Pakti kundër Putinit përçan Evropën, polakët dhe italianët futen në sherr me Gjermaninë

Evropë

Pakti kundër Putinit përçan Evropën, polakët dhe italianët futen në sherr me Gjermaninë

Më: 21 qershor 2023 Në ora: 11:56
Foto ilustrim

Franca dhe Gjermania, një “dyshe e pandarë” e Evropës, lidhur me Rusinë dhe luftën e nisur nga Vladimir Putin në Ukrainë, kanë qenë më të përçara se kurrë. Dallime thelbësore midis Parisit dhe Berlinit i tregon edhe ideja e secilës se si të forcohet menjëherë mbrojtja ushtarake kundër Rusisë së Vladimir Putinit. Franca kundërshton një plan të udhëhequr nga Gjermania për të ndërtuar një sistem evropian të mbrojtjes ajrore. E gjithë kjo do të diskutohet më shumë në një konferencë mbi strategjinë e mbrojtjes ajrore në Paris, e cila filloi të hënën dhe ka për qëllim pjesërisht rikthimin e “vrullit” të iniciativës evropiane të “Sky Shield” të mbështetur nga Berlini. Ajo u organizua nga presidenti francez Emmanuel Macron në kuadër të panairit ajror në Paris dhe zyrtarët francezë e përshkruajnë si një forum diskutimi midis ministrave të mbrojtjes të BE-së, zyrtarëve ushtarakë të SHBA-së dhe NATO-s dhe drejtuesve të industrisë.

Thirrje alarmi

Kancelari gjerman Olaf Scholz zbuloi “Sky Shield” tetorin e kaluar për të krijuar një sistem evropian të mbrojtjes ajrore dhe raketore përmes prokurimit të përbashkët të pajisjeve, dhe që atëherë 17 vende e kanë nënshkruar, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, shtetet baltike, Suedinë dhe Finlandën. Pushtimi rus i Ukrainës dhe përdorimi intensiv i municioneve dhe raketave për sulme ajrore ishin një thirrje zgjimi se Evropa nuk mund të injoronte më mbrojtjen e saj ajrore. Por vende si Franca, Italia dhe Polonia kanë mbetur mënjanë, të gjitha për shkak të interesave kombëtare industriale, edhe pse buxhetet ushtarake rriten në të gjithë Evropën. Në një letër dërguar NATO-s vitin e kaluar, vendet pjesëmarrëse në “Sky Shield” ranë dakord për "zgjidhje pragmatike për të mundësuar përparim të shpejtë në mbrojtjen ajrore”.

Kritikat e Macron

Në Berlin, zyrtarët i konsiderojnë kritikat franceze si të pabaza.Parisi u befasua nga njoftimi dhe shtyu samitin franko-gjerman pjesërisht për të treguar pakënaqësinë e tij. Ndonëse zyrtarët francezë dhe gjermanë kanë shmangur kritikat publike të planeve të njëri-tjetrit, dallimet janë të dukshme në prapaskenë.Macron ka kritikuar “Sky Shield”, duke thënë se mbështetet shumë në sistemet e armëve të prodhuara jashtë Evropës. "Kur shoh disa vende që po rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes për të blerë masivisht sisteme jo-evropiane, unë thjesht iu them atyre: Ju po krijoni problemet e së nesërmes!”, tha presidenti francez. "Franca është e mërzitur që Sky Shield bazohet kryesisht në teknologjinë amerikane dhe izraelite ndërsa ekziston një alternativë evropiane dhe që projekti në fakt la jashtë Evropën jugore," tha Shahin Vallée, një ish-këshilltar i Macron që punon në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë. Një zyrtar tjetër francez theksoi rrezikun që investimi në sistemet e mbrojtjes ajrore mund të shkaktojë një garë të re armatimi me Moskën.

Rivaliteti me NATO-n

Në konferencë pritet të marrin pjesë rreth 20 zyrtarë në nivel ministror, së bashku me përfaqësues të NATO-s dhe SHBA-së. Asnjë marrëveshje specifike nuk pritet në konferencë. Por Macron pritet të flasë në mbyllje dhe Parisi mund të organizojëevente të ngjashme në të ardhmen. Një zyrtar i lartë perëndimor, vendi i të cilit është pjesë e nismës “Sky Shield” tha se nuk e kuptonte motivin e Francës me organizimin  e konferencës. "Është e vështirë të kuptosh pse francezët ndiejnë nevojën për ta bërë këtë", tha zyrtari. Brenda NATO-s, nisma “Sky Shield” shihet si një hap pozitiv drejt arritjes së ndërveprueshmërisë më të mirë dhe platformave të standardizuara të mbrojtjes, mungesa e të cilave është ekspozuar nga lufta në Ukrainë. Armët e vendeve shpesh nuk funksionojnë pa probleme së bashku dhe ushtritë nuk mund të furnizojnë gjithmonë aleatët e tyre.  

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se është e rëndësishme që “Sky Shield” të mos shihet si rivale e NATO-s apo BE-së. “Çdo gjë e re mund të integrohet në strukturën ekzistuese”, tha ai për “Financial Times”. “Ndaj ne nuk jemi konkurrentë të konferencës franceze në Le Bourget”, përfundoi Pistorius.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat