Milatoviç fiton zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi, Gjukanoviq pranon humbjen

Evropë

Milatoviç fiton zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi, Gjukanoviq pranon humbjen

Më: 2 prill 2023 Në ora: 20:59 Përditësuar në ora: 23:59 më 02.04.2023
Jakov Milatoviq dhe Milo Gjukanoviq

​Gjukanoviq pranon humbjen në zgjedhjet presidenciale në Malit të Zi

Presidenti aktual i Malit të Zi dhe udhëheqës i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Millo Gjukanoviq ka pranuar humbjen në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën sot në Mal të Zi. Ai ka uruar kundërkandidatin e tij, Jakov Millatoviq.

Gjukanoviq ka falënderuar të gjitha ata që e mbështetën për të qenë 30 vjet në pushtet.

Gjukanoviq: E përgëzoj Jakov Millatoviq për besimin që mori në zgjedhjet presidenciale

“Mali i Zi zgjodhi dhe unë i respektoj atë zgjedhje, e përgëzoj Jakov Millatoviqin për besimin që mori në zgjedhjet presidenciale, i uroj që të jetë president i suksesshëm sepse nëse ai është president i suksesshëm do të thotë se edhe Mali i Zi do të jetë një vend i suksesshëm dhe se do të shkojë drejt këtij qëllimi. Ky është rasti që para së gjithash ti falënderoj të gjithë qytetarët e Malit të Zi, të cilët me pjesëmarrjen e tyre masive në këto zgjedhje kontribuan për të pasur një tjetër proces zgjedhor demokratik dhe të besueshëm në Mal të Zi, i cili sigurisht i kontribuon reputacionit të brendshëm dhe ndërkombëtar të Malit të Zi dhe të gjithë qytetarëve të tij, gjithashtu dua te falënderoj edhe te gjithë qytetaret e Malit te Zi që më kanë dhënë besimin e tyre”, tha ai.

Ai shtoi se e pranoj këtë gjykim të publikut demokratik të Malit të Zi dhe i uron Malit të Zi çdo të mirë, por gjithashtu uroi që presidenti i ri të jetë i denjë për besimin që ka fituar dhe të jetë i suksesshëm dhe të kontribuojë më tej në prosperitetin demokratik dhe ekonomik të Malit të Zi.

Në Mal të Zi është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, ku votuan 70.7 për qind e votuesve ose rreth 383.300 qytetarë.

Jakov Milatoviç – fitues i zgjedhjeve presidenciale në Malin e Zi

Kandidati i lëvizjes “Evropa Tani” për president të Malit të Zi, Jakov Milatoviç, doli fitues në zgjedhjet presidenciale të së dielës në vendin e vogël Ballkanik, që po kalon një periudhë krizash politike.

Qendra për Tranzicionin Demokratik tha se 58.9 për qind e zgjedhësve votuan për z. Milatoviç, ndërsa presidenti aktual, Milo Gjukanoviç fitoi 41.1 për qind të votave.

Duke shpallur fitoren në selinë e lëvizjes së tij në Podgoricë, Jakov Milatoviç, 37 vjeçar, tha se kjo “është nata që kemi pritur për më shumë se 30 vjet”.

Milo Gjukanoviç, 61 vjeç, i cili ka shërbyer herë si kryeministër e herë si president i Malit të Zi për 33 vjet, pranoi humbjen duke e uruar zotin Milatoviç.

"Mali i Zi bëri një zgjedhje dhe unë e respektoj atë. Le të jetë një president i suksesshëm. Nëse është kështu, edhe Mali i Zi do të jetë një vend i suksesshëm”, tha zoti Gjukanoviç.

Përkrahësit e Milatoviçit janë mbledhur nëpër qytetet e Malit të Zi dhe para selisë të Lëvizjes “Evropa tani”, duke festuar fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale.

Ithtarët e tij valëvisin flamurin trengjyrësh serb, flamurin malazez, duke kënduar këngë nacionaliste serbe.

Zoti Milatoviç është zotuar gjatë fushatës për të forcuar lidhjet me Bashkimin Evropian por edhe me Serbinë fqinje.

Brenda pesë viteve të ardhshme, ne do ta udhëheqim Malin e Zi në Bashkimin Evropian", tha ai duke kremtuar fitoren.

Kryeministri i Malit të Zi në mandatin teknik, Dritan Abazoviq, përgëzoi zotin Milatoviç për “zgjedhjen e tij si presidenti i parë evropian në historinë e Malit të Zi! Misioni ka përfunduar. Mali i Zi ka një të ardhme të ndritur. Ne do të punojmë së bashku për një shtet evropian, civil dhe ekologjik", shkroi ai në rrjetet sociale.

Jakov Milatoviç, i cili ishte ministër i ekonomisë në qeverinë që mori pushtetin pas protestave fetare pro-serbe në vitin 2020, bashkëthemeloi lëvizjen “Evropa Tani” në qershor të vitit 2022.

Milo Gjukanoviç, udhëheqës i Partisë Demokratike të Socialistëve dhe president aktual i Malit të Zi, është kritikuar nga kundërshtarët e tij për korrupsion, nepotizëm dhe lidhje me krimin e organizuar në vendin me rreth 620 mijë banorë.

Qeveria e Malit të Zi e kryesuar nga kryeministri Dritan Abazoviq e humbi votëbesimin gushtin e vitit të kaluar dhe qeveria ka tani një mandat teknik.

Pas rrëzimit të kësaj qeverie, Fronti Demokratik, partia më e madhe e koalicionit qeverisës, e cila njihet për qëndrimet e saj pro-ruse dhe pro-serbe, propozoi për kryeministër kandidatin e saj, Miograd Lekiç. Presidenti Gjukanoviç e kundërshtoi këtë kandidaturë dhe propozoi zgjedhje të reja.

Kjo nxiti parlamentin të ndryshonte Ligjin për Presidentin, duke i hequr atij disa kompetenca, për ta bërë të mundur zgjedhjen e kryeministrit nga parlamenti, pa patur nevojë për miratim nga presidenti. Komisioni i Venecias, e kritikoi ligjin si në shkelje të Kushtetutës.

Ndërkohë presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç shpalli, zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare për 11 qershor të këtij viti.

Faktori ndërkombëtar në vazhdimësi ka shprehur shqetësimin për krizën e zgjatur politike në vend, bllokimin e institucioneve, polarizimin në rritje të shoqërisë dhe pamundësinë e autoriteteve për të gjetur një rrugëdalje nga kriza.

Milatoviç fiton zgjedhjet presidenciale

Jakov Milatoviç ka fituar zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi.

Me një rezultat të thellë me  60% të votave në raundin e dytë të zgjedhjeve ish-ministri i ekonomisë ka mundur presidentin aktual millo Gjukanovic.

I pari që i uroi fitoren ishte kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviç i cili u shpreh përmes një postimi në rrjetet sociale se tashmë malin e zi e pret një e ardhme e ndritur.

Jakov Milatoviç, është kandidati i lëvizjes evropa tani, parti e themeluar në qershor të vitit të kaluar.

Në programin e tij ai ka theksuar se dëshiron që mali i zi të anëtarësohet në be, megjithëse disa nga partitë që e kanë mbështetur kandidaturën e tij janë pro-ruse.

Qendra për Monitorim dhe Hulumtime: Milatoviq prin bindshëm me 60%, ndërsa Gjukanoviq 39.9%

Rezultatet preliminare në Mal të Zi kanë bërë të ditur se kandidati Jakov Milatoviq, prin bindshëm në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Qendra për Monitorim dhe Hulumtim ka njoftuar se 62.7 për qind të votave janë numëruar, dhe sipas tyre Milatoviq ka fituar 60.1 për qind të votave, ndërsa kandidati i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) Milo Gjukanoviq 39.9 për qind, raporton Vijesti.

Të dhënat nga CeMI bëjnë të ditur se pjesëmarrës në votime ishin 71 për qind.

Jakov Millatoviq është një politikan i ri 36 vjeçar nga Podgorica që i ka hyrë politikës vetëm tri vjet më parë kur u bë ministër i Ekonomisë dhe Zhvillimit Ekonomik në kabinetin e Zdravko Krivokapiqit, kryeministrit të përshkruar si pro-serb në Mal të Zi.

Politikani i ri malazez që mund të bëhet president ka avokuar haptas për lidhje më të forta mes Malit të Zi dhe Serbisë.

Lëvizja e Milatoviq e shpall fitoren: Ia dolëm, i kemi rreth 62 përqind të votave

Lëvizja Evropa në Malin e Zi e Jakov Milatoviq e ka shpallur fitoren pasi rezultatet preliminare tregojnë se MIlatoviq ka fituar mbi 60 për qind të votave.

Siç u tha në konferencë për media presin një shumicë bindëse dy të tretash të Milatoviqit në Pljevlje, Berane, Kolashin, Andrijevica.

Në rajonin qendror, Milatoviq prin bindshëm në Podgoricë, ku presim që në fund të ketë dyfishin e Gjukanoviqit. Në Nikshiq avantazhi do të jetë më shumë se 10 mijë vota, në Danilovgrad mbi 70 për qind të votave janë parashikuar për Milatoviqin. Presim një fitore bindëse te Zeta”, tha Pejoviq në media, përfaqësues i kësaj lëvizjeje.

Në rajonin jugor, siç shprehet ai, Milatoviqi është “bindshëm prijës”.

Siç ka njoftuar Pejoviq, Gjukanoviq ka përparësi në Rozhajë, Plavë, Tuzi, Gusinje, Petnjicë, Ulqin, Tuzi dhe në Cetinje.

Ai kërkoi nga të gjithë qytetarët që të festojnë me dinjitet dhe “të ruajmë paqen”.

Kështu Milatoviq është afër që t’ia marrë pozitën Milo Gjukanoviqit.

​CEMI: Milatoviq ka marrë 60 për qind të votave, Gjukanoviq 40 për qind

Presidenti aktual dhe kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Milo Gjukanoviq, fitoi 39,4 vota, ndërsa kandidat i Lëvizjes Evropa Tani, Jakov Milatoviq, 60,6 vota. Këto janë të dhëna të bazuara në materialin e parë të përpunuar, të shpallur nga CEMI.

Projeksionet janë publikuar nga CEMI në faqen e saj të internetit.

Përfaqësuesja e CEMI-t, Ana Neneziq vlerësoi se rezultatet nuk do të ndryshojnë në mënyrë drastike.

Sot në Mal të Zi është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve të rregullta presidenciale.

Qendrat e votimit u hapen në orën 07:00 dhe janë mbyllur në orën 20:00.

Të drejtë vote kishin 542.154 votues.

Vlerësime paraprake janë bërë të ditura edhe nga Qendra për Tranzicion Demokratik.

​Mbyllen qendrat e votimit në Mal të Zi, votuan mbi 70 për qind

Në Mal të Zi është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, ku votuan 70.7 për qind e votuesve ose rreth 383.300 qytetarë.

Në raundin e dytë kanë marrë pjesë kandidatët e Partisë Demokratike të Socialistëve dhe Lëvizjes Evropa tani, Milo Gjukanoviq dhe Jakov Milatoviq.

CDT njoftoi se në raundin e dytë të zgjedhjeve votuan 70.7 për qind e votuesve ose rreth 383.300 qytetarë, që i bije se pjesëmarrja ishte më e lartë me 7.7 për qind, krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve të 19 marsit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat