Asambleja e BE-së nis shqyrtimin e imunitetit të dy eurodeputetëve për skandalin e korrupsionit

Evropë

Asambleja e BE-së nis shqyrtimin e imunitetit të dy eurodeputetëve për skandalin e korrupsionit

Më: 17 janar 2023 Në ora: 00:09
Foto ilustrim

Parlamenti Evropian filloi të hënën një procedurë njëmujore për heqjen e imunitetit të dy ligjvënësve për të mundësuar ndjekjen penale të tyre. Hetuesit belgë duan t'i marrin ata në pyetje për një skandal korrupsioni. 

Presidentja e parlamentit, Roberta Metsola gjatë seancës parlamentare të mbajtur në Strasburg tha se Belgjika kishte kërkuar heqjen e imunitetit për italianin, Andrea Cozzolino dhe belgun, Marc Tarabella, të dy nga grupet e qendrës së majtë, socialist dhe demokrat. 

Komisioni i parlamentit për çështjet ligjore do të shqyrtojë kërkesat dhe do të bëjë përpjekje të përfundojë punën brenda një muaji për të lejuar parlamentin të votojë në sesionin e tij të ardhshëm që do mbahet në mes të shkurtit. 

Zoti Tarabella dhe zoti Cozzolino, përmes avokatëve të tyre, mohojnë keqbërjen dhe thonë se janë të gatshëm të dorëzojnë imunitetin dhe t'u përgjigjen pyetjeve të autoriteteve belge. 

Deputetja greke e Parlamentit Evropian Eva Kaili, ish-deputeti italian Pier Antonio Panzeri, së bashku me dy të tjerë janë në paraburgim në Belgjikë me akuza për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me pagesat që dyshohet se u bënë nga Katari. 

Katari dhe zonja Kaili kanë mohuar akuzat, ndërsa avokati i zotit Panzer nuk ka pranuar të komentojë. 

Partneri i zonjës Kaili, Francesco Giorgi, i cili është gjithashtu në paraburgim, ka pranuar se ka marrë ryshfet dhe ka thënë se dyshonte se zoti Tarabella merrte para nga Katari, sipas një burimi pranë hetimit. 

Avokati i zotit Giorgi nuk ka pranuar të komentojë. 

Avokati i zotit Tarabella tha se ligjvënësi kishte vizituar Katarin dy herë dhe kishte qenë plotësisht transparent në lidhje me këto udhëtime. 

Parlamenti Evropian këtë javë do të zgjedhë një anëtare për të zëvendësuar Eva Kailin si një nga nënkryetaret e tij dhe do të debatojë skandalin, i cili është quajtur “Qatargate”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat