Prania e grupit “Wagner” në Bjellorusi, Polonia merr vendimin urgjent

Evropë

Prania e grupit “Wagner” në Bjellorusi, Polonia merr vendimin urgjent

Më: 30 qershor 2023 Në ora: 08:55
Foto ilustrim

Zëvendëskryeministri i Polonisë, Jaroslaw Kaczynski njoftoi planet e qeverisë për të përforcuar kufirin e saj lindor, për shkak të pranisë së grupit paraushtarak rus “Wagner” në Bjellorusi. Pas takimit të Komitetit të Sigurisë, Kaczynski, i cili është gjithashtu kreu i partisë polake në pushtet Ligj dhe Drejtësi, tha se në vendin fqinj mund të ketë deri 8 000 luftëtarë të “Wagner”-it.

“Duke u nisur nga kjo, morëm vendim të forcojmë mbrojtjen e kufirit lindor të Polonisë”, tha Kaczynski.

Ai theksoi se masat do të përfshijnë përforcimin e forcave polake të stacionuara pranë kufirit dhe ndërtimin e barrierave në rajon. Kaczynski tha se prania e grupit mercenar në Bjellorusi është rrezik jo vetëm për Ukrainën, por edhe për vendet fqinje si Lituania dhe Polonia. Ai tha se prania e grupit “Wagner” në Bjellorusi mund të sinjalizojë një fazë të re të luftës hibride. Themeluesi i kompanisë private të sigurisë, Jevgeni Prigozhin akuzoi ushtrinë ruse për kryerjen e një sulmi ndaj “Wagner”-it dhe kërcënoi me hakmarrje.

Luftëtarët e “Wagner”-it u larguan nga Ukraina dhe hynë në qytetin jugor rus të Rostov-mbi-Don. Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) hapi një çështje penale kundër Prigozhinit dhe luftëtarëve të “Wagner”-it me akuzën për “trazira të armatosura”, ndërkaq presidenti rus Vladimir Putin veprimet e “Wagner”-it i quajti “tradhti”.

Prigozhin fillimisht planifikoi të drejtonte luftëtarët e tij në një marshim drejt Moskës, duke nxitur masa të shtuara sigurie. Megjithatë, ata u kthyen pranë kryeqytetit për të shmangur gjakderdhjen. Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko tha se ai zhvilloi bisedime me Prigozhinin pasi mori pëlqimin e Putinit dhe se Prigozhin pranoi marrëveshjen për uljen e tensioneve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat