Opozita bjelloruse kundër pranisë së grupit Wagner: Paraqet kërcënim për vendin

Evropë

Opozita bjelloruse kundër pranisë së grupit Wagner: Paraqet kërcënim për vendin

Më: 29 qershor 2023 Në ora: 21:50
Foto ilustrim

Ndërsa jeta në Rusi u kthye në normalitet, pas një rebelimi të armatosur nga një grup mercenarësh, tensionet po rriten tek fqinji i saj Bjellorusia, ku sipas njoftimeve është vendosur tashmë udhëheqësi i mercenarëve, me një grup luftëtarësh të tij.

Lëvizja në Bjellorusi ishte pjesë e marrëveshjes që Kremlini bëri me Yevgeny Prigozhinin, kreun e kompanisë ushtarake private Wagner, për t'i dhënë fund rebelimit të fundjavës së kaluar që tronditi udhëheqjen ruse.

Yevgeny Prigozhin dhe luftëtarët e tij i shpëtuan ndjekjes penale pasi pranuan të ofertën për strehim në Bjellorusi nga presidenti autoritar Alexander Lukashenko, i cili tha se vendi i tij mund të shfrytëzonte përvojën dhe ekspertizën e tyre.

Ky vendim u kundërshtua nga opozita bjelloruse dhe aktivistët, të cilët i quajtën luftëtarët e Wagner-it "një kërcënim për popullin bjellorus dhe pavarësinë (e vendit)" dhe premtuan se do të ndërmerren veprime ndaj tyre.

"Ne jemi kategorikisht kundër vendosjes së mercenarëve rusë në Bjellorusi dhe po përgatisim një pritje 'të ngrohtë' për anëtarët e grupit Wagner në Bjellorusi", tha Aliaksandr Azarau, udhëheqës i grupit gueril “BYPOL”, i cili përbëhet nga ish-ushtarakë, në një intervistë telefonike me agjencinë e lajmeve Associated Press nga jashtë vendit.

Vendet fqinje baltike shprehën gjithashtu shqetësime ndikimin që vendosje e grupit Wagner në Bjellorusi do të ketë mbi sigurinë rajonale. Në një deklaratë të përbashkët të mërkurën, kryetarët e parlamenteve të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë i kërkuan Bashkimit Evropian ta shpallë grupin Wagner një organizatë terroriste.

“Shfaqja e grupit mercenar Wagner në Bjellorusi mund ta bëjë situatën e sigurisë në kufirin lindor të NATO-s dhe BE-së edhe më të pasigurt”, thuhet në deklaratë.

Presidenti Lukashenko tha se luftëtarët e grupit Wagner që nuk duan të jenë nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, një nga opsionet e ofruara atyre nga presidenti rus Vladimir Putin, mund të qëndrojnë në Bjellorusi “për ca kohë” me shpenzimet e tyre.

Ai tha se u kishte ofruar atyre "një objekt ushtarak të braktisur " për të ngritur kampin e tyre dhe premtoi se "do të ndihmonte me gjithçka që mundemi".

“Ne e shohim këtë çështje nga pikëpamja pragmatike. Pra, nëse komandantët e tyre vijnë tek ne dhe na ndihmojnë, ne do të përfitojmë nga përvoja e tyre”, tha zoti Lukashenko.

Ai nuk e specifikoi vendndodhjen e objektit, por zoti Azarau tha se një qendër për strehimin e mercenarëve të grupit Wagner është duke u ndërtuar në Osipovichi, një qytet 230 kilometra në veri të kufirit me Ukrainën. Për ndërtimin e këtij objekti janë angazhuar ushtarë bjellorusë.

Banorët e qytetit me 30 mijë banorë banorë i thanë agjencisë së lajmeve Associated Press se ishin të tronditur nga ky zhvillim.

"Ka pajisje ushtarake në rrugë dhe ushtarakë bjellorusë, të gjithë banorët po diskutojnë për ardhjen e anëtarëve të grupit Wagner dhe, sinqerisht, ne jemi në panik dhe nuk jemi të lumtur që do të jemi fqinjë me ta", tha përmes telefonit Inga, një mjeke 43-vjeçare në Osipovich.

“Unë kam vajza adoleshente. Si do të jetojmë pranë banditëve, vrasësve të falur dhe përdhunuesve?”, tha përmes telefonit një grua, e cila për arsye sigurie nuk pranoi të zbulonte identitetin e saj.

Kremlini premtoi të mos e ndiqte penalisht udhëheqësin e grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin për rebelimin nëse ai do të ndërpriste kryengritjen dhe do të vendosej në Bjellorusi.

Presidenti Lukashenko ka qenë aleati më i afërt i zotit Putin, duke lejuar Rusinë të përdorë Bjellorusinë për të dërguar trupa dhe armë në Ukrainë. Ai ka mirëpritur një prani të vazhdueshme ushtarake ruse në vend dhe vendosjen atje të disa prej armëve taktike bërthamore të Rusisë.

Por ai ka theksuar se luftëtarët e Prigozhinit "nuk do të ruajnë asnjë armë bërthamore".

Yevgeny Prigozhin mbërriti në Bjellorusi të hënën, tha Lukashenko, por vendndodhja e tij e saktë nuk dihet.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka minimizuar shqetësimet se duke u ndodhur në Bjellorusi, grupi Wagner do të përbënte kërcënim.

Ai tha se atje nuk ka gjasa të shkojë një numër i konsiderueshëm mercenarësh dhe shtoi se ushtria e Ukrainës beson se siguria përgjatë kufirit ukrainas do të mbetet "e pandryshuar".

Sipas grupit të pavarur të vëzhguesve ushtarak bjellorus, “Belaruski Hajun”, Prigozhini ëshët takuar disa herë gjatë kësaj jave me presidentin Lukashenko për të diskutuar kushtet e vendosjes së forcës së tij në Bjellorusi.

Grupi “Belaruski Hajun” konfirmoi se zoti Lukashenko u takua me Prigozhinin në një rezidencë pranë rezervuarit Zaslavskoye, “ku bisedimet private po zhvillohen me pjesëmarrjen e të gjithë familjes Lukashenko", tha Anton Matolka, koordinator i grupit.

Ai nuk dha detaje, por dihet se djemtë e zotit Lukashenko luajnë rol në disa aktivitete qeveritare.

Guerilët nga grupi i “BYPOL”, ku bëjnë pjesë ish pjestarë të ushtrisë, i thanë agjencisë Associated Press se do t'i rezistojnë luftëtarëve të grupit Wagner të stacionuar në Bjellorusi dhe "akteve" të sabotimit në zonat ku strehohen mercenarët.

“Do të rezistojmë me çdo mjet”, tha udhëheqësi i grupit, Azarau.

Vendet anëtare të NATO-s, Polonia, Letonia dhe Lituania, të cilët ndajnë një kufi prej 1,250 kilometrash me Bjellorusinë, thanë se do të rrisin sigurinë përgjatë kufirit, për shkak të pranisë së forcave të grupit Wagner.

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse Sviatlana Tsikhnaouskaya, e cila gjendet në mërgim jashtë vendit, tha se prania e luftëtarëve të grupit Wagner në Bjellorusi përbën kërcënim për sovranitetin e vendit. Ajo vuri në dukje se gjithçka po ndodh në prag të takimit të nivelit të lartë të NATO-s, që do të mbahet muajin e ardhshëm në Vilnius të Lituanisë.

"Prania e kriminelit Prigozhin në Bjellorusi tregon se si vendi ynë është shndërruar në një strehë për tiranët", tha zonja Tsikhanouskaya.

Analistët besojnë se zoti Lukashenko po e përdor situatën për të marrë më shumë kredi dhe fonde prej Kremlinit, në këmbim të rolit të tij si shpëtimtar i Rusisë nga rebelimi i armatosur.

"Zoti Lukashenko është një aktor me shumë përvojë dhe ai do t'i kërkojë presidentit Putin të paguajë për nderin që i bëri Kremlinit, duke i siguruar kredi të reja dhe koncesione ekonomike", tha për agjencinë Associated Press, Valery Karbalevich, analist politik bjellorus.

Ai beson se nuk ka gjasa që të ketë një aleancë afatgjatë mes homologëve Lukashenko dhe Putin.

"Prigozhini tregoi se është i vështirë të kontrollohet dhe zotit Lukashenko nuk i pëlqejnë rreziqet dhe surprizat", tha zoti Karbalevich.

“Zoti Lukashenko ka qenë i kujdesshëm gjatë gjithë luftës në Ukrainë, kështu që zhvendosja dhe strehimi i luftëtarëve të grupit Wagner do të bëhet në grupe të vogla, "me shumë kujdes dhe nën kontrollin e rreptë të shërbimeve bjelloruse të sigurisë", tha analisti Karbalevich./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat