Hakerët “hyjnë në televizionin rus” dhe thonë se ka pasur një sulm bërthamor

Evropë

Hakerët “hyjnë në televizionin rus” dhe thonë se ka pasur një sulm bërthamor

Më: 11 mars 2023 Në ora: 09:32
Autoritetet bënë të ditur menjëherë se alarmi nuk ishte gjë tjetër veçse rezultat i një sulmi hakeri.

Një alarm i rremë ka futur në panik pjesë të Rusisë. “U krye një sulm bërthamor. Shkoni menjëherë në strehimore dhe merrni pilula jodi", ishte mesazhi i transmetuar nga TV dhe radio në disa Rajone. 

Megjithatë, nuk kishte asgjë për t'u shqetësuar. Autoritetet bënë të ditur menjëherë se alarmi nuk ishte gjë tjetër veçse rezultat i një sulmi hakeri. Sipas Ukrinform, alarmi u përhap në Yekaterinburg dhe rajonin e Sverdlovsk.

Vetë Ministria e Situatave të Emergjencave të Rusisë konfirmoi se serverët e radios dhe televizionit ishin hakuar. Në fakt, pamjet e televizionit rus që transmeton mesazhin e alarmit po përhapen në internet. Ata që shikonin televizor panë një hartë të Rusisë duke u kthyer gradualisht në të kuqe nga perëndimi në lindje, ndërsa një zë thoshte:

“Kishte një sulm. Shkoni urgjentisht në një strehë”. Ekranet u ndezën gjithashtu me një shenjë paralajmëruese të rrezatimit të zi dhe të verdhë dhe një mesazh që thoshte: “Të gjithë të strehohen menjëherë”.

Sipas raportimeve, imazhet ndërprenë programet televizive dhe radiofonike në Moskë dhe rajonin e Sverdlovsk, duke përfshirë qytetin e katërt më të madh të vendit, Yekaterinburg. Ministria e Emergjencave të Rusisë tha: “Një alarm i rremë për sulm ajror u transmetua në Moskë pasi serverët e stacioneve radiofonike dhe kanaleve televizive u hakuan”.

Kujtojmë se që me fillimin e luftës në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar se do të përdorë armët bërthamore nëse vihet në rrezik Rusia. Jo vetëm ai, por edhe shumë besnikë të liderit rus kanë bërë paralajmërime të frikshme për shpërthimin e një lufte atomike që do të vinte në rrezik të gjithë njerëzimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat