Moska në shënjestër të sulmeve me dronë, Medvedev paralajmëron për ‘armageddon’

Evropë

Moska në shënjestër të sulmeve me dronë, Medvedev paralajmëron për ‘armageddon’

Më: 4 korrik 2023 Në ora: 12:18
Dmitry Medvedev

Pesë dronë ukrainas u rrëzuan këtë të martë pranë Moskës dhe rajonit të saj, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

“Këtë mëngjes, një përpjekje e regjimit të Kievit për të kryer një akt terrorist u parandalua,” tha ministria në një deklaratë.

Katër nga dronët u shkatërruan nga mbrojtja kundërajrore pranë Moskës, ndërsa i pesti u neutralizua me “mjete të luftës elektronike”, shtohet në deklaratë.

Kryebashkiaku i Moskës Sergeu Sobianine shkroi në Telegram se sulmi u parandalua me sukses dhe pa viktima.

Sipas shërbimeve të urgjencës të cituara nga agjencia ruse e shtypit RIA Novosti, dy prej dronëve u rrëzuan pranë fshatit Valouïevo, që ndodhet në periferi të kryeqytetit.

Një tjetër dron u rrëzua pranë Koubinka në rajonin e Moskës.

Sulmet ndërprenë për një kohë të shkurtër funksionimin e aeroportit të Moskës në Vnoukovo, i vendosur rreth 40 kilometra nga Koubinka, ku disa fluturime u ridrejtuan në aeroporte të tjera.

E vendosur më shumë se 500 km nga kufiri ukrainas, Moska rrallë herë ka qenë në shënjestër të sulmeve me dronë që nga fillimi i luftës.

Nga ana tjetër ish-kryeministri rus Dmitry Medvedev tha se “armagedoni” është i mundshëm nëse Perëndimi nuk pranon të negociojë me Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë.

Eseja e Medvedev, e botuar më 3 korrik, i bëri jehonë retorikës nxitëse ruse ndaj Ukrainës dhe Perëndimit, që synonte të minonte mbështetjen për Kievin përpara samitit të ardhshëm të NATO-s.

Ai përsëriti portretizimin e tij të luftës në Ukrainë si pjesë e një konflikti më të gjerë ekzistencial kundër Perëndimit, duke ripërsëritur shumë nga kërkesat e Putinit të paraluftës.

Medvedev la të kuptohej se Rusia është e përgatitur të përfshihet në këtë konflikt më të gjerë për “dekada” nëse këto kërkesa nuk plotësohen, duke lënë të kuptohet për mundësinë e një lufte bërthamore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat