Turqi, Erdogan shfaqet online pas problemesh shëndetësore

Evropë

Turqi, Erdogan shfaqet online pas problemesh shëndetësore

Më: 27 prill 2023 Në ora: 21:04
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan inauguroi të enjten një central bërthamor, duke bërë një paraqitje online të tij, në një aktivitet të organizuar me këtë rast.

Kjo është shfaqja e parë publike e zotit Erdogan pas një problemi shëndetësor, që pësoi gjatë një aktiviteti që po transmetohej drejpërdrejt në televizor. Zoti Erdogan u detyrua ta anulojë fushatën për disa ditë dhe u përpoq të largonte shqetësimet lidhur me shëndetin, ndërsa afron procesi zgjedhor i 14 majit, vendimtar për fatin e tij politik.

Udhëheqësi turk 69-vjeçar dukej i zbehtë, i ulur në një tavoline të rrethuar nga anëtarë të kabinetit, ndihmës dhe aleatë politikë, ndërsa kryesonte aktivitetin që shënoi dorëzimin e sasisë së parë të lëndës djegëse në centralin bërthamor ‘Akkuyu’, të ndërtuar nga Rusia në pjesën jugore të Turqisë.

Zoti Erdogan, i cili ka qeverisur Turqinë prej dy dekadash, anuloi tubimet elektorale të së mërkurës dhe së enjtes, pasi sipas ministrit të shëndetësisë, ai u sëmur nga një infeksion në zorrën e trashë.

Zyrtarët turq mohuan zërat në internet se zoti Erdogan, i cili i është nënshtruar një operacioni në zorrë në vitin 2011, vuante nga një sëmundje e rëndë dhe ishte shtruar në spital.

“Hedhim poshtë kategorikisht pretendime të tilla, e të pabaza, në lidhje me shëndetin e Presidentit (Erdogan)”, shkruante në rrjetin Twitter Fahrettin Altun, me zyrën e presidentit për shtypin.

Ministri i Shëndetësisë, Dr. Fahrettin Koca, tha se zoti Erdogan po e merrte veten.

“Isha me të këtë mëngjes. Gjendja e tij shëndetësore është e mirë”, tha zoti Koca të enjten. "Efekti i infeksionit është ulur. Ai do të vazhdojë me axhendën e tij".

Zoti Erdogan, i cili do të kandidojë për një mandat të tretë si president, ka bërë një fushatë të fortë duke marrë pjesë në disa aktivitete në ditë, pasi përballet me një sfidë të vështirë në zgjedhjet e 14 majit. Sondazhet e fundit tregojnë për një epërsi të lehtë të sfiduesit kryesor të zotit Erdogan, udhëheqësi i opozitës së qendrës së majtë, Kemal Kilicdaroglu, i cili mbështetet nga Aleanca e Kombit, një grupim prej gjashtë partish politike.

Zoti Kilicdaroglu dhe anëtarë të tjerë të Aleancës i kanë uruar shërim të shpejtë zotit Erdogan.

Gjatë paraqitjes online, zoti Erdogan tha se ishte "krenar që ndërmerrte hapa për ta vendosur Turqinë mes vendeve të botës që disponojnë kapacitete bërthamore".

Në ceremoni u shfaq po nëpërmjet lidhjes me video edhe Presidenti rus Vladimir Putin. Ai e cilësoi centralin "projektin më të madh në historinë e lidhjeve turko-ruse".

Me aktivitetin e së enjtes, ‘Akkuyu’ u bë zyrtarisht centrali i parë i energjisë bërthamore në Turqi, edhe pse ndërtimi i tij po vazhdon. Pasi të përfundojë ai pritet të sigurojë rreth 10% të nevojave të Turqisë për energji elektrike.

Centrali, i cili po ndërtohet nga kompania shtetërore ruse e energjisë bërthamore ‘Rosatom’, ndodhet 338 kilometra në perëndim të epiqendrës së tërmetit shkatërrues që goditi Turqinë në muajin shkurt, duke shkaktuar vdekjen e 48,000 personave.

Centrali nuk u dëmtua dhe po projektohet për të përballuar tërmete të fuqishme. Megjithatë, vendi ku po ndërtohet ka ngritur shqetësime pasi gjendet në një zonë sizmike, përgjatë vijës ku takohen pllakat teknonike, pranë Qipros.

“Nuk i harrojmë mijëra viktima të shkaktuara nga tërmeti me magnitudë 7.8 më 6 shkurt të vitit 2023”, thuhet në një deklaratë nga Platforma Anti-Bërthamore e Qipros, një grup prej dhjetëra organizatash greko-qipriotë dhe turko-qipriotë. “Për vite jemi shprehur kundër këtij projekti që mund të rezultojë me pasoja të rënda për mjedisin dhe sigurinë e të gjithë Mesdheut lindor”.

Kjo ishte ceremonia më e fundit në një seri projektesh të infrastrukturës dhe të mbrojtjes, që zoti Erdogan ka zhvilluar në përpjekje për të rritur mbështetjen në zgjedhje. Përmes një ceremonie javën e kaluar, ai shënoi dërgesën e parë të gazit natyror të zbuluar në Detin e Zi dhe njoftoi planet për të ofruar gaz natyror falas për familjet për një muaj.

Zoti Erdogan ishte kryeministër nga viti 2003 deri në vitin 2014 dhe që nga ajo kohë ai ka shërbyer në postin e presidentit. Ai është kritikuar për qeverisjen e tij gjithnjë e më autoritare, mënyrën se si e ka trajtuar ekonominë dhe inflacionin e shfrenuar gjatë viteve të fundit, si dhe për trajtimin e situatës së krijuar nga tërmeti.

Të enjten, rreth 3.4 milionë shtetas turq që jetojnë jashtë vendit filluan të votojnë për zgjedhjen e presidentit dhe anëtarëve të parlamentit. Ndër grupet më të mëdha në votimet e diasporës janë rreth 400,000 turq në Francë dhe 1.5 milionë në Gjermani, që mund të hedhin votat deri më 9 maj. Nëse asnjë kandidat nuk merr votat e duhuara dhe nevojitet një balotazh më 28 maj, votimi për diasporën do të zhvillohet mes datave 20-24 maj.

Një votuese në Berlin, që u identifikua si Fatma tha: “Erdogani është i fortë. Ne e mbështesim atë”. Komenteve u bëri jehonë edhe votuesja 39-vjeçare Ozlem Dinc, e cila ishte mes rreth 330 pjesëtarëve të diasporës turke që prisnin në rresht për të votuar jashtë Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Paris.

“Ne shpresojmë nga thellësia e zemrës se ai do të vijë sërish në pushtet dhe se do të sundojë gjithë botën”, tha ajo. Votues të tjerët në Paris ishin kritikë ndaj zotit Erdogan dhe ndryshimeve që ai ka bërë.

“Duhet të ndryshojmë fillimisht presidentin dhe më pas sistemin”, tha Sema Jude. “Sistemi presidencial në Turqi nuk është demokratik dhe është si një diktaturë”.

Cinar Negatir tha se presidenti duhet ndryshuar, por për arsye të tjera. “Po për ndryshimin e presidentit, sepse ekonomia është 0%”, tha ai. “Kjo është arsyeja se pse ne votojmë për ndryshimin e presidentit”.

Atmosfera jashtë konsullatës ishte e qetë, me mbështetësit dhe kundërshtarët e zotit Erdogan që diskutonin pikëpamjet e tyre ndërsa prisnin për të votuar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat