Kievi plas skandalin e Orban: Po mban në izolim total të burgosurit e luftës që i dorëzoi Rusia

Evropë

Kievi plas skandalin e Orban: Po mban në izolim total të burgosurit e luftës që i dorëzoi Rusia

Më: 20 qershor 2023 Në ora: 13:36
Viktor Orban

Kievi akuzoi ditën e djeshme Budapestin për bllokimin e aksesit të saj ndaj të burgosurve ukrainas të luftës që Rusia ia dorëzoi Hungarisë pas ndërhyrjes së Kishës Ortodokse Ruse, pa dijeninë e autoriteteve ukrainase. “Të gjitha përpjekjet e diplomatëve ukrainas në ditët e fundit për të vendosur kontakte me këta shtetas ukrainas rezultuan të pasuksesshme”, shkroi në Facebook zëdhënësi i diplomacisë ukrainase, Oleg Nikolenko.

Të dorëzuar në Hungari më 8 qershor, ata njëmbëdhjetë shtetas ukrainas me origjinë hungareze "janë praktikisht në izolim, ata nuk kanë akses të hapur në informacion dhe komunikimi i tyre me të afërmit e tyre ndodh në prani të palëve të treta," vazhdoi Nikolenko. Një sjellje e tillë e Budapestit mund të cilësohet si shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, theksoi ai.

Nikolenko tha se Kievi "i kërkon edhe një herë" qeverisë hungareze që t'i lejojë konsullit ukrainas qasjen tek këta të burgosur të luftës në mënyrë që "të mund të përcaktohet gjendja e tyre fizike dhe psikologjike, të informohen për të drejtat e tyre dhe t'u sigurohet ndihma urgjente konsullore."

Grupi i arrestuar vjen nga Transcarpathia, një rajon në jugperëndim të Ukrainës, ku jeton një komunitet i rëndësishëm hungarez. Transferimi i tyre në Hungari u njoftua nga Kisha Ortodokse Ruse, e cila vepronte si ndërmjetëse. Ukraina shprehu keqardhjen që nuk u përfshi në procesin e negociatave. Kryeministri hungarez Viktor Orban mban kontakte me Kremlinin përkundër agresionit ndaj Ukrainës dhe vitet e fundit ka krijuar lidhje edhe me Kishën Ortodokse Ruse, shkruan agjencia France Presse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat