Ministri bullgar i Ekonomisë: Fondi Evropian i Mbrojtjes ofron mundësi të rëndësishme

Evropë

Ministri bullgar i Ekonomisë: Fondi Evropian i Mbrojtjes ofron mundësi të rëndësishme

Më: 23 maj 2023 Në ora: 17:04
Ministri i Ekonomisë dhe Industrisë së Bullgarisë, Nikolla Stojanov

Ministri i Ekonomisë dhe Industrisë së Bullgarisë, Nikolla Stojanov, u bëri thirrje kompanive dhe organizatave shkencore bullgare që të jenë aktive dhe të përfitojnë nga mundësitë e ofruara nga Fondi Evropian i Mbrojtjes.

Të martën, Stojanov hapi një ditë kombëtare informimi kushtuar Fondit Evropian të Mbrojtjes në Parkun Teknik të Sofjes.

Gjatë forumit u diskutuan kushtet për paraqitjen e projekt propozimeve nga ndërmarrjet bullgare.

Në forum morën pjesë përfaqësues të Komisionit Evropian, organizata kërkimore dhe industriale, akademi dhe biznese.

Ministri Stojanov shpjegoi se mundësitë që ofron Fondi janë shumë domethënëse dhe dha shembull me buxhetin e tij, i cili vetëm për periudhën 2021-2027 arrin në 8 miliardë euro. Gjithsej 2.7 miliardë euro nga shuma janë për kërkime shkencore, 5.3 miliardë euro janë të destinuara për produkte dhe teknologji në fushën e mbrojtjes. Vetëm për këtë vit, Fondi ka një buxhet prej 1.2 miliardë euro, ku 72 milionë euro nga fondet i drejtohen drejtpërdrejt vetëm ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, dhe 41 milionë euro të caktuara për financimin e zhvillimit të të ashtuquajturave "teknologji revolucionare". ".

Stojanov tha se kompanitë bullgare kanë marrë pjesë në projekte për zhvillimin e produkteve dhe teknologjive të mbrojtjes që nga viti 2018, kur u themelua Fondi. Në periudhën 2019-2021 janë financuar 11 kompani bullgare me afro 130 milionë leva, që e vendos Bullgarinë në vendin e 14-të mes anëtarëve të tjerë të Bashkimit Evropian. Rezultatet për vitin e kaluar janë ende pezull, tha ministri i Ekonomisë, por vuri në dukje se 25 kompani dhe organizata shkencore kanë aplikuar për financim.

“Ne duam t'ju inkurajojmë dhe jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka nga ana jonë për t'ju ndihmuar në këtë proces që të jeni më konkurrues kur aplikoni për financim”, tha ministri bullgar.

Fondi Evropian i Mbrojtjes është një instrument financiar i Komisionit Evropian për të nxitur bashkëpunimin midis kompanive të BE-së në fushën e mbrojtjes, universiteteve, instituteve shkencore e tjera, për të rritur kapacitetet e industrisë së mbrojtjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat