Takimi i Këshillit të Evropës në Islandë – Britania ofron siguri ajrore

Evropë

Takimi i Këshillit të Evropës në Islandë – Britania ofron siguri ajrore

Më: 14 maj 2023 Në ora: 22:29
Foto ilustrim

Islanda tha të dielën se një skuadrilje e Forcave Ajrore Britanike do të patrullojë qiellin e vendit nordik javën e ardhshme kur udhëheqësit nga e gjithë Evropa do të takohen në Reykjavik për të diskutuar sigurinë e kontinentit dhe mbështetjen për Ukrainën.

Marrëveshja për mbrojtjen e hapësirës ajrore, e nënshkruar nga të dy vendet, do të ofrojë siguri përpara, gjatë dhe pas takimit të Këshillit të Evropës, mbikëqyrësi kryesor i të drejtave të njeriut në kontinent, i cili do të mblidhet në Islandë më 16 dhe 17 maj.

Kryeministri britanik Rishi Sunak është ndër udhëheqësit e qeverive që do të marrin pjesë në mbledhjen e këshillit prej 46 vendesh. Marsin e vitit të kaluar Rusia u largua nga grupi, duke menjanuar një përjashtim të pritshëm lidhur me agresionin e saj në Ukrainë.

Takimi do të jetë ngjarja më e madhe ndërkombëtare që zhvillohet në Islandë, sipas qeverisë. Shteti ishullor në pjesën veriore të Atlantikut ka një popullsi prej 400,000 banorësh dhe nuk ka ushtri të rregullt apo forca ajrore.

Marrëveshja për sigurinë e hapësirës ajrore u arrit në koordinim me aleancën e gjerë të NATO-s, anëtarë të së cilës janë Islanda dhe Britania, tha në një deklaratë Ministria e Jashtme e Islandës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat