LIVE: Ngritet alarmi/ Ekspertët britanikë tregojnë skenarin kur Putin do të përdorë armët bërthamore - Ukrainasit shpartallojnë tanket ruse

Evropë

LIVE: Ngritet alarmi/ Ekspertët britanikë tregojnë skenarin kur Putin do të përdorë armët bërthamore - Ukrainasit shpartallojnë tanket ruse

Më: 8 prill 2023 Në ora: 08:32 Përditësuar në ora: 20:20 më 08.04.2023
Pamje nga lufta në Ukrainë

Tanket ruse shpartallohen në mes të fushëbetejës

Ukraina po vazhdon ofensivën ndaj caqeve ruse në qytetin Bakhmut.

Kjo u pa edhe në pamjet e publikuara nga blogu Operativno ZSU në Twitter, ku Ukraina i dogji disa tanke në një distancë të ngushtë, derisa e gjithë ngjarja po filmohej nga lartësia.

Kur artileria e Ukrainës qëlloi, tanku rus shpërtheu në pak sekonda nga flaka.

Nuk është bërë e ditur nëse në tanke pati ushtarë rusë.

Ekspertët britanikë tregojnë skenarin kur Putin do të përdorë armët bërthamore

Po bëhen 14 muaj që nga nisja e luftës në Ukrainë dhe fundi i saj nuk duket në horizont. Flitet shumë për hapjen e proceseve të paqes dhe dialogut, por nuk janë ndërmarrë hapa të vendosur për të arritur atë mirëkuptim të dëshiruar.

Luftimet ndërkohë vazhdojnë në Ukrainë dhe hija e një sulmi të mundshëm bërthamor mbetet, me asnjë skenar të përjashtuar. Gjatë gjithë kësaj kohe, të gjithë analistët dhe ekspertët kanë studiuar se kur Rusia mund të ndërmerrte hapin fatal për përdorimin e armëve bërthamore dhe tani ekspertët e politikës së jashtme nga Chatham House, një institut me qendër në Londër, i dedikuar për analizën e çështjeve kryesore ndërkombëtare, zbulojnë se në çfarë pike mund të urdhërojë Vladimir Putini një “sulm bërthamor” kundër Ukrainës.

Sipas institutit londinez, Presidenti rus ka shumë të ngjarë të përdorë një “sulm të fuqishëm shkatërrues” nëse nuk arrin të fitojë luftën dhe në këtë mënyrë të shmangë “pranimin e humbjes së qartë”. Nga Chatham House kujtojnë gjithashtu se që nga fillimi i pushtimit, Putin ka paralajmëruar Perëndimin se do të “përdorë të gjitha mjetet” për të mbrojtur veten, një aludim që sugjeron përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore.

“Një sulm bërthamor mund të urdhërohet nëse nuk ka më asnjë shans për fitore konvencionale dhe një sulm i fuqishëm shkatërrues kundër Ukrainës shihet si mënyra e vetme për të shmangur pranimin e humbjes”, thotë Keir Giles, një ekspert për çështjet bërthamore.

Në këtë kuptim, Giles shton: “Një ose më shumë sulme bërthamore mund të jenë pjesë e një reagimi thjesht për të shkaktuar mjerim dhe shkatërrim në Ukrainë, në njohjen e dështimit të Rusisë për ta pushtuar atë. Arsyeja është se nëse Rusia nuk mund ta ketë Ukrainën, askush nuk mund ta ketë”.

Së fundi, në lidhje me përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, diçka që duket e largët dhe si mjet i fundit, Giles kujton pushtimin e Ukrainës, një aspekt që shumë aktorë ndërkombëtarë nuk e kishin menduar deri në momentin e fundit.

Tjetër sulm në Krime, forcat ruse rrëzojnë raketën ukrainase

Një raketë e lëshuar nga Ukraina u rrëzua mbi Feodosiya në bregun lindor të Krimesë. Lajmi u bë i ditur nga kreu i republikës së diskutueshme të Krimesë, Sergej Aksyonov, në kanalin e tij Telegram, sipas raporteve nga agjencia ruse e lajmeve Tass.

“Një raketë e lëshuar nga Ukraina u rrëzua mbi Feodosia,” tha ai.

Mbetjet nga raketa e rrëzuar ranë në një vendbanim të Krimesë, por nuk shkaktuan lëndime apo dëme, tha Kryuchkov.

Gjatë javëve të fundit, Ukraina ka tentuar vazhdimisht të sulmojë infrastrukturën e Krimesë me dronë.

Autoritetet ukrainase: Rusia po përgatit të evakuojë me dhunë qytetarët nga Krimea

Rusia ka intensifikuar përgatitjet për evakuimin e detyruar të civilëve nga rajonet e pushtuara të Ukrainës jugore në Krime, pretendon ushtria ukrainase.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës njoftoi në Telegram se zyrtarët e emëruar nga Rusia po merrnin në pyetje dhe kontrollonin popullsinë vendase në Melitopol dhe Skadovsk.

Ai pohon se kanë kontrolluar nëse kanë pasaportë ruse, nëse janë të regjistruar dhe çfarë niveli arsimor kanë, raporton skynews.

“Autobusët me ata që duan të evakuohen largohen nga ato zona. Okupatorët po përhapin informacione se evakuimi i detyruar i popullatës civile do të fillojë në fund të prillit”, thotë Stozer.

Dje, ushtria ukrainase deklaroi se Rusia po përdor metoda të dhunshme ndaj civilëve, ku po i detyron që të pajisen me pasaporta ruse.

Ndryshe, Ukraina thuhet se do të nis një kundërofensivë ndaj rusëve, e cila përfshin edhe territoret e pushtuara të Krimesë që është nën kontrollin e Rusisë prej vitit 2014.

Blinken zbuloi dy synimet kryesore të aleatëve në Ukrainë

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken njoftoi një kundërsulm të mundshëm të ukrainasve ndaj forcave ruse.

Në një intervistë për gazetën franceze “Ouest-France“, ai pohoi se për shumë miq dhe partnerë të ukrainasve, përfshirë SHBA-në, kemi dy synime në Ukrainë.

“Qëllimi i parë është të bëjmë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar Ukrainën të rifitojë territoret e pushtuara prej Rusisë, duke mbështetur një kundërofensivë, e cila pritet në javët e ardhshme”, tha Blinken.

Sipas tij, qëllimi i dytë është të ndihmojë Ukrainën “të ndërtojë kapacitetet e saja afatmesme dhe afatgjata për të penguar çdo agresion” dhe “të mbrohet nëse, megjithatë, ndodh një agresion i ri”.

Sekretari amerikan i Shtetit tha se derisa Rusia të ndryshojë kursin, SHBA dhe aleatët e saj duhet “të ruajnë presionin e paprecedentë që shumë vende kanë nisur kundër Rusisë me sanksione dhe kontrolle të eksporteve”.

Kur u pyet nëse SHBA do ta mbështesë Kievin për çlirimin e Krimesë dhe Donbasit, Sekretari amerikan i Shtetit u përgjigj se përgjegjësia për një vendim të tillë i takon Ukrainës dhe se amerikanët, së bashku me shumë vende të tjera, do të mbështesin në përpjekjet e Ukrainës.

Ndryshe, Këshilli i Mbrojtjes i Ukrainës ka bërë të ditur se maksimumi pesë persona në planet e dinë se kur do të fillojë kundërofensiva. 

Instituti amerikan për Studimin e Luftës: Rusët po i frikësohen një kundërsulmi të Ukrainës

Përgjigja e blogerëve ushtarakë rusë ndaj rrjedhjes së dokumenteve të klasifikuara të SHBA-së në internet thekson “frikën e vazhdueshme” të tyre ndaj një kundërofensive të mundshme ukrainase, ka thënë një institut kërkimor me bazë në SHBA.

Instituti për Studimin e Luftës tha se milblogerët rusë kanë “reaguar me ankth spekulativ” ndaj dokumenteve të raportuara që ofrojnë një pamje të pjesshme të luftës dhe vlerësime të aftësisë ushtarake të Ukrainës.

ISW shtoi se ndërsa disa blogerë të shquar “e hodhën poshtë vlefshmërinë” e dokumenteve, duke sugjeruar se ato ishin false, ata gjithashtu “fiksuan mundësinë” se ato përmbajnë dezinformata nga Ukraina “që synojnë të ngatërrojnë dhe mashtrojnë komandën ushtarake ruse” përpara një ofensive.

“Storia e The New York Times ka zbuluar një pikë të ndjeshme në hapësirën informative ruse”, njoftoi instituti.

ISW shtoi se pas rrjedhjeve të supozuara, milblogerët rusë “mund të jenë duke rishqyrtuar gjithnjë e më shumë vlefshmërinë e vlerësimeve të tyre” kur bëhet fjalë për kundërofensivat e mundshme ukrainase.

Ndryshe, Këshilli i Mbrojtjes i Ukrainës ka bërë të ditur se maksimumi pesë persona në planet e dinë se kur do të fillojë kundërofensiva. 

Rusët refuzojnë ofertën e ukrainasve për shkëmbimin e të burgosurve myslimanë për nder të Ramazanit

Me rastin e Ramazanit, muajit të shenjtë për të gjithë myslimanët, Ukraina i ofroi Rusisë shkëmbimin e të gjithë robërve të luftës që i përkisnin religjionit Islam, por mori përgjigje negative nga Rusia.

Sipas Daria Zarivna, Këshilltare e Komunikimit e Shefit të Zyrës së Presidentit të Ukrainës, rusët nuk ishin të interesuar për shkëmbim.

“Ne dolëm me një propozim për shkëmbimin e të burgosurve myslimanë në një format ‘të gjithë për të gjithë’ nga të dyja palët si shenjë respekti për kulturën dhe traditat e tyre. Fatkeqësisht, pala ruse e hodhi poshtë këtë ide”, tha ajo.

Sipas saj, kjo nismë është një nga shumë zgjidhjet kreative që negociatorët ukrainas ofrojnë për shkëmbimin e të burgosurve, raporton zeriamerikes në gjuhën ukrainase.

Që nga data 11 mars e vitit 2022, Shtabi Koordinues për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës ka kryer gjithsej 39 shkëmbime, sipas Zyrës së Presidentit.

Gjithsej 1,993 persona u liruan, duke përfshirë 184 gra dhe 107 fëmijë. Shkëmbimi i fundit u bë më 3 prill. 12 ukrainas të tjerë u kthyen në shtëpi nga Rusia.

Rusët akuzohen për rrjedhjen e dokumentave sekrete mbi luftën në Ukrainë

Dokumentet e klasifikuara që kanë të bëjnë me planifikimin e SHBA-së dhe NATO-s në lidhje me luftën në Ukrainë janë shfaqur në mediat sociale, duke bërë që zyrtarët në Uashington të përpiqen t'i heqin ato nga Twitteri dhe platforma të tjera online.

Zyrtarët në Kiev, ndërkohë, paralajmëruan se dokumentet u ndryshuan nga rusët, pjesërisht për të mbuluar masën e vërtetë të viktimave të pësuar nga forcat e Moskës dhe për të rritur numrin e ukrainasve që ata vranë.

Fotografitë e dokumenteve të etiketuara "tepër sekret" dhe "sekret", u postuan në Twitter dhe Telegram ditët e fundit. Dosjet përfshijnë grafikë dhe harta që tregojnë vendndodhjet e forcave ushtarake dhe armatimit në Ukrainë që nga 1 marsi dhe duket se janë shpërndarë në internet që në atë ditë.

Lajmin e plotë lexojeni KETU

Putin pret ambasadorët e rinj të BE dhe SHBA në pallatin e Kremlinit, por qëndron 60 metra larg tyre, ja çfarë thotë

Vladimir Putin qëndroi rreth 60 metra larg diplomatëve gjatë një takimi me ta në Moskë.

Putin, 70 vjeç, gjatë takimit me Këshillin e Sigurisë së Rusisë, u prezantua me 17 ambasadorë të rinj që vijnë nga shtetet e Bashkimin Evropian dhe SHBA-ja.

Por për diplomatët brenda sallës së zbukuruar “Alexander Palace” të Kremlinit, presidenti mezi shihej.

Putin tha se nuk mund të takohej me të dërguarit për shkak të “kufizimeve sanitare”.

“Por unë jam i sigurt se do ta kemi mundësi që të takohemi gjatë kohës sa jeni këtu. Unë ju uroj gjithë të mirat”, tha ai.

Në ceremoninë e kredencialeve morën pjesë Roland Galharague, përfaqësues i BE-së, si dhe ambasadorë të rinj të shteteve të NATO-s, Norvegjisë dhe Danimarkës.

Midis diplomatëve ishte ambasadorja e SHBA-së në Rusi, Lynne Tracy, gruaja e parë që mban ndonjëherë këtë post që nga emërimi i saj dhjetorin e kaluar.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov theksoi se Putini nuk ka dashur ta veçonte ambasadoren amerikane pasi “marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, nga të cilat varet drejtpërdrejt siguria dhe stabiliteti global, janë në një krizë të thellë. Ai bazohet në qasje thellësisht të ndryshme për formimin e rendit botëror modern”.

Duke jetuar nën karantinë të rreptë personale gjatë katër viteve të fundit, Putin thuhet se ‘është bërë paranojak’.

Gleb Karakulov, 35 vjeç, i cili shërbeu si kapiten në Shërbimin Federal të Mbrojtjes (FSO), tha se ‘krimineli i luftës’ është një person i vetmuar dhe i frikësohet gjer në palcë infektimit me coronavirus.

Shëndeti i Putinit ka qenë prej kohësh një temë e nxehtë e spekulimeve, nga fjalimet e anuluara deri te kolla e herëpashershme.

Zyrtarët e inteligjencës perëndimore, megjithatë, kanë hedhur poshtë thashethemet e vjetra se lideri rus nuk është mirë.

Ukraina fut në “sherr” vendet e NATO, ja pse SHBA dhe Gjermania refuzojnë anëtarësimin e saj

Shtetet e Bashkuara, së bashku me Gjermaninë dhe Hungarinë, kundërshtojnë synimet e vendeve të tjera anëtare të NATO-s për t'i ofruar Ukrainës një 'hartë’ për t'u bashkuar me Aleancën Atlantike në samitin e Vilniusit dhe një deklaratë mbështetjeje për hyrjen e saj të ardhshme në Aleancë.

Një sinjal i qartë që tregon ndarjet e Perëndimit mbi statusin e Kievit të pasluftës. Kështu ka shkruar Financial Times, duke cituar katër burime diplomatike që kanë marrë pjesë në negociata. Ata kanë konfirmuar ka pasur një debat të nxehtë mes ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel ditët e fundit mbi atë që saktësisht duhet t'i ofrohet Ukrainës.

Megjithatë, sipas burimeve të Financial Times, Shtetet e Bashkuara, si dhe Gjermania dhe Hungaria e kundërshtojnë këtë propozim.

Lexo edhe: Zbulimi i dokumenteve sekrete të NATO-s, zhvillime të papritura në Ukrainë – Rusia reagon ndaj ‘shuplakës’ së Kinës

"Ne kemi disa javë negociatash të vështira përpara nesh për të mbushur këto boshllëqe dhe për të krijuar një rezultat politik," tha njëri prej tyre. Diplomatët thanë se të gjithë 31 anëtarët e NATO-s duket se kanë rënë dakord se, në afat të shkurtër, anëtarësimi i Ukrainës nuk është një opsion realist, dhe se kjo çështje duket se do të jetë burim konflikti.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se beson se në samitin në Vilnius, Aleanca duhet të ofrojë hapa të mëtejshëm për anëtarësimin e Ukrainës, në veçanti, garanci strategjike të sigurisë në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik. Ukraina aplikoi për anëtarësim në NATO në shtator, menjëherë pasi presidenti rus Vladimir Putin njoftoi aneksimin e katër provincave të Ukrainës. Finlanda u bë anëtarja më e re e aleancës të martën, pasi pushtimi i Ukrainës bëri që të braktiste neutralitetin e saj historik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat