Berlusconi lirohet nga rasti “bunga-bunga”

Evropë

Berlusconi lirohet nga rasti “bunga-bunga”

Më: 15 shkurt 2023 Në ora: 17:57
Silvio Berlusconi

Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi është liruar nga akuzat se iu ka dhënë ryshfet dëshmitarëve të gënjejnë për festat e njohura të tij si “bunga-bunga”.

Tajkuni bilioner i mediave u akuzua për pagesë të kërcimtareve të reja dhe tjerëve që të jepnin dëshmi të rreme për festat e shthurrura.

Edhe 28 të pandehurit tjerë janë liruar, ndër ta kërcimtarja marokene Karima El Mahroug, e njohur si Ruby, e cila u paraqit edhe në rastin e mëhershëm të Berlusconit, shkruan BBC, përcjell Klankosova.tv.

Berlusconi, 86 vjeçar është ballafaquar me shumë raste gjyqësore.

Në rastin Ruby, senatori i krahut të djathtë fitoi apelin kundër dënimit që kishte paguar për seks një prostitutë minorene. Ruby dhe ai mohuan se kanë pasur marrëdhënie seksuale dhe ajo mohoi që ka qenë ndonjëherë prostitutë.

Në rastet e tij të ndryshme gjyqësore, ai ka mohuar pretendimet, duke akuzuar prokurorët se kanë ndjekur një hakmarrje politike ndaj tij. Ai këmbënguli se festat – të përshkruara nga disa si “orgji” – ishin në fakt darka elegante.

I vetmi gjyq i Berlusconit që përfundoi me një dënim ishte për mashtrim tatimor në vitin 2013. Duke pasur parasysh moshën e tij, drejtësia italiane e trajtoi me butësi – ai bëri një vit shërbim në komunitet në një shtëpi kujdesi afër Milanos.

Berlusconi ishte kryeministër tre herë midis viteve 1994 dhe 2011. Ai u akuzua se u dha dëshmitarëve miliona euro para në gjyqin “bunga-bunga”, por tha se paratë u dhanë si kompensim për dëmtimin e reputacionit të njerëzve të lidhur me festat famëkeqe.

Ai u ndalua përkohësisht nga posti politik për shkak të dënimit të tij për mashtrim tatimor, por fitoi një vend në Senat në zgjedhjet e vitit 2022.

Partia e tij “Forza Italia” luan një rol kyç në koalicionin e krahut të djathtë në pushtet në Itali, të udhëhequr nga kryeministrja Giorgia Meloni. Ajo e përshëndeti lirimin e tij si “lajm i shkëlqyer që i jep fund një çështjeje të gjatë ligjore që pati gjithashtu pasoja të rëndësishme në jetën politike dhe institucionale italiane”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat