Alarme të kuqe në 15 qytete italiane si pasojë e motit të nxehtë

Evropë

Alarme të kuqe në 15 qytete italiane si pasojë e motit të nxehtë

Më: 15 korrik 2023 Në ora: 09:08
Një turiste duke u mbuluar me shall për t’iu shmangur të nxehtit.

Alarme të kuqe janë lëshuar në 15 qytete të Italisë, pasi i nxehti ekstrem vazhdon të shtrihet në pjesën jugore të Evropës.

Alarmet - që nënkuptojnë se moti aktual përbën rrezik edhe për personat e shëndetshëm – janë aktivizuar në Romë, Firencë dhe Bolonja për disa ditë.

Sipas parashikimeve, Evropa pritet të përballet me temperatura edhe më të larta në javën e ardhshme.

Sipas Agjencisë Hapësinore Evropiane, Italia, Spanja, Franca, Gjermania dhe Polonia, mund të përballen me kushte klimatike ekstreme.

Kjo agjenci monitoron temperaturën e tokës dhe ujit të detit përmes satelitëve që ka.

Disa ditë me mot të nxehtë konsiderohen normale, mirëpo kohëve të fundit numri i tyre po rritet në nivel global, si pasojë e ngrohjes globale.

Vala aktuale e të nxehtit në Evropë është quajtur Cerberus, nga Shoqata italiane e Meteorologjisë, sipas përbindëshit me tri koka te Ferri i Dantes.

Deri më tani, temperatura më e lartë ndonjëherë në Evropë është regjistruar në Sicili, në gusht të vitit 2021 – 48.8 gradë Celsius.

Përveç Evropës, me mot shumë të nxehtë po përballen edhe Shtetet e Bashkuara, Kina, Afrika e Veriut dhe Japonia.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se moti ekstrem, që vjen si pasojë e ngrohjes globale është duke u bërë “fatkeqësisht një normale e re”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat