Amsterdami do t’i zhvendosë punonjëset e seksit, Rregullatori Evropian i Barnave e kundërshton

Evropë

Amsterdami do t’i zhvendosë punonjëset e seksit, Rregullatori Evropian i Barnave e kundërshton

Më: 9 mars 2023 Në ora: 00:27
Amsterdami

Udhëheqësia e Amsterdamit ka në plan që t’i zhvendos punonjëset e seksit larg zonës historike të dritave të kuqe, por një gjë e tillë është kundërshtuar fuqishëm nga Rregullatori Evropian i Barnave, pasi që në plan është që punonjëset të zhvendosen në një ndërtesë shumëkatëshe pranë selisë së saj në Amsterdam.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), e cila u zhvendos në Amsterdam nga Londra në vitin 2019 pasi Britania votoi për t’u larguar nga BE-ja, tha se ishte “shumë e shqetësuar për projektin, nga frika e telashit, shpërndarjes së drogës, dehjes dhe sjelljes së çrregullt”.

Qyteti synon të mbyllë pothuajse gjysmën e dritareve të bordellove të lagjes së dritave të kuqe, duke i zhvendosur qiramarrësit e tyre në një vend të ri. Muajin e kaluar, vendi njoftoi tre vende të mundshme, dy prej të cilave janë 10 minuta në këmbë nga ndërtesa e EMA-s, në distriktin jugor të biznesit të Amsterdamit.

“Agjencia po ndërmerr veprime në nivelin më të lartë të përshtatshëm politik dhe diplomatik, në koordinim të plotë me Komisionin Evropian, për të siguruar një mjedis të sigurt pune për stafin dhe ekspertët”, tha një zëdhënës i EMA-s.

Kryebashkiakja e Amsterdamit, Femke Halsema, tha se kishte të paktën një kilometër midis objektit të EMA-s dhe të dy vendeve aty pranë.

“Policia sheh pak rreziqe sigurie dhe puna e seksit do të jetë në ambiente të mbyllura, pa audiencë në rrugë si në lagjen e dritave të kuqe”, tha ajo për të përditshmen holandeze Het Parool.

Qendra e propozuar erotike pritet të strehojë rreth 100 punonjëse seksi dhe të përfshijë hapësirë për bare, restorante, jetë nate dhe argëtim erotik.

“Puna seksuale i përket Amsterdamit dhe nuk do të zhduket kurrë. Por situata në brendësi të qytetit është e paqëndrueshme … për shkak të fluksit të turistëve që rregullisht sillen keq dhe shkaktojnë bezdi”, tha kryebashkiakja në një deklaratë muajin e kaluar.

Qendra e re, tha ajo, do të lehtësonte presionin mbi lagjen e vjetër të dritave të kuqe dhe do të krijonte “një vend të jashtëzakonshëm ku punonjëset e seksit mund të punojnë të sigurta, dhe vizitorët mund të presin një ofertë të gjerë të erotizmit, kulturës dhe argëtimit”.

Megjithatë, grupet e banorëve në të tre vendet e mundshme i kanë sfiduar planet dhe EMA tha në deklaratën e saj se ishte e vështirë të shihej se si zhvendosja e lagjes së dritave të kuqe nuk do të zhvendoste gjithashtu problemet që lidhen me të, raporton Guardian.

Agjencia tha se kishte dëgjuar për planet përmes medias dhe nuk ishte konsultuar deri më tani mes Bashkinë, duke shtuar se marrëveshja e saj e nënshkruar me qeverinë holandeze garantonte “sigurinë dhe qetësinë” e ambienteve të EMA-s.

“Puna e EMA-s është thelbësore për mbrojtjen e shëndetit publik në Bashkimin Evropian. Agjencia ka të punësuar më shumë se 900 punëtor dhe mirëpret një numër të madh vizitorësh ndërkombëtarë, shpesh vonë në mbrëmje”, thuhet në një deklaratë të EMA-s.

Si pjesë e objektivit për të reduktuar atë që e quan “turizëm i bezdisshëm” në qendrën e shekullit të 17-të që e ka bërë jetën një mjerim për banorët, Amsterdami muajin e kaluar njoftoi planet për të mbyllur baret dhe restorantet më herët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat