Serbia i kthen “shpinën” Vladimir Putinit, mediat ruse japin njoftimin e bujshëm

Evropë

Serbia i kthen “shpinën” Vladimir Putinit, mediat ruse japin njoftimin e bujshëm

Më: 18 shkurt 2023 Në ora: 12:23
Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiç

Priten zhvillime të bujshme në Ballkan. Çështja e marrëdhënieve me Rusinë dhe BE-në ka qenë një çështje kyçe politike në Serbi për 20 vjet dhe kjo situatë mund të marrë fund. Nga njëra anë gjendet presioni i Perëndimit që Serbia të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë, ndërsa nga ana tjetër kemi Rusinë, e cila dëshiron që Serbia të mbetet një vend mik dhe të mos vendos sanksione ndaj Rusisë.

Por Perëndimi sërish ka fituar, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, njoftoi vendosjen e sanksioneve anti-ruse. Pra Serbia po ia kthen shpinën Vladimir Putinit  dhe lajmin e kanë paralajmëruar mediat ruse.

Në artikujt e tyre të fundit, ato shkruajnë se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, do të fillojë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas presionit të fortë të Perëndimit. Më tej thuhet se Vuçiç dyshohet se ka dhënë udhëzime për të “minimizuar punën zyrtare me Moskën”.

Sanksionet

Tashmë në muajin mars, siç është paralajmëruar, do të vendoset regjimi i vizave për qytetarët e Federatës Ruse, ndërsa kufizimet kryesore do të hyjnë në fuqi para verës. Beogradi, shkruan më tej ai, është duke formuar paketën e parë dhe të dytë të sanksioneve, por po mendon t'i rregullojë ato në atë mënyrë që të shkaktojnë dëme minimale në ekonominë serbe. E respektoj Rusinë, por i shërbej Serbisë”, ka theksuar lideri serb, citon portali rus për Vuçiçin.

Siç thonë ata, presidenti serb ka kujtuar gjithashtu se Moska nuk e ka ndihmuar gjithmonë Serbinë, veçanërisht “nuk ka ndihmuar as në vitin 2003 e as në vitin 1992”, por “më mirë të kujtojmë të mirat, jo të këqijat”. Vuçiç më parë tha se Serbia u detyrua t'i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të presionit të fortë nga Perëndimi.

Çfarë rrezikon Serbia?

Sanksionet kundër Rusisë janë ende çështja kryesore politike. Mund të thuhet madje se kjo temë i ka paralizuar të gjitha zhvillimet politike në Serbi. Nga koha kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në muajin shkurt, BE-ja ka shprehur qartë pritjet që vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat synojnë integrimin në BE, t’i mbështesin qëndrimet e këtij blloku, duke i përfshirë edhe sanksionet kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Serbia, deri tani, i ka injoruar këto thirrje dhe kjo, si duket, e ka rritur zemërimin e disa vendeve anëtare të BE-së.

Vuçiç mesa duket iu dorëzua Perëndimit pasi për pasojë, thonë disa burime diplomatike në Bruksel, “praktikisht është ngrirë edhe procesi i negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE”. Kjo dëshmohet edhe me faktin se, për më shumë se një vit, Serbia nuk ka hapur apo mbyllur asnjë kapitull në procesin e negociatave. Për hapjen apo mbylljen e tyre duhet pajtim i të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Dhe, disa vende, thonë diplomatët, “nuk duan që Serbia të shpërblehet me vazhdimin e procesit të anëtarësimit në BE, sikur të mos ketë ndodhur asgjë“.

Edhe Parlamenti Evropian, përmes një rezolute për strategjinë e re të zgjerimit, ka kërkuar që të kushtëzohen negociatat e anëtarësimit të Serbisë në BE me mbështetjen e sanksioneve kundër Rusisë. Sipas burimeve diplomatike, Bashkimi Evropian nuk mendon të ndërmarrë hapa formalë për pezullimin e negociatave të anëtarësimit me Serbinë, por është i vetëdijshëm se negociatat nuk ka gjasa reale të vazhdojnë derisa Serbia nuk u bashkohet sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë.

Nga Serbia, vendet e BE-së presin po ashtu që të mos lejojë anashkalimin e sanksioneve kundër Rusisë përmes territorit të saj. Serbia prej vitesh negocion anëtarësimin në BE, por në të njëjtën kohë bashkëpunon edhe me Rusinë në disa fusha, përfshirë mbrojtjen. Kujtojmë se që pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, Perëndimi si asnjëherë më parë i ka kthyer sytë fuqishëm në Ballkan nga frika e rindezjes së një konflikti tjetër dhe në qendër të vëmendjes është Serbia dhe Kosova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat