"Jemi në luftë me zjarret", Mitsotakis: Do të dëmshpërblejmë të prekurit dhe do të rindërtojmë atë që humbëm

Evropë

"Jemi në luftë me zjarret", Mitsotakis: Do të dëmshpërblejmë të prekurit dhe do të rindërtojmë atë që humbëm

Më: 24 korrik 2023 Në ora: 13:44
Kyriakos Mitsotakis

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka reaguar në lidhje me situatën e zjarreve në disa zona të vendit, e cila paraqitet kritike dhe me rrezikshmëri për jetën e banorëve.

Ai tha se përpjekja e shtetit u njoh nga të gjithë, madje edhe turistët, mijëra prej të cilëve u shpëtuan në kuadër të evakuimeve që u bënë në vendbanime dhe njësi hoteliere.

“Megjithë avancimin e zjarrit, asnjë jetë nuk humbi, kjo dëshmon se kundër tërbimit të natyrës, asnjë masë nuk do të mjaftojë kurrë. Kjo verë na gjen me vapë të pandërprerë, erëra të forta, në Rodos kemi erëra të vazhdueshme që kalojnë 6 Beaufort prej ditësh. Në Rodos pas ditës së dytë kur zjarri kishte shfaqur disa shenja pakësimi, zjarri bëri fronte të reja. Dhjetëra mijëra njerëz u transportuan në mënyrë të organizuar dhe në kohë në vende të sigurta. I jemi mirënjohës zjarrfikësve, mbrojtjes civile, forcave të armatosura, policisë, vullnetarëve për vetëflijimin e tyre. Për javët e ardhshme ne duhet të jemi në gatishmëri të vazhdueshme. Jemi në luftë me zjarrin”, tha kryeministri.

Ai u shpreh gjithashtu se të prekurit nga shpërthimi i zjarreve masive do të dëmshpërblehen pasi situata të jetë vendosur nën kontroll.

"Janë shpëtuar mijëra njerëz, jeta njerëzore do të jetë gjithmonë prioriteti ynë, sidomos pesë vjet pas tragjedisë së Matit. Mësuam të organizojmë evakuime. Ne do të rindërtojmë atë që kemi humbur, do të kompensojmë ata që u lënduan. Rodosi u përball me një problem në 10% të shtretërve të tij. Llogaria do të vijë e plotë, kur të bëjmë llogarinë tonë të përgjithshme”, tha kryeministri grek.

Situata në disa zona të Greqisë vijon të jetë kritike ku janë regjistruar dëme tepër të mëdha ekologjike. Janë djegur mijëra hektarë pyje dhe kullota. Në zonë janë dërguar ekspertë për të vlerësuar dëmet me qëllim dhënien e ndihmave për të prekurit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat