Erdogan: 98 për qind e ndërtesave të shembura janë ato të ndërtuara para vitit 1999

Evropë

Erdogan: 98 për qind e ndërtesave të shembura janë ato të ndërtuara para vitit 1999

Më: 15 shkurt 2023 Në ora: 11:48
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, u zotua të rindërtojë vendin pas tërmetit shkatërrimtar të 6 shkurtit, dhe tha se operacioni i kërkim-shpëtimit do të vijojë deri në nxjerrjen e qytetarit të fundit nga rrënojat. Ai e krahasoi tërmetin me një bombë atomike, që kishte vrarë mbi 35 400 vetë në rajonin jugor të vendit, dhe kishte lënë qindra mijëra të pastrehë. Vlerësimi i dëmeve, sipas tij, do të përfundojë në një javë, ndërsa rindërtimi do të nisë brenda pak muajve.

“Fakti që 98 për qind e ndërtesave të shembura në katastrofën e fundit janë ato të ndërtuara para 1999-s, tregon progresin që kemi bërë në standardizimin e godinave dhe inspektime, por edhe na kujton se duhet të jemi më strikt”, u shpreh presidenti Erdogan.

Bashkë me më shumë se 5 mijë viktimat e konfirmuara në Siri, bilanci total ka shkuar në mbi 41 mijë të vdekur, ndërsa shpresën për gjetjen e të mbijetuarve vazhdon ta mbajë në jetë raste si ky; një grua 77-vjeçare u nxor e gjallë nga rrënojat, më shumë se 9 ditë ose 212 orë, pas lëkundjes së dhunshme të tokës që përpiu pallatin 7-katësh në të cilin jetonte në Adijaman. Të afërmit e Fatma Gungor, e cila u transportua me maskë oksigjeni në autoambulancë, shpërthyen në brohorima dhe përqafuan ekipin e kërkim-shpëtimit.

“Është shumë bukur të ndihmosh të tjerët. Kjo është dashuri, është humanizëm. Do të vazhdojmë kërkimet pasi ka ende persona të gjallë; njerëzit mund të jetojnë 15, 16 deri në 20 ditë nëse nuk janë të lënduar”.

9 të mbijetuar u shpëtuan në Turqi të martën, por OKB-ja thotë se faza e kërkimit po mbërrin në fund dhe se fokusi kryesor po zhvendoset te mbështetja për të mbijetuarit të cilët po jetojnë në kushte të mjerueshme, pa ngrohje, ushqim apo strehë. OKB-ja ka paralajmëruar për rrezikun shpërthimit të epidemive në Turqi e Siri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat