LIVE: Rusia tregon ‘dhëmbët’, realizon një sulm fatal në Ukrainë – publikohen pamjet e frikshme

Evropë

LIVE: Rusia tregon ‘dhëmbët’, realizon një sulm fatal në Ukrainë – publikohen pamjet e frikshme

Më: 19 gusht 2023 Në ora: 06:36 Përditësuar në ora: 10:03 më 19.08.2023
Pamje nga sulmi

Europa “në festë”, Bashkimi Europian i thotë “Lamtumirë” gazit rus, pse kjo do të jetë goditje fatale për Vladimir Putin

Bashkimi Evropian mbushi depot e gazit edhe tre muaj para afatit të planifikuar. Së fundmi, rezervat e depozituara të gazit natyror në territorin e Bashkimit kanë arritur në maksimumin historik, siç shkruan gazeta  “Politico”. Depot u mbushën shumë kohë përpara fillimit të sezonit të ngrohjes, gjë që është në përputhje me politikën e Brukselit për "shkëputje" të papritur nga gazi rus. Vendimi i BE-së për t'i dhënë fund varësisë së saj nga burimet ruse të energjisë do të thotë gjithashtu një thellim i problemeve të Kremlinit.

Të enjten, depot e gazit në vendet anëtare të BE-së arritën një nivel prej 90.12 për qind të kapacitetit të përgjithshëm, që do të thotë se tashmë është përmbushur detyrimi ligjor, i cili thotë se zënia e depozitave evropiane të gazit duhet të arrijë nivelin 90 për qind deri në nëntor.  

“Konfirmimi i sotëm se i kemi përmbushur obligimet para afatit, thekson se BE-ja është e përgatitur mirë për dimër. Kjo do të na ndihmojë në stabilizimin e mëtejshëm të tregut në muajt në vijim”, tha komisioneri i Unionit për Energji, Kadri Simson.

Tregu i energjisë i Bashkimit Evropian, thotë ai, është në një pozitë shumë më të favorshme se sa ishte vitin e kaluar. Natyrisht, lajmi për kapacitetin rekord të magazinimit mund të lexohet si suksesi i Bashkimit Evropian në "zhdukjen" e gazit rus, sepse para pushtimit të Putinit në Ukrainë, Bashkimi plotësonte deri në 40 për qind të nevojave të tij për gaz natyror me importe nga Rusia. “Kjo është padyshim një histori suksesi si për Komisionin Europian ashtu edhe për tregun e energjisë, por mbi të gjitha për qeveritë e vendeve anëtare”, tha Giovanni Sgaravatti, analist në institutin “Bruegel” në Bruksel.

Fati i Ukrainës do të vendoset në kutitë e votimit, tri zgjedhjet më të rëndësishme të vitit 2024 mund të ndryshojnë gjithçka

Lufta në Ukrainë do të ndikohet gjithnjë e më shumë, ose dhe do të varet plotësisht, nga tre zgjedhje të rëndësishme vitin e ardhshëm: zgjedhjet presidenciale në Rusi, zgjedhjet evropiane dhe mbi të gjitha gara për Shtëpinë e Bardhë.

Në terren, kundërofensiva po përparon me vështirësi, operacionet po zgjerohen gjithnjë e më shumë në Detin e Zi, në territorin rus dhe pranë vendeve të NATO-s si Rumania dhe Polonia. Fati i luftës do të vuloset vitin e ardhshëm me zgjedhjet njëra pas tjetrës. Kremlini është i bindur se rruga është e hapur për një rizgjedhje të Carit, por nuk mund të nënvlerësojë pasojat e luftës. Rusët nuk kanë arritur as të pushtojnë të gjithë Donbasin dhe kanë humbur një pjesë të madhe të territorit të pushtuar gjatë pushtimit.

Një ngrirje e konfliktit në stilin korean do t'i shkonte për shtat Putinit, i cili mund ta shfaqte atë si një gjysmë-fitore. Rreziku nga kundërshtarët apo elemente si Prigozhin, mund të sjellin të papritura. Sakaq, zgjedhjet e PE në fillim të qershorit do të ndikohet nga qëndrimet për luftën. Dhe nëse gjeografia politike e Strasburgut ndryshon, do të ketë një zhvillim në konflikt.

Në shumë vende të BE publiku nuk dëshiron një luftë të pafundme. Sakaq, zgjedhjet e fundit në nëntor 2024 do të jenë më të rëndësishmet, duke pasur parasysh se është gjithmonë Amerika ajo që e mbështet më shumë Kievin në drejtim të ndihmës ushtarake. Problemi për ukrainasit është se Biden do të jetë shumë i kujdesshëm në lidhje me luftën dhe mbështetjen për të. Nëse Donald Trump nuk përfundon pas hekurave, ai mund të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Për ukrainasit, ky do të ishte skenari më i keq.

Putin takohet me shefin e Shtabit në Rostov-on-Don, përgjegjës për sulmin në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin u takua me shefin e Shtabit Valery Gerasimov, i cili është përgjegjës për operacionin ushtarak në Ukrainë.

Ata u takuan në selinë e tij në Rostov-on-Don në Rusinë jugore.

Kremlini raporton pa specifikuar se kur është zhvilluar takimi, por thotë se Putin ka dëgjuar raportet e Gerasimov dhe komandantëve të tjerë ushtarakë.

“Vladimir Putin mbajti një takim në selinë e grupit të operacioneve speciale ushtarake në Rostov-on-Don”, thuhet në deklaratën e Kremlinit.

Polonia në alarm nga sulmet ruse, zbulohen lëvizjet e fshehta të Putinit - ja çfarë bënin rekrutët e Kremlinit brenda vendit

Polonia duket se nuk po gjen qetësi nga përpjekjet ruse për ta nënshtruar apo edhe për të tensionuar situatën në vend. Së fundmi, “The Washington Post” ka raportuar se autoritetet polake besojnë se agjencia ruse e inteligjencës ushtarake GRU rekrutonte njerëz përmes reklamave për punë në internet për të penguar dërgesat e armëve në Ukrainë që kalonin përmes Polonisë. Gazeta amerikane raporton se listat misterioze të punës filluan të shfaqen në internet në fillim të këtij viti.

Detyrat ishin të zakonshme, vendosja e fletushkave ose shenjave në vende publike, dhe pagesa e ofruar ishte e mjerueshme. Por për një pjesë të vogël të refugjatëve nga Ukraina lindore, premtimi për para të shpejta ishte shumë i mirë për t'u anashkaluar. Ata që u përgjigjën shpejt e kuptuan se punët përfshinin shpërndarjen e propagandës pro-ruse në emër të një punëdhënësi anonim.

Për ata që ishin të gatshëm të përfundonin detyrat pavarësisht, puna mori një kthesë edhe më të keqe. Brenda disa javësh, sipas hetuesve polakë, rekrutët u ngarkuan me zbulimin e porteve detare polake, instalimin e kamerave përgjatë hekurudhave dhe fshehjen e pajisjeve gjurmuese në ngarkesat ushtarake. Më pas, në mars erdhën urdhra të reja befasuese për të dalë nga shinat e trenave që transportonin armë në Ukrainë.

Ministria e Jashtme ruse nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Megjithëse kërcënimi është eliminuar, hetuesi i tha Washington Post se "një kërcënim më i gjerë mbetet". Shërbimet ruse të spiunazhit mbeten aktive në Poloni, tha ai dhe "do të përpiqen të korrigjojnë gabimet që kanë bërë". Sakaq Polonia po forcon mbrojtjen në kufi, si pasojë e kërcënimeve nga grupi Wagner.

Washingtoni i jep miratimin Danimarkës dhe Holandës për t’i dhënë Ukrainës avionët luftarakë F-16

Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë miratimin Danimarkës dhe Holandës që t’i dërgojnë Ukrainës avionë luftarakë të tipit F-16, sipas zyrtarëve. Nuk është e qartë se kur mund të bëhet dërgesa në Ukrainë, e cila prej kohësh ka kërkuar avionë luftarakë të tipit F-16 për të përballuar epërsinë ajrore të Rusisë.

Në një shkrim në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter, Ministri i Jashtëm holandez Wopke Hoekstra tha: “E mirëpresim vendimin e Uashingtonit për të hapur dritën jeshile për dërgimin në Ukrainë të avionëve luftarakë F-16”.

Dërgimi i avionëve duhet të miratohet nga Shtetet e Bashkuara sepse janë prodhim amerikan. Pilotët ukrainas duhet t’i nënshtrohen një procesi të fortë trajnimi përpara se avionët t’i dërgohen Kievit.

Më herët të premten, Ukraina u përpoq të ndërmerrte një sulm me dron në Moskë, por forcat ruse e rrëzuan mjetin ajror pa pilot. Mbeturinat e dronit ranë mbi një qendër ekspozitash që ndodhet më pak se 7 kilometra nga Kremlini. Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, shkruante në rrjetin Telegram se mbetjet e dronit “nuk shkaktuan dëme të konsiderueshme”.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha të premten se Rusia ka botuar një tekst të ri të historisë ruse për shkollat “në rajonet e pushtuara të Ukrainës dhe për të gjithë Federatën Ruse”, që do të përdoret duke filluar nga shtatori. Ministria shkruante në rrjetin X, se “qëllimi i Rusisë është të krijojë një hapësirë informacioni pro-Kremlinit në rajonet e pushtuara, në mënyrë që të gërryejë identitetin kombëtar ukrainas”.

Ukraina tha të enjten se falë kundërofensivës së saj kishte arritur të rimerrte pjesë të territorit të kontrolluar nga Rusia në pjesën juglindore të vendit, duke i larguar trupat pushtuese përtej fshatit të sapoçliruar, Urozhaine.

Ky zhvillim është pjesë e një përpjekje për të avancuar drejt detit Azov, me qëllimin për të çarë agresorët rusë.

Urozhaine, në rajonin lindor të Donetskut, është fshati i parë që Kievi tha se kishte rimarrë që nga 27 korriku, në atë që ka rezultuar të jetë një luftë e vështirë në një territor me mina të shumta, të kontrolluar nga Rusia.

Fshati Urozhaine shtrihet pak më shumë se 90 kilometra në veri të detit Azov dhe rreth 100 kilometra në perëndim të qytetit të Donetskut.

“Janë investitorët më të mëdhenj”, sa ka ndikuar lufta në Ukrainë për rusët që shtrijnë aktivitetin në Mal të Zi

Banka Qendrore për investimet e huaja në Podgoricë njoftoi se shtetasit rusë janë investitorët më të mëdhenj të huaj në Mal të Zi për periudhën janar-maj të këtij viti. Analistët thonë se investimet dhe kapitali rus është një dukuri e hershme në Malin e Zi, e cila vazhdon edhe sot. Kjo konfirmon se pavarësisht nga marrëdhëniet e dëmtuara diplomatike mes Malit të Zi dhe Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, qytetarët rusë ende shkojnë në masë të madhe në Mal të Zi për të investuar.

Banka Qendrore për investimet e huaja në Malin e Zi, bëri të ditur se shtetasit rusë janë investitorët më të mëdhenj të huaj në vend, për periudhën janar-maj të këtij viti. Të dhënat e fundit të këtij institucioni tregojnë se gjatë kësaj periudhe ata kanë investuar afro 53 milionë euro, më së shumti për blerjen e pasurive të patundshme, rreth 30 milionë euro.

Sipas analistëve kjo konfirmon se pavarësisht nga marrëdhëniet e dëmtuara diplomatike mes Malit të Zi dhe Rusisë, për shkak të krizës ukrainase dhe vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë, qytetarët rusë ende vijnë në masë të madhe në Mal të Zi dhe sjellin kapitalin e tyre për të investuar aty. Investimet dhe kapitali rus, sipas analistëve është një dukuri e hershme në Malin e Zi, e cila vazhdon në forma të ndryshme edhe sot. Analisti Nail Draga tha se kjo dukuri në Malin e Zi nisi që nga viti 2008 për të vazhduar deri më sot.

“Tranferimi i parave nga Rusia drejt Malit të Zi nuk është dukuri e panjohur për arsye se në vitin 2008-2010 janë tranferuar një shumë e madhe e parave dhe kjo dukuri vazhdon edhe sot, por në një formë të modifikuar. Në dimensionin politik nuk është ndonjë befasi pasi në Mal të Zi pothuajse janë të instaluara partitë pro-serbe dhe pro-ruse, të cilët kanë një mision të veçantë që të përfitojnë nga situate aktuale”, tha zoti Draga. Ndërkaq analisti Bekim Çoba tha se ndikimi i ekonomisë ruse në Mal të Zi ishte shumë i madh si para ashtu edhe pas pavarësisë.

Ndikimi i ekonomisë ruse, si para ashtu edhe pas pavarësisë, ka pasë një ndikim shumë të madh. Kujtojmë se pronari i ndërmarrjes më të madhe në Main e Zi “Kombinati i Aluminit” ishte Oleg Deripaska, njëri prej bashkëpunëtorëve më të ngusht të presidentit rus, Vladimir Putin. Që në atë kohë ekzistonte tendenca e Rusisë për të pasur një ndikim më të madh në Ballkan e sidomos në Malin e Zi”, tha zoti Çobaj. “Ndoshta ajo që e bën dallimin nga koha e pëparshme është se kohëve të fundit investimet janë të individëve dhe jo të ndërmarrjeve të mëdha ruse, të cilët e shohin Malin e Zi si një vend ku mund të blejnë pasuri të patundshme, ta regjistrojnë atë dhe Malin e Zi ta shfrytëzojnë si një vend pushimi dhe strehimi gjatë kohës që largohen nga Rusia”, tha zoti Çoba.

Analisti dhe njohësi i mirë i çështjeve politike, zoti Nail Draga shpreson që qeveria e re malazeze do ti ndërmarrë hapat e nevojshme në parandalimin e kësaj dukurie. “Jemi në pritje të formimit të qeverisë së re dhe ndoshta ata do të marrin hapa vendimtar për këto transfera dhe për të zbuluar prejardhjen e këtyre mjeteve financiare, që kohëve të fundit janë bërë sinonim i investimeve ruse në Malin e Zi”, tha zoti Draga.

Mali i Zi ka patur lidhje historike dhe tepër të ngushta me Rusinë dhe Serbinë deri kur u bashkua me NATO-n në vitin 2017. Podgorica akuzoi agjentët rusë dhe ultranacionalistët serbë pas një përpjekjeje të pasuksesshme për grusht shteti, një vit më parë. Moska i hodhi poshtë pretendimet e tilla si absurde. Pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë vitin e kaluar, Mali i Zi i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Kremlini në këmbim e vendosi Malin e Zi në listën e shteteve jomiqësore.

Granatimet e reja në fshatin Kherson vritet një person

Qëndrimi vigjilent për sulmet ruse është bërë një fakt i jetës së përditshme për shumë njerëz në të gjithë Ukrainën - i gjithë vendi ishte nën alarmet e sulmeve ajrore këtë drekë.

Këto sirena herë pas here i paraprijnë sulmeve me raketa, siç ndodhi në rajonin Kherson këtë pasdite.

Zyra e prokurorit të përgjithshëm rajonal tha se një person u vra dhe dy u plagosën në dëmtimet e shtëpive në fshatin pranë qytetit Kherson

. Por në mënyrë të pazakontë, prokurorët nuk dhanë detaje të mëtejshme rreth incidentit, as nuk përmendën emrin e fshatit.

Zelensky: 63 misione diplomatike tashmë punojnë për zbatimin e Formulës së Paqes

Formula e Paqes e Ukrainës po bashkon gradualisht komunitetin ndërkombëtar në bazë të respektimit të ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së OKB-së.

“Formula e Paqes: tashmë 63 misione diplomatike po punojnë për zbatimin e pikave të Formulës. Është thelbësore që Formula e Paqes të bashkojë gradualisht shumicën botërore bazuar në respektin tonë për të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së”, tha Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.

Presidenti theksoi se Ukraina pati suksese të rëndësishme diplomatike këtë javë. Në veçanti, 18 vende i janë bashkuar Deklaratës së G7 për garancitë e sigurisë për Ukrainën.

Kreu i Shtetit shtoi se diplomatët ukrainas po përpiqen të bëjnë maksimumin për ta bërë Ukrainën gati për hapjen e negociatave të anëtarësimit këtë vit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat