në Europë, gjë që do të vinte në përdorim ndarjen solidare të rezervave gjermane me vende të tjera të BE. Por edhe para një skenari të tillë në Gjermani nuk do të pritej një krizë e fortë e gazit këtë dimër dhe dimrin e ardhshëm.

Deklaratat e sektorit energjitik dhe ekspertëve janë provë bindëse se Putini e ka humbur vërtet luftën e gazit. Gjermania e filloi vitin 2023 pa gazin rus, dhe pa frikë për këtë humbje. Pikërisht këtu qëndron dështimi i Kremlinit: Gazi rus nuk shërben më si armë kundër Gjermanisë. Por pasojat e kësaj lufte të humbur janë më të ndjeshme për Gazpromin, që humbi tregun më të rëndësishëm jashtë vendit. Ende para një viti gjermanët blenin një çerekun e eksporteve të Gazpromit.

Arrin në 30 numri i të vdekurve nga sulmi rus ndaj godinës së banimit në Dnipro

Numri i të vdekurve nga një sulm me raketa ruse në një ndërtesë apartamentesh në qytetin juglindor të Dnipros arriti të dielën në 30, njoftuan autoritetet lokale ndërsa punonjësit e ekipeve të shpëtimit përpiqeshin të nxirrnin të mbijetuarit nga rrënojat.

Ekipet e urgjencës punuan gjatë natës së ftohtë në ndërtesën shumëkatëshe të banimit, ku u shënua numri më i madh i viktimave nga një breshëri sulmesh ruse në qytetet ukrainase të shtunën.

Është numri më i lartë i civilëve të vrarë në një vend, që nga një sulm më 30 shtator në rajonin Zaporizhzhia të Ukrainës.

Goditjet, të cilat vunë gjithashtu në shënjestër kryeqytetin Kiev, dhe qytetin verilindor të Kharkivit, i dhanë fund një ndërprerjeje dyjavore të sulmeve masive të Moskës ndaj infrastrukturës së energjisë elektrike dhe qendrave urbane të Ukrainës.

Rusia hodhi 33 raketa të shtunën, nga të cilat 21 u rrëzuan, sipas gjeneralit Valeriy Zaluzhny, komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës.

Autoritetet e qytetit Dnipro njoftuan të dielën pasdite se të paktën 73 persona u plagosën dhe 43 persona figuronin të zhdukur. Ai tha se 39 persona janë shpëtuar deri tani.

Ivan Garnuk ishte në banesën e tij kur ndërtesa u godit dhe tha se ndihej me fat që kishte mbijetuar. Ai përshkroi tronditjen e tij se si kishin mundur rusët të godisnin një godinë banimi pa vlerë strategjike.

"Këtu nuk ka objekte ushtarake. Nuk ka asgjë," tha ai. "Nuk ka mbrojtje ajrore, nuk ka baza ushtarake. Thjesht goditën civilë, njerëz të pafajshëm."

Banorët e Dnipro-s iu bashkuan punonjësve të shpëtimit në vendngjarje për të ndihmuar në pastrimin e rrënojave. Të tjerë sollën ushqime dhe rroba të ngrohta për ata që kishin humbur shtëpitë e tyre.

"Ky është padyshim terrorizëm dhe e gjithë kjo thjesht nuk është njerëzore," tha një banor lokal, Artem Myzychenko, ndërsa pastronte rrënojat.

Duke marrë përgjegjësinë për sulmet me raketa anembanë Ukrainës, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të dielën se ia arriti qëllimit.

"Të gjitha objektivat e përcaktuara janë goditur. Qëllimi i sulmit është arritur," thuhej në një deklaratë të ministries, postuar në Telegram. Në deklaratë thuhej se raketat u hodhën "mbi sistemin e komandës dhe kontrollit ushtarak të Ukrainës dhe objekteve të lidhura me energjinë", dhe nuk përmendej sulmi në godinën e banimit në Dnipro.

Të dielën, forcat ruse sulmuan një zonë banimi në qytetin jugor të Ukrainës Kherson, tha guvernatori rajonal Yaroslav Yanushevych në një postim në Telegram. Sipas informacioneve paraprake dy persona kanë mbetur të plagosur.

Sulmet e reja ajrore të Rusisë erdhën ndërsa luftime të ashpra janë ndezur në provincën lindore Donetsk të Ukrainës, ku ushtria ruse ka thënë se ka marrë nën kontroll qytetin e vogël të minierave të kripës Soledar, por Ukraina thotë se trupat e saj janë ende duke luftuar.

Nëse forcat ruse fitojnë kontrollin e plotë të Soledarit, kjo do t'i lejonte ata t’i afrohen më shumë qytetit më të madh, Bakhmut. Beteja për Bakhmutin zgjat prej muajsh, duke shkaktuar viktima të konsiderueshme nga të dyja palët.

​Pas sulmit në ndërtesën në Dnieper, Zelensky u dërgoi një mesazh rusëve

Dhjetëra civilë janë ende të zhdukur, një ditë pasi një raketë ruse goditi një ndërtesë banimi në qytetin qendror të Ukrainës, Dnieper, tha presidenti Volodymyr Zelensky në video-fjalimin e tij gjatë mbrëmjes.

Ekipet e shpëtimit vazhduan të kërkojnë për më shumë se 30 persona në rrënojat që kishin mbetur nga ndërtesa e banesës, tha ai.

"Ne po luftojmë për çdo person," tha ai të dielën mbrëma. "Shpëtimi do të vazhdojë për aq kohë sa të ketë edhe shansin më të vogël për të shpëtuar një jetë."

Ai falënderoi edhe ata jashtë vendit që dërguan mesazhe ngushëllimi dhe mbështetje.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i personave të vrarë në sulm u rrit në 29, duke përfshirë një fëmijë. Shtatëdhjetë e tre persona janë të zhdukur.

Zelensky gjithashtu iu drejtua rusëve në rusisht.

"Dëshiroj t'u drejtohem të gjithëve në Rusi që ende nuk kanë fjalë për të dënuar këtë terror, megjithëse shohin dhe kuptojnë gjithçka qartë. Heshtja juaj frikacake do të marrë fund vetëm kur këta terroristë t'ju sulmojnë një ditë."

Sulmi në Dnieper ishte më i ashpër nga disa të shtunën. Udhëheqja në Kiev dënoi ashpër sulmet ndaj popullatës civile dhe foli vazhdimisht për terrorin rus.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat