Aeroplanët gjermanë dhe britanikë pengojnë tre aeroplanë rusë mbi Detin Baltik

Evropë

Aeroplanët gjermanë dhe britanikë pengojnë tre aeroplanë rusë mbi Detin Baltik

Më: 26 prill 2023 Në ora: 09:48
Foto ilustrim

Forcat ajrore gjermane thanë të mërkurën se tre aeroplanë ushtarakë rusë, të cilët po fluturonin pa pajisje për transmetimin e sinjaleve, janë penguar në hapësirë ajrore ndërkombëtare mbi Detin Baltik.

Gjermania dhe Britania dërguan aeroplanë të tipit “Eurofighter” për të identifikuar dy aeroplanë të tipit “Sukhoi Su-27” dhe një të tipit “Illyushin Il-20”, thanë forcat ajrore gjermane.

Këto forca publikuan edhe disa fotografi të aeroplanëve rusë gjatë fluturimit, raporton agjencia “Reuters”.

Aeroplanët ushtarakë rusë rregullisht fluturojnë nga pjesa kryesore e territorit rus drejt Kaliningradit dhe kthehen prapa, që do të thotë se fluturimet e tilla janë goxha të rëndomta në atë rajon.

Këtë muaj, Gjermania ia dorëzoi përgjegjësinë Britanisë për misionin e patrullimit të qiellit mbi Detin Baltik. Aleatët e NATO-s angazhohen për ta mbrojtur hapësirën ajrore në atë zonë, sepse Lituania, Letonia dhe Estonia nuk kanë aeroplanë luftarakë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat