Burg, helm dhe internim, “çmimi” që paguajnë ata që kundërshtojnë Putinin, ja pse rusët kanë frikë të ngrenë zërin

Evropë

Burg, helm dhe internim, “çmimi” që paguajnë ata që kundërshtojnë Putinin, ja pse rusët kanë frikë të ngrenë zërin

Më: 18 prill 2023 Në ora: 22:01
Vladimir Putin

Presidenti Vladimir Putin është i pakundërshtueshëm në Rusi. Shumë nga zërat kritikë që dikur folën kundër tij, sot ose janë në mërgim, ose në burg, ose nën dhe. Mikhail Khodorkovsky, dikur kreu i gjigantit rus të naftës Yukos, u arrestua në vitin 2003 dhe kaloi 10 vjet burg për evazion fiskal dhe vjedhje pasi financoi partitë opozitare.

Pas lirimit, ai u largua nga Rusia. Boris Berezovsky, një tjetër oligark që madje ndihmoi në ardhjen e Putinit në pushtet, u konfliktua me të më vonë dhe vdiq në mërgim në Britani në 2013, ndonëse thuhet se u vetëvra. 

Deri tani, figura më e shquar e opozitës në Rusi është Alexei Navalny, i cili ka akuzuar Putinin nga burgu se synon të njollosë qindra mijëra njerëz me luftën e tij.

Në gusht 2020, Navalny u helmua dhe duhej të dërgohej në Gjermani për trajtim. Kthimi i tij në Rusi në janar 2021 përkoi me arrestimin e tij dhe tani po vuan nëntë vjet burg. Shumë nga bashkëpunëtorët e tij janë nën presion nga shërbimet e sigurisë dhe disa janë arratisur jashtë vendit, përfshirë këtu krahun e tij të djathtë Leonid Volkov.

Një tjetër kritik kryesor i Putinit pas hekurave ruse është Ilya Yashin, i cili ka qenë kritik i ashpër ndaj luftës së Rusisë, që u dënua me 8 vjet burg, vetëm për një video në YouTube. I fundit në listën e “të pafatëve” është gazetari dhe aktivisti i arsimuar në Kembrixh, Vladimir Kara-Murza, 2 herë viktimë e një helmimi misterioz. Ai u arrestua në prill 2022 pas kritikave të tij për pushtimin rus të Ukrainës. Akuzohet për ndarjen e "lajmeve të rreme" për ushtrinë ruse dhe tradhti, dhe dje u dënua me 25 vjet burg. Ndaj nuk është aspak çudi pse rusët vazhdojnë ta “duan” Putinin. Ata nuk duan atë, duan jetën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat