Gjermani, burokracia “mbyt” punëtorët: Procedura të gjata, vështirësohet mbërritja

Evropë

Gjermani, burokracia “mbyt” punëtorët: Procedura të gjata, vështirësohet mbërritja

Më: 12 qershor 2023 Në ora: 11:52
Foto ilustrim

Edhe pse Gjermania është përpjekur prej kohësh të tërheqë fuqi punëtore nga shumë vende të botës, kur vjen fjala tek vizat, burkoracia dhe formalitetet e udhëtimit e vështirësojnë shumë procesin.

Të interesuarve mund t’u duhet të presin për muaj me radhë që të marrin një orar për intervistë lidhur me aplikimin për vizë në ambasadën gjermane në Nju Delhi, thotë DW.

Specialisti i IT-së, Harshad Dev, i cili kaloi nëpër një situatë të tillë ndërsa sot jeton e punon në Berlin, ka hapur një kanal në Youtube përmes të cilit shpjegon se çfarë dokumentash duhen dhe cilat janë rrugët e mbërritjes në Gjermani, të cilën e përshkruan si “Amerikën e re”.

Mungesa e fuqisë punëtore vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha për ekonominë gjermane. Kreu i Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë, DIHK, Achim Dercks, thotë se presin që në vend të mbeten vakante rreth dy milionë vende pune.

Edhe ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil e quan të nevojshme tërheqjen masive të fuqisë së kualifikuar punëtore nga jashtë BE në vitet e ardhshme.

“Ne kemi nevojë deri në vitin 2035 për rreth shtatë milionë forca të kualifikuara punëtore shtesë,” ka thënë Heil.

Pesë profesionet më të kërkuara në vend vitin e kaluar ishin infermierët, shoferët, mjekët specialistë, punëtorët e ndërtimit dhe dadot. Sipas faqes së internetit Paylab, infermierët dhe teknikët në Gjermani fitojnë nga 1500 deri në 4300 euro bruto. Mjekët specialistë janë të radhës në listën e profesioneve deficitare në Gjermani. Një mjek që jeton vetëm në Gjermani fiton mesatarisht 4500 euro në muaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat