LIVE: Rriten tensionet/ Letonia dërgon ushtrinë në kufi me Bjellorusinë – Ukraina i reagon zyrtarit të NATO-s, pas kësaj deklarate!

Evropë

LIVE: Rriten tensionet/ Letonia dërgon ushtrinë në kufi me Bjellorusinë – Ukraina i reagon zyrtarit të NATO-s, pas kësaj deklarate!

Nga: Bota sot Më: 15 gusht 2023 Në ora: 07:42 Përditësuar në ora: 20:19 më 15.08.2023
Foto ilustrim

Letonia dërgon ushtrinë për të ruajtur kufirin me Bjellorusinë

Ministri i Mbrojtjes i Letonisë ka urdhëruar ushtrinë të ndihmojë në ruajtjen e kufirit të vendit baltik me aleatin rus Bjellorusi, pas 96 përpjekjeve të emigrantëve të paligjshëm për të kaluar në 24 orë, përcjell Bota sot.

Oficerët e Gardës Kufitare gjithashtu janë tërhequr nga pushimet e tyre për të ndihmuar me patrullimet.

Letonia ka "informacion për një rritje të mundshme të kërcënimeve hibride", tha Garda Kufitare në një deklaratë. Autoritetet bjelloruse po përfshiheshin gjithnjë e më shumë në organizimin e fluksit të emigrantëve të parregullt, tha ai.

Anëtarët e BE-së Letonia, Lituania dhe Polonia, të cilat ndajnë një kufi me Bjellorusinë, janë shqetësuar gjithnjë e më shumë për kalimet kufitare që kur qindra mercenarë rusë të ashpërsuar nga beteja e Wagner mbërritën në Bjellorusi muajin e kaluar me ftesë të Presidentit Alexander Lukashenko.

“Absolutisht e papranueshme”, Ministria e Jashtme e Ukrainës kritikon zyrtarin e NATO-s

Ka shkaktuar reagime të ashpra deklarata e shefit të kabinetit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se Ukrainës mund t’i duhet të heqë dorë nga një pjesë e territorit në këmbim të anëtarësimit në aleancën më të madhe ushtarake në botë.

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka reaguar duke pohuar se kjo “ofertë është absolutisht e papranueshme”.

“Ne gjithmonë supozonim se Aleanca, ashtu si Ukraina, nuk bën tregti me territoret e saja”, shkruan zëdhënësi i ministrisë Oleg Nikolenko në Facebook.

“Angazhimi i vetëdijshëm ose i pavetëdijshëm i zyrtarëve të NATO-s në formimin e narratives së dorëzimit të territoreve të ukrainasve është në dobi të Rusisë”, pohoi ai.

“Është për të mirën e sigurisë euro-atlantike të diskutohen mënyrat për të përshpejtuar fitoren e Ukrainës dhe të anëtarësohet në NATO”, shkroi Nikolenko.

Komentet e sotme nga zyrtari i lartë i NATO-s, Stian Jenssen me sa duket kanë ndezur një grindje të madhe diplomatike midis aleancës dhe Ukrainës.

Hera e parë që e thotë një zyrtar i lartë i NATO-s: Ukraina mund të heqë dorë nga territori në këmbim të anëtarësimit në aleancë

Ukraina mund të humb një pjesë të territorit të nëse dëshiron të anëtarësohet në NATO dhe të arrijë paqen me Rusinë.

Kështu pohoi për mediat norvegjeze në një panel diskutimi, Stian Jenssen, i cili është shef i kabinetit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ky i fundit ka shmangur prej kohësh me kujdes pyetjet se çfarë duhet të bëjnë ukrainasit për t’i dhënë fund luftës me rusët.

Ai vazhdimisht ka deklaruar se kjo i takon Ukrainës – jo palëve të treta – të vendosë se si dhe kur duhet të fillojnë negociatat me Rusinë, raporton skynews.

Jenssen dha sinjale se si ukrainasit mund anëtarësohen në aleancën më të fortë ushtarake në botë.

“Ka një lëvizje të konsiderueshme në çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në NATO”, tha ai duke shtuar se “është në interesin e të gjithëve që lufta të mos përsëritet”.

“Rusia po lufton jashtëzakonisht shumë dhe duket joreale që mund të okupojnë territore të reja. Tani shtrohet pyetja se çfarë mund të merr Ukraina”, shtoi ai.

Kur u pyet nga gazeta norvegjeze VG nëse Ukraina duhet të lëshojë territore dhe në këmbim të anëtarësohet në NATO, Jenssen sugjeroi se kjo pyetje tashmë është ngritur brenda aleancës.

“Unë nuk po them se duhet të jetë kështu”, tha ai. “Por kjo mund të jetë një zgjidhje e mundshme”.

Megjithatë, kjo zgjidhje do të binte drejtpërdrejt në kundërshtim me qëllimet e deklaruara për paqe të vetë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Një nga dhjetë pikat në të ashtuquajturën formulë e paqes përfshin rikthimin e kufijve të Ukrainës, aty ku ishin para pushtimit rus. Presidenti ukrainas e ka bërë të qartë se kjo është e panegociueshme. 

Kreu i grupit Wagner endet i lirë nëpër Rusi pas rebelimit, zbulohet shantazhi i frikshëm që po i bën presidentit rus

Javën e kaluar, figurës së burgosur të opozitës ruse Alexei Navalny iu dhanë edhe 19 vite të tjera dënimi dhe u dërgua menjëherë në burg.

Por asgjë e tillë nuk i ndodhi Yevgeny Prigozhin, kreut të grupit mercenar rus “Wagner”, i cili udhëhoqi një rebelim të armatosur në qershor, duke sfiduar sundimin prej dy dekadash të Vladimir Putin.  Është e qartë se, siç shkruan CNN, çmimi për përballjen me Putinin nuk është fiks dhe ndoshta është edhe më e habitshme që Prigozhin as që është fshehur që nga kryengritja në fund të qershorit.

Disa javë pas kryengritjes, ai u shfaq në margjinat e samitit të fundit ruso-afrikan në Shën Petersburg. Edhe pse zakonisht shihet i mbuluar, Prigozhin u fotografua me një bluzë dhe xhinse duke shtrënguar duart me një zyrtar nga Republika e Afrikës Qendrore. Kur prezantuesja e CNN, Christiane Amanpour pyeti ambasadorin rus në Britaninë e Madhe, Andrey Kelin, për "spektaklin e çuditshëm" të paraqitjes së Prigozhin pas rebelimit, ai tha se kryengritja përfaqësonte një formë "tradhtie të lartë", por shpjegoi pse Putin vendosi ta linte të kaluarën pas. Ambasadori fillimisht u përpoq të shmangte një përgjigje, duke thënë se nuk mbante mend që ushtarë rusë u vranë gjatë rebelimit.

Por, pas presionit të mëtejshëm nga Amanpurova, ai pranoi se nuk kishte asnjë shpjegim, siç shkruan “CNN”.

Përfitimet e Putin

Ekspertët prej kohësh po përpiqen gjithashtu të hedhin hipoteza lidhur me të ardhmen e Prigozhin. Ekspertët besojnë se ai është ende i vlefshëm për Putinin.

“Reputacioni i Prigozhin në Kremlin ka pësuar qartë një goditje. Por duke qenë se Putini ka humbur edhe më shumë reputacionin pas kryengritjes, duket se ai beson se ka ndonjë përfitim nga Prigozhin”, tha Candice Rondo, drejtoreshë e shërbimit të inteligjencës të “Amerikës së Re”.

Biznesi i Prigozhin dhe aftësitë e tij në fshehjen e fitimeve në një rrjet kompanish guaskë dhe operacione në det të hapur janë pasuri për Rusinë e Putinit, e cila është goditur nga sanksionet e ashpra ekonomike perëndimore.

“Për momentin, rrjetet e kompanive fantazmë të Prigozhin janë sigurimi më i mirë që Putin ka për të ruajtur ekonominë ruse të luftës. Por nuk ka gjasa që të jetë kështu përgjithmonë. Dhe kur kjo të marrë fund, ne do të shohim ngjarje spektakolare pranë kufirit midis Polonisë dhe Bjellorusisë “, tha Rondo.

Planet në Afrikë

Ekzistojnë gjithashtu plane të Prigozhin për një rajon tjetër, shtetet e pambrojtura dhe të paqëndrueshme afrikane, ku grupi i tij tashmë ka kryer një sërë operacionesh.

Pasi mercenarët u zhvendosën në Bjellorusi, Prigozhin sugjeroi që ai të mbetej i fokusuar në këtë treg kyç afrikan. Forcat e tij ishin të përfshira tashmë në aktivitete në Sudan, ku Wagner furnizonte milicinë që luftonte kundër ushtrisë sudaneze dhe ishin aktive në Republikën e Afrikës Qendrore dhe Libi.

Ata gjithashtu mund të shohin një mundësi në Niger, pas grushtit të shtetit të fundit ushtarak që kërcënon të nxisë një krizë të madhe rajonale.

Prigozhin së fundmi tregoi në një mesazh në "Telegram" se Wagner mund të jetë gati të ofrojë shërbimet e tij atje. “Mijëra ushtarë të Wagnerit janë në gjendje të rivendosin rendin dhe të shkatërrojnë terroristët, duke i penguar ata të dëmtojnë popullsinë paqësore të shteteve”, tha ai, duke rikujtuar sa efikas është grupi.

Sfida ndaj Putinit

Duhet theksuar se dënimi i Prigozhin bie ndesh me qëndrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, e cila kërkonte "lirimin e shpejtë" të presidentit të Nigerit Mohamed Bazum nga ushtria. Dhe këtu gjërat bëhen interesante për Rusinë, duke sfiduar Putinin dhe duke shmangur ndëshkimin, Prigozhin duket se ka ndërtuar dhe mbajtur një qendër rivale graviteti ndaj Kremlinit.

Tatyana Stanovaya, një bashkëpunëtore në Qendrën Carnegie, tha në një analizë të fundit se Prigozhin ndërpreu në mënyrë efektive "fuqinë vertikale" të Rusisë, sistemin afatgjatë të sundimit të Putinit nga lart-poshtë.

“Në vend të një dore të fortë, ka dhjetëra mini-Prigozhinë dhe ata nuk janë më pak të rrezikshëm. Ata të gjithë e dinë shumë mirë se është koha për të marrë armët dhe për t'u përgatitur për luftën për pushtet pas Putinit”, tha ajo.

Putin: Politika e jashtme amerikane po i hedh benzinë zjarrit

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se politika e jashtme e SHBA-së po i shton “benzinë ​​zjarrit”. Putin tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përfitojnë nga tragjeditë njerëzore, të luajnë me popujt dhe të shfrytëzojnë pa mëshirë burimet e tyre.

“Kjo politikë që ata po ndjekin duke i hedhur më shumë benzinë zjarrit, shihet qartë në shembullin e Ukrainës”, tha Putin, duke shtuar, se  "duke i dërguar miliarda dollarë regjimit neo-nazist, duke e furnizuar atë me pajisje, armë, municione, po ndez gjithnjë edhe më shumë konfliktin, për të tërhequr edhe shtete të tjera”.

Mes sulmit të tij ndaj politikës së jashtme të SHBA-së, presidenti rus tha se diskutimet e hapura, të ndershme dhe të paanshme janë jashtëzakonisht të rëndësishme.

“E përsëris, sot është e qartë se është e mundur të reduktohet konfrontimi në nivel global dhe rajonal, të neutralizohen sfidat dhe rreziqet, të forcohet besimi midis shteteve dhe të hapen mundësi të gjera për zhvillimin e tyre vetëm duke u bashkuar me përpjekjet e komunitetit botëror,” shtoi Putin.

“Made in Ukraine”, Kievi krijon “përbindëshin” për të shpërthyer të gjitha minat e vendosura nga rusët

Shumë vullnetarë ukrainas iu bashkuan ushtrisë për të realizuar një “kryevepër”, që pa për qëllim shkatërrimin e minave të pashpërthyera në pothuajse tërë territorin e Ukrainë.

Ata arritën të krijojnë një “përbindësh” me të cilin po shpërthejnë minat të cilat janë vendosur nga rusët, dhe që qëllimi i tyre ishte vrasja e sa më shumë ukrainasve.

Kështu ata bashkuan forcat dhe arritën të krijojnë një makineri, me të cilën po bëjnë pastrimin e fushave, sikur ishte krijuar një e tillë në Luftën e Dytë Botërore e quajtur M4 Sherman.

Duke folur në afërsi të qytetit industrial Kryvyi Rih në jug të Ukrainës, inxhinieri Vitalii, 50-vjeç, që nuk zbuloi emrin e plotë për arsye të sigurisë thotë se ishte i bindur që makineria do të funksionojë.

Ata morën trupin e një ekskavatori në të cilin vendosën një shufër të trashë prej çeliku, dhe e cila ka të lidhura dhjetëra pesha që godasin minat në tokë dhe i aktivizojnë pothuajse të gjitha llojet.

Goditja është prej 1 mijë kilogramëve, sa që arrin të aktivizojë edhe minat anti-tank, të cilat i shpërthen dhe parandalon më të keqen.

Eksperti ushtarak i deminimit Volodymyr Ozoryan, tha se ekipi duhet akoma të analizojnë kabinën nëse është e punuar nga çeliku dhe do t’i bëjë ballë të gjitha llojeve të shpërthimit – me qëllim që ta mbrojë shoferin. 

Putin kërkon bashkëpunim më të madh me Korenë e Veriut

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka kërkuar të martën Moskës t’i thellojë marrëdhëniet me Penianin, në një mesazh urimi dërguar liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, për Ditën Kombëtare të Çlirimit.

Rusia dhe Koreja e Veriut – të dyja tejet të izoluara nga Perëndimit dhe të goditura me sanksione – janë afruar me njëra-tjetrën qëkur Kremlini dërgoi trupa në Ukrainë dhe e nisi pushtimin e saj në shkurt 2022.

“Unë jam i sigurt se ne të vazhdojmë të ndërtojmë bashkëpunim bilateral në të gjitha fushat për të mirën e popujve tanë, në interes të forcimit të stabilitetit dhe sigurisë në Gadishullin Korean dhe në rajonin e Azisë Verilindore si tërësi”, tha Putini në një komunikatë të publikuar nga Kremlini.

Putini tha se themeli për bashkëpunim të ngushtë mes Moskës dhe Penianit u shtrua gjatë çlirimit të Koresë së Veriut nga Japonia dhe gjatë “kohëve të vështira të luftës”.

Deklarata e liderit rus erdhi pasi ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, e lartësoi partneritetin e vendit të vet me Korenë e Veriut, gjatë një takimi me homologun e vet Sun Nam në Penian.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, reagoi ndaj asaj vizite, duke thënë se Shtetet e Bashkuara besojnë se Shoigu ishte në Korenë e Veriut për të siguruar furnizim me armë për të ndihmuar forcat ruse në luftën e tyre në Ukrainë./REL

Ukrainasit hedhin në erë sistemin raktor të rusëve, e godasin gjatë natës

Forcat speciale të ushtrisë ukrainase kanë arritur të shkatërrojnë sistemin raketor të rusëve, gjatë një sulmi të planifikuar gjatë natës.

Pamjet e publikuara nga brigada e 73-të e marinës ukrainase, shfaq katër sisteme raketore që shkatërrohen nga forcat ukrainase.

Videoja është realizuar nga ajri me dron, ku në një moment nga fluturakja pa pilot hidhet një bombë e cila përfundon pikërisht mbi sistemin raketor.

Sulme të tilla me dron nga ana e ukrainasve janë duke u bërë çdo ditë e më shumë, duke i shkaktuar humbje të mëdha forcave ruse si në makineri luftarake ashtu dhe në personel.

E nga ana tjetër, ushtria e Vladimir Putinit po vazhdon të kryej sulme ajrore mbi infrastrukturën civile të Ukrainës, duke mos kursyer askënd dhe asgjë.

Tre të vrarë nga sulmet ruse me raketa në Ukrainë

Të paktën tre njerëz janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në një varg sulmesh ruse me raketa në perëndim të Ukrainës gjatë natës, njoftuan zyrtarët ukrainas të martën.

Ukraina lëshoi alarme për paralajmërimin e sulmeve ajrore në gjithë vendin, pasi aeroplanët luftarakë të Rusisë i hodhën 24 raketa, tha Forca Ajrore e Ukrainës më 15 gusht.

Po ashtu, një fregatë ruse në Detin e Zi i hodhi katër raketa mbi Ukrainë. Mbrojtja ajrore ukrainase i rrëzoi 16 prej 28 raketave, sipas Forcës Ajrore.

Të paktën tre njerëz u vranë në qytetin veriperëndimor, Lutsk, i cili ndodhet në rajonin Volin, në kufi me anëtaren e NATO-s, Poloninë, tha guvernatori rajonal Yuriy Pohulyaiko.

Disa persona të plagosur u dërguan me urgjencë në spital. Lviv, qyteti më i madh në perëndim të Ukrainës, dhe rrethinat e tij u goditën në orët e hershme të së martës nga raketat ruse, tha majori Andriy Sadovyi.

Sulmet shkaktuan zjarr në një ndërtesë banimi dhe e goditën oborrin e një çerdheje, tha ai.

Për gjuajtje me raketa u raportua edhe në qytetet Dnipro dhe Zaporizha, të cilat ndodhen më afër vijave të frontit në lindje të Ukrainës.

Putin mund të përfundojë si Hitleri, beteja e vitit 1944 mund të përsëritet së shpejti

Ndërsa kundërofensiva ukrainase vazhdon, shumë komentues thonë se betejat historike të ngjashme, mund të parashikojnë rezultate të mundshme në këtë konflikt. Kështu shkruan Hamish de Bretton-Gordon për “The Telegraph”.

Në fakt, ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, e krahasoi betejën aktuale me sulmin epik në Monte Cassino dhe vijën Gustav në Itali në 1944 nga aleatët kundër fuqive të Boshtit nazist. Aleatët pushtuan Romën, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore aty. Kjo çoi në humbjen e plotë të Hitlerit si dhe "operacionin e tij special ushtarak".

Tani Ukraina mund të përjetojë “Monte Cassino-n” e saj. Nëse ajo depërton vijën mbrojtëse të Surovikin, e cila shtrihet 1,900 km nga lindja në perëndim, ajo duhet të pushtojë shpejt Krimenë, e cila ka të ngjarë të çojë në kolapsin e "operacionit special ushtarak" të Rusisë dhe bashkë me të fundin e presidencës së Putinit. Në rastin e Monte Cassino aleatët investuan sasi të mëdha përpjekjesh dhe burimesh në shkatërrimin e armikut.

Në mënyrë të ngjashme, rusët po përpiqen të shkatërrojnë ukrainasit, duke përdorur fusha të minuara, pengesa natyrore dhe mbrojtje të tjera. Të dyja betejat janë shembuj të manovrave të kombinuara të armëve, por ukrainasve iu mungon fuqia ajrore që aleatët kishin në 1944. Mungesa e fuqisë ajrore është pengesa më e madhe për përparimin ukrainas, me avionët rusë dhe helikopterët sulmues që veprojnë praktikisht të papenguar, duke ngadalësuar përparimin ukrainas. Sakaq, nëse rënia e Italisë paralajmëroi fundin e Hitlerit, autori shkruan për “The Telegraph” se rënia e Krimesë do të jetë fundi i Putinit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat