Ja dy lojtarët kyçë që do të luftojnë për të marrë pushtetin në Rusi

Evropë

Ja dy lojtarët kyçë që do të luftojnë për të marrë pushtetin në Rusi

Më: 15 qershor 2023 Në ora: 13:11
Vladimir Putin

Ukraina ka thënë se gjithçka nisi në Krime dhe do të përfundojë po në Krime. Ky mund të jetë triumfi më i madh i Ukrainës, pas shumë muajsh luftë, megjithatë për Rusinë do të ishte katastrofë. Rebelët rusë kanë thënë për “Express UK” se rimarrja e gadishullit do të paralajmërojë fillimin e marshimit të tyre drejt Moskës për të marrë pushtetin. Ata thanë gjithashtu se presin një luftë të përgjakshme me milicinë Wagner për të drejtën për të sunduar Rusinë pas Putinit, por hodhën poshtë mundësinë e përfshirjes së çeçenëve në luftën për fronin e Kremlinit. Bastisjet e fundit ndërkufitare në rajonin e Belgorodit të Rusisë nga milicitë anti-Putin dhe nisja nga Ukraina e kundërofensivës së saj të pritur me padurim, i ka bërë aktivistët anti-Putin të ndiejnë mundësinë reale të përmbushjes së qëllimeve të tyre politike.

Kolaps në Kremlin

Një nga aktivistët në Kongres ishte Alexey Baranovsky, një përfaqësues i Qendrës Politike për opozitën ruse anti-Putin në Kiev. Organizata e tij është e lidhur me Legjionin e Lirisë dhe rrjetet partizane brenda Rusisë, duke vepruar si një urë lidhëse midis luftëtarëve dhe botës së jashtme.

Baranovsky argumentoi se çelësi i përmbysjes së Putinit dhe regjimit të tij brutal do të ishte çlirimi i Krimesë nga Ukraina, duke pasur parasysh rëndësinë e tij jashtëzakonisht simbolike për Kremlinin dhe rusët në përgjithësi. Aktivisti anti-Putin tha se rimarrja e gadishullit do të nxiste një kolaps të institucioneve shtetërore në Rusi dhe do të krijonte një vakum politik, të cilin rebelët mund ta shfrytëzonin për të marrë pushtetin. Ai tha: “Zyrtarët dhe personeli i shërbimit të sigurisë do të kuptojnë se Putini po humbet pushtetin dhe do të vënë në dyshim nëse duan të vazhdojnë ta mbështesin atë dhe do të shqyrtojnë të gjitha opsionet, para të cilëve do të gjenden papritur”.

Dy lojtarët kyçë

"Ashtu siç e shoh unë, do të jenë dy lojtarë kryesorë në fushë në atë moment, Prigozhin me milicinë e tij Wagner dhe Legjioni, dy grupet ushtarake që do të luftojnë për pushtet”, tha ai, Sipas tij të gjithë të tjerët, shërbimet e sigurisë, ushtria, do të presin të shohin se çfarë do të ndodhë. Legjioni aktualisht përbëhet nga vetëm katër batalione, gjë që ngre dyshime serioze nëse ata kanë forcën ushtarake për të pushtuar Rusinë. Megjithatë, Baranovksy këmbëngul se nuk është çështje numrash, siç ka treguar historia e mëparshme revolucionare ruse.“Ajo që është e rëndësishme është që ka një vakum pushteti, kur pushteti është shtrirë në dysheme, gjithçka që duhet të bëni është ta merrni”, tha ai. Aktivisti politik, një ish-gazetar që mbuloi protestat e Maidan 2013 në Kiev për gazetën ukrainase Kommersant, nuk beson se lideri çeçen Ramzan Kadyrov do të përfshihet në luftën për të pasuar Putinin. Ai mendon më tepër se Kadyrov do të kërkojë të sigurojë pavarësinë e plotë për Çeçeninë dhe të riorientojë vendin drejt qendrave islamike të pushtetit dhe shteteve të pasura me naftë që do të zëvendësojnë flukset e parave të Kremlinit dhe do të ndihmojnë në financimin e regjimit të tij.

Strategjia e rebelëve

Kremlini është tronditur nga bastisjet ndërkufitare të kryera nga Legjioni dhe Trupat Vullnetare Ruse gjatë dhjetë ditëve të fundit apo më shumë. Sipas inteligjencës rebele, bastisjet e kanë detyruar Putinin të vendosë rezervat e fundit të ushtrisë së tij brenda Rusisë, si dhe disa njësi nga fronti i Luhanskut në Ukrainë, në përpjekje për të marrë situatën nën kontroll. Baranovsky tha se rebelët janë të ndarë në grupe të vogla të cilët lëvizin në mënyrë shumë aktive rreth Belgorod Oblast, shfaqen në vende të papritura, kryejnë sulmet e tyre ndaj ushtrisë ruse dhe pastaj vazhdojnë përsëri. "Luftëtarët nuk qëndrojnë të vendosur në asnjë vend të vetëm - sepse kjo do ta bënte më të lehtë për ushtrinë ruse të përcaktojë se ku janë dhe t'i sulmojë ata. Është taktika e Davidit dhe Goliathit. Ushtria ruse është një Goliath i ngathët, i ngadaltë por i madh, ju duhet të luftoni me ushtrinë ruse duke përdorur ato taktika, të ndërroni shpejt pozicionet, të godisni papritur dhe pastaj të vazhdoni përsëri, si në boks: godit, largohu, godit, largohu”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat