LIVE: Nuk përmbahet Zelensky, kërcënon ashpër Rusinë – vjen një parashikim befasuese për luftën në Ukrainë

Evropë

LIVE: Nuk përmbahet Zelensky, kërcënon ashpër Rusinë – vjen një parashikim befasuese për luftën në Ukrainë

Nga: Bota sot Më: 20 gusht 2023 Në ora: 07:49 Përditësuar në ora: 20:07 më 20.08.2023
Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin

Zelenskyy zotohet për reagim të fortë pas sulmit ndaj qytetit të Chernihivit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të dielën se vendi i tij do të ndërmarrë veprime të forta si përgjigje ndaj një sulmi me raketë të ndërmarrë të shtunën nga Rusia, ndaj qytetit të Ukrainës, Chernihivit. Si pasojë 7 persona u vranë dhe rreth 150 të tjerë u plagosën.

“Jam i sigurt se ushtarët tanë do t'i përgjigjen Rusisë për këtë sulm terrorist. Përgjigjuni në mënyrë të prekshme”, tha zoti Zelenskyy në një fjalim të shpërndarë me video të publikuar mëngjezin e së dielës, në fund të një vizite në Suedi. Kjo është hera e parë që zoti Zelenskyy largohet nga vendi që nga pjesëmarrja në takimin e NATO-s në Lituani muajin e kaluar. Presidenti ukrainas tha se në mesin e viktimave ishte dhe një vajzë 6-vjeçare, e quajtur Sofia, ndërsa shtoi se mes të plagosurve, 15 ishin fëmijë.

Guvernatori i rajonit Chernihiv, Vyacheslav Chaus, tha të dielën se numri i përgjithshëm i personave të konfirmuar si të plagosur ishte rritur në 148.

Më në lindje, të dielën në mëngjes, forcat ruse bombarduan qytetin Kupiansk, duke plagosur rëndë një person, sipas guvernatorit rajonal të Kharkiv, Oleh Syniehubov. Më vonë gjatë ditës një person u vra si pasojë e sulmeve me granata ruse në Vovchansk, një qytet që ndodhet po në rajonin e Kharkivit, bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme të Ukrainës.

Të dielën zoti Zelenskyy mbërriti në Holandë, dy ditë pasi Kievi njoftoi se Shtetet e Bashkuara kishin dhënë miratimin që autoritetet holandeze dhe daneze t'i dorëzonin avionë luftarakë F-16 forca ajrore të Ukrainës.

Në një bazë ajrore ushtarake në qytetin jugor të Eindhoven-it, Kryeministri holandez Mark Rutte i tha zotit Zelenskyy se Holanda dhe Danimarka po angazhohen t'i dorëzojnë Kievit avionët luftarakë.

Por ai shtoi se kjo do të ndodhë pasi të plotësoheshin disa kushte, të cilat ai nuk i bëri publike.

Miratimi që Shtetet e Bashkuara dhanë të premten për Holandën dhe Danimarkën për t'i dorëzuar avionë të prodhimit amerikan F-16 Ukrainës, është parë si një nxitje e madhe për Kievin, edhe pse avionët mendohet se nuk do të kenë një ndikim të menjëhershëm në luftën pothuajse 18-mujore.

Ndërkohë në Rusi të dielën, Ministria e Mbrojtjes tha se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kishin parandaluar një sulm nga dy dronë, në rajonin e Belgorodit, që ndodhet në kufi me Ukrainën.

‘Sytë’, njësia speciale që drejton dronët ukrainas

Ukraina ka filluar të përshtatë dronët industrialë për t’i përdorur për operacione zbulimi në fushëbetejë. Një njësi speciale e zbulimit ushtarak drejton dronët ‘Matrice 300’, të cilët janë shndërruar në sytë e forcave ukrainase, duke pikasur pozicionet ruse në distanca të mëdha.

Mes luftimesh që vazhdojnë në Ukrainë të dhënat e zbulimit të marra nëpërmjet dronëve janë bërë një mjet i rëndësishëm në front.

Njësia speciale e zbulimit ukrainas “Ochi”, ose “Sytë”, dërgon dronët mes bimësisë së dendur në Ukrainën lindore, për të vëzhguar pozicionet ruse deri në pothuajse 20 kilometra përgjatë frontit.

Ushtari me pseudonimin Maryak, ose “Marinari”, drejton dronin ‘Matrice 300 RTK’, një tip droni që është përdorur gjerësisht për të studiuar pozicionet në rajonin e pushtuar të Luhanskut.

Pranë tij gjendet ushtari me pseudonimin Sokol, ose “Fajkoi”, i cili mbledh pamjet e siguruara nga dronët të përqendruara kryesisht mbi pozicionet, autoblindat dhe forcat e këmbësorisë ruse.

“Këta janë sy të vërtetë. Nuk është mirë kur fushëpamja është e dobët pra kur ushtria praktikisht nuk ka ‘sy’, thotë Sokoli.

Forcat ukrainase kanë përshtatur kapacitetet e dronëve për të monitoruar lëvizjet e forcave ruse dhe madje edhe për të goditur pozicionet e tyre.

Njësia po e drejton dronin ‘Matrice 300’ mbi pozicionet e forcave ruse duke pikasur një autoblindë transporti.

“Kështu duket kalimi i mjeteve të këmbësorisë. Kjo autoblindë po transporton këmbësorinë drejt pozicioneve të reja”, thotë Sokoli.

Këta dronë mund të shohin më larg se modelet tradicionalë ‘Maverick’, por operatorët përballen me sfida në drejtimin e tyre.

Shpesh u duhet të presin gjatë derisa të qetësohet moti. Madje edhe ditët e verës mund të përbëjnë problem për shkak të ndriçimit të fortë të diellit në mëngjes.

Përdorimi i dronëve për zbulim dhe për të sulmuar, i jep Ukrainës mundësinë të godasë pozicione të këmbësorisë pa harxhuar predhat e kushtueshme të artilerisë, si dhe pa rrezikuar jetët e ushtarëve ukrainas.

Por edhe Rusia ka dronët e saj që po i përdor kundër forcave ukrainase.

Zelensky: Do të marrim 42 aeroplanë F-16, ky është vetëm fillimi

Kryeministri holandez, Mark Rutte ka thënë se Holanda dhe Danimarka do të dërgojnë një numër të paspecifikuar aeroplanësh luftarakë F-16 në Ukrainë sapo të plotësohen kushtet për transferim.

Ky premtim i bërë gjatë vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyi në Holandë, është premtimi i parë real i dërgimit të F-16 tek Forcat e Armatosura të Ukrainës.

Ai vjen disa ditë pasi SHBA-ja miratoi dërgimin e aeroplanëve luftarakë nga shtetet holandeze dhe daneze.

Edhe pse Holanda nuk njoftoi se për numrin e aeroplanëve që do t’iu dërgojë ukrainasve, lideri ukrainas e bëri këtë në rrjetin sociale X (ish-Twitter).

Mark Rutte dhe unë arritëm një marrëveshje për numrin e aeroplanëve F-16 që do të transferohen në Ukrainë pasi pilotët dhe inxhinierët tanë të përfundojnë trajnimin e tyre. 42 aeroplanë dhe ky është vetëm fillimi”, shkroi Zelensky.

F-16 Fighting Falcon është një aeroplan luftarak i lehtë që u projektua fillimisht në vitet 1970. Ai u fut për herë të parë në shërbim në vitin 1979 dhe u shfrytëzua gjerësisht nga Forcat Ajrore amerikane në luftërat në Irak dhe Afganistan.

Ukraina aktualisht ka një forcë të vogël ajrore të bazuar në aeroplanët sovjetikë, por ato nuk mund të krahasohen me ekuivalentët rusë.

Parashikimi i ekspertit ushtarak: Të mos shpenzohet kohë me debate të pakuptimta, por të ecet përpara me prodhimin e armatimit

Për portalin e televizionit, ARD, tagesschau ai ka thënë se kjo ofensivë ka mbetur dukshëm pas asaj që pritej në fillim si dhe objektivave të veta që të arrijë bregdetin e Detit Azov e të shkëpusë Krimenë nga mbrojtja ruse.

Arritja e këtij objektivi nuk duket realiste, sipas tij. “Aktualisht ofensiva ukrainase ka në shënjestër me sa duket qytetin jugor Tokmak në rajonin e Zaporishjas. Por aty janë futur shumë thellë njësitë ruse, dhe ka për të qenë e vështirë thyerja e tyre.

Por ka edhe suksese të veçanta. Ukrainasit kanë filluar së fundmi të tërheqin trupat e lodhura nga fronti dhe t’i zëvendësojnë me të rinj, që kanë më shumë fuqi dhe janë më të gjallë në sulmim.”

Trupat e lodhura i gjen tek të dyja palët në luftim

Por sipas Gresselit trupat e lodhura në front janë shenjë simptomatike për të dyja ushtritë, si atë ukrainase edhe ruse. “Konsumimi në këtë luftë ka qenë shumë i madh dhe tek pala ruse madje pak më i lartë, se tek ajo ukrainase. Të dyja palët po i tërheqin rezervra. Personeli që mobilizohet është gjithnjë e më në moshë. Trajnimi ushtarak është kryer kohë para mobilizimit, dhe kjo bën të ketë shumë harresë dhe rënie të profesionalitetit, Ky është problem për komandantët e të dyja palëve. Tek pala ruse kjo shtohet për shkak se nuk ka rotacion dhe morali pjesërisht është më i dobët. Ushtarët më të vjetër arrijnë më shpejt nga tejlodhja në limitet e tyre. Pyetja që shtrohet është, se sa i vlen kjo ukrainasve.”

Deklaratat për gjoja negociata të mundshme paqeje të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg u hodhën poshtë, por ato shkaktuan mjaft reagime duke ngritur pyetjen, nëse po përgatiten skenarët për të filluar negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës. Sipas ekspertit Gressel, NATO nuk merret me këtë, por do të ketë qeveri dhe aleatë që mendojnë për këtë. “Shtëpia e Bardhë dhe zyra kancelarore në Berlin janë qartësisht të orientuara, që dikur në një moment të caktuar, Ukraina do të negociojë me Rusinë dhe se furnizimet me armë kanë qëllimin, të sjellin në një pozicion më të mirë Ukrainën kundrejt Rusisë.”

Problemi është sipas Gresselit që si Ukraina edhe Rusia duan një vendim nga kjo luftë. Rusia edhe më tej synon të eliminojë Ukrainën si shtet të pavarur, dhe nuk do të negociojë asgjë më poshtë, se ky qëllim ushtarak. Ukraina nga ana e saj e përcakton këtë luftë gjithnjë e më shumë si luftë për pavarësi dhe do që Rusia në fund të detyrohet të njohë Ukrainën si shtet të pavarur. “Dëshira për negociata nuk reflekton realitetin politik të palëve në luftime.”

Eksperti Gustav Gressel pret vazhdimin e luftës edhe vitin e ardhshëm. “Duhet të llogarisim me atë që lufta me siguri do të zgjasë deri në vitin 2025. Nëse Donald Trump do të fitonte zgjedhjet presidenciale në vitin 2024, sipas pikëpamjes ruse ai mund të ofrojë një ‘deal’ në janar 2025, kështu pranvera 2025 do ishte koha më e hershme që për palën ruse mund të sillte fundin e luftës sipas kushteve të saj. Nëse Biden fiton zgjedhjet, gjë që për momentin duket më e mundshme, mund të pritet, që lufta të zgjasë përtej vitit 2025.”

Eksperti Gressel kërkon që të mos shpenzohet kohë me debate të pakuptimta e të ecet përpara me prodhimin e armatimit për të ndihmuar Ukrainën. Duhet të prodhohen shpejt tanke, tanke mbrojtës, avionë luftarakë për të mbështetur Ukrainën për disa vite në luftë, pasi rezervat e perëndimit po konsumohen, thotë Gressel. E nuk duhet të fillojë gjithmonë nga e para diskutimi, se çfarë do t’i jepet Ukrainës nga rezervat.

Rusja kundërshton pushtimin e Ukrainës, një burrë ushtron dhunë ndaj saj

Në qytetin rus Murmansk, një burrë që deklaroi se ishte pjesëmarrës në “operacionin special ushtarak” në Ukrainë, sulmoi një grup vajzash të reja.

Në video shihet se si burri godet me grusht në fytyrë njërën prej vajzave të reja.

Në pamjet e tjera, ai vazhdimisht i pyet nëse janë kundër “operacionit special” në shtetin ukrainas.

Shumica e vajzave thonë se nuk janë kundër, por njëra prej tyre shprehet i thotë jo pushtimit të Ukrainës.

Si kundërpërgjigje, burri e godet vajzën me grusht në fytyrë gjersa ajo përpiqet që t’i rezistojë duke e goditur me shkelm.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit të kaluar duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale.

Inteligjenca britanike: Gjithnjë e më shumë sulme në Rusi

Ministria britanike e Mbrojtjes në raportin e fundit të inteligjencës njoftoi se gjithnjë e më shumë raketa SA-5 Gammon po sulmojnë Rusinë dhe se tani dronët po godasin rregullisht Moskën. 

“Sulmet ndaj Rusisë janë të një rëndësie strategjike sepse Vladimir Putin besojë se lufta në Ukrainë do të kishte pak efekt të drejtpërdrejtë tek njerëzit e zakonshëm në Rusi”, tha ministria.

Duke folur për raketat SA-5 Gammon, ministria britanike thotë se është një armë e kohës sovjetike, me peshë 7.5 tonë dhe 11 metra e gjatë. 

“Ajo armë nuk i shërben më Ukrainës për mbrojtjen ajrore, por tani me sa duket përdoret si një raketë balistike për sulmet ndaj Rusisë”, raportojnë britanikët.

“Presioni ka të ngjarë të bjerë veçanërisht mbi shefin e shtabit të VKS-së, gjenerallejtënant Viktor Afzalov. Komandanti i përgjithshëm i VKS, gjeneral Sergey Surovikin, dyshohet se është arrestuar në lidhje me Wagnerin. I cili organizoi një kryengritje të shkurtër në muajin qershor”. 

“Me gamën e kërcënimeve që depërtojnë më tej në Rusi në muajt e fundit në rritje, udhëheqja e Forcave Ajrore Ruse ka të ngjarë të jetë nën presion të konsiderueshëm për të përmirësuar mbrojtjen ajrore mbi pjesët perëndimore të vendit”, shtoi Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

Luftë në ajër mes Rusisë dhe Ukrainës, dron mbi stacionin hekurudhor rus pas bombave në Chernihiv

Ndërsa lufta për pushtimin në Ukrainë vijon prej gati 1 viti e gjysmë duke shkaktuar cdo ditë viktima dhe të plagosur, muajt e fundit kundërofensiva i ka zhvendosur sulmet edhe në Rusi.

Mëngjesin e së dielës, një dron luftarak  i pretendeuar ukrainas u përplas në çatinë e një stacioni hekurudhor në qytetin rus Kursk, duke plagosur pesë civilë.

Sipas deklaratës së guvernatorit rajonal, në momentin e shpërthimit kishte 50 pasagjerë në ndërtesë, por u evakuuan menjëherë.

Ky është sulmi i dytë brenda muajit gusht në të njëjtin qytet, pasi më herët Rusia ka akuzuar se predhat ukrainase kishin sulmuar një ndërtesë duke plagosur 3 banorët e saj.

Ngjarja vjen një ditë pasi Moska hodhi raketa mbi qytetin Chernihiv të Ukrainës, ku mbetën të vrarë 7 persona dhe u plagosën 140 të tjerë, mes tyre 15 fëmijë.

Një zyrtar i Kombeve të Bashkuar e cilësoi "të neveritshme", ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u zotua për një përgjigje të prerë ndaj sulmit terrorist.

Asnjëri nga të dy vendet nuk e merr zakonisht përgjegjësinë mbi sulmet, megjithatë Zelensky ka deklaruar se lufta po kthehet gradualisht në tokën ruse.

Ndërprerja e energjisë ngre alarmin në centralin bërthamor të kapur nga Rusia në Ukrainë

Fati i centralit bërthamor në mes të luftës më të madhe në Evropë në dekadat e fundit, ka ngritur shqetësime të mëdha qëkur Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës gati 18 muaj më parë.

Frika për ndonjë fatkeqësi nuk është zbutur, pasi luftimet po rriten jo shumë larg centralit.

Më 10 gusht, linja kryesore e rrymës në centralin bërthamor në Zaporizhja u shkyç dy herë, duke e detyruar atë të mbështetet vetëm në linjën e fundit të rrymës jashtë zonës.

Linja kryesore u kyç përsëri kah mbrëmja. Ndërkohë, ministri i Energjisë i Ukrainës foli për rrezikun e një shkrirjeje bërthamore.

A është pushtimi rus i Ukrainës gati të shkaktojë katastrofë bërthamore?

Steven Nesbit, një veteran i industrisë së centralit bërthamor, i cili ishte president i Shoqërisë Bërthamore Amerikane më 2021/22, tha për Radion Evropa e Lirë se centrali bërthamor i Zaporizhjas është në rrezik që nga fillimi i pushtimit rus. Por, dështimi i linjës së rrymës jashtë zonës nuk e bëri vlerësimin e gjendjes nga ai më të keqe seç ka qenë.

“Nuk shoh asgjë të re tani që duhet t’i shqetësojë vërtet njerëzit për gjendjen tashmë të padëshirueshme”, tha ai, duke shtuar se linjat e rrymës jashtë zonës janë shkyçur më herët për shkak të luftës.

“Nuk do të habitesha nëse do të ndodhte përsëri, por humbja e njërës prej linjave të rrymës për një periudhë kohore nuk është arsyeje për shqetësim të panevojshëm”, tha Nesbit.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link

Kremlini e fut në listën e agjentëve të huaj edhe ish-këshilltarin e Putinit

Ministria ruse e Drejtësisë përfshiu Andrey Illarionov, ish-këshilltar ekonomik i Kremlinit, në të ashtuquajturën listë të agjentëve të huaj.

Personat që janë në listën e agjentëve të huaj të monitoruar nga autoritetet në Rusi duhet të paraqesin informacione të detajuar për burimet e tyre të të ardhurave, shpenzimet dhe aktivitetet e ndryshme pranë autoriteteve kompetente, në të kundërt kërcënohen me ndjekje penale.

Në vitin 2005, Ilarionov ndërpreu bashkëpunimin me Kremlinin dhe u transferua në Shtetet e Bashkuara, ku aktualisht punon në Qendrën e Uashingtonit për Politikat e Sigurisë. Ai kritikon pushtimin e Ukrainës nga ushtria ruse dhe e përshkruan politikën ruse të viteve të fundit si një “katastrofë”.

Ministria ruse e Drejtësisë e justifikoi përfshirjen e Ilarionov në listën e agjentëve të huaj me faktin se ai “përhap informacion të rremë” për autoritetet ruse dhe vendimet e tyre.

Përveç Illarionov, listës së agjentëve të huaj iu shtuan të premten edhe gjashtë persona: aktivistët Vladimir Dovganov dhe Sardylana Kondakovova, politologu Andrei Piontkovskij, aktivisti për të drejtat e njeriut dhe ish-anëtar i Këshillit Presidencial për të Drejtat e Njeriut, Sergey Krivenko, shkrimtarja Tatiana Sotnikova dhe poeti dhe kritiku, Linor Goralikova.

Ata fituan statusin e agjentit të huaj kryesisht për shkak të kritikave të tyre ndaj të ashtuquajturit ‘operacion special ushtarak’, siç e quan Kremlini luftën e nisur kundër Ukrainës

Ministria akuzoi gjithashtu Goralik për promovimin e marrëdhënieve LGBTI+, “gjë që bie ndesh me politikën shtetërore të ruajtjes dhe forcimit të vlerave tradicionale shpirtërore dhe morale ruse, si dhe prioritetet kushtetuese në fushën e mbrojtjes së familjes, amësisë dhe fëmijërisë”. 

SHBA-ja lejon aleatët ta furnizojnë Ukrainën me aeroplanët F-16

Ukraina ka mirëpritur vendimin për armatosjen me aeroplanë. Për këtë vendim ka bërë presion që prej vitit të kaluar. Mirëpo do të duhen disa muaj para se Kievi të jetë e gatshme të përdor aeroplanët F-16 për t’iu kundërpërgjigjur superioritetit ajror të Rusisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar transferimin e aeroplanëve amerikanë F-16 në Ukrainë. Transferimi i aeroplanëve do të bëhet nga Danimarka dhe Holanda, kur pilotët ukrainas do të jenë plotësisht të stërvitur për të drejtuar këta aeroplanë.

“Në këtë mënyrë, Ukraina mund të marrë avantazhet e plota të kapaciteteve të reja”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit të premten në mbrëmje.

Ukraina ka mirëpritur vendimin për armatosjen me aeroplanë. Për këtë vendim ka bërë presion që prej vitit të kaluar. Mirëpo do të duhen disa muaj para se Kievi të jetë e gatshme të përdorë aeroplanët F-16 për t’iu kundërpërgjigjur superioritetit ajror të Rusisë.

Holanda mendohet se ka 24 aeroplanë F-16, të cilët pritet t’i heqë nga përdorimi dhe t’i zëvendësojë me aeroplanë më të avancuar. Edhe Danimarka po mendon të përmirësojë flotën ajrore që tani ka 30 aeroplanë F-16.

SHBA-ja dhe aleatët e saj në fillim të vitit kishin kundërshtuar armatosjen e Ukrainës me aeroplanët F-16, me frikën se kjo do të përkeqësonte situatën me Rusinë e armatosur me bomba bërthamore.

Si Danimarkës ashtu edhe Holandës u janë dhënë “garanci formale” për transferimin e aeroplanëve F-16, ka deklaruar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. Ai ka shtuar se kjo do të ndodhë “sapo grupi i parë i pilotëve të përfundojë trajnimin e tyre”.

Ministri i Jashtëm holandez, Wopke Hoekstra, përshëndeti vendimin e SHBA-së, duke thënë se “ky shënon moment historik për Ukrainën për të mbrojtur popullin dhe vendin e saj”. “Tani do të diskutojmë më tej këtë temë me partnerët tanë evropianë”, shkroi ai në një postim në rrjetin social “X”.

Ministri danez i Mbrojtjes, Jakob Ellemann-Jensen, pati qëndrime të njëjta.

“Qeveria ka thënë disa herë se dhurimi [i aeroplanëve] është hap i natyrshëm pas stërvitjes. Ne po e diskutojmë atë me aleatët e ngushtë”, ka thënë ministri danez.

Në Ukrainë, ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, e përshkroi vendimin e SHBA-së si “lajm të madh”.

“Ushtria jonë ka dëshmuar se është e mbushur me nxënës të shpejtë. Së shpejti do të dëshmojmë se fitorja e Ukrainës është e pashmangshme. Faleminderit të gjithë partnerëve dhe miqve tanë në Shtetet e Bashkuara, Holandë dhe Danimarkë. Më tej drejt fitores!”, ka shkruar ai në “X”.

Koalicioni prej 11 shteteve aleate të Ukrainës do të fillojë trajnimin e pilotëve ukrainas më vonë këtë muaj dhe ata pritet të jenë gati vitin e ardhshëm.

Në fillim të kësaj jave, zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yuriy Ihnat, pranoi se Kievi nuk do të jetë në gjendje të operojë F-16 këtë vjeshtë dhe dimrin që vjen.

F-16 Fighting Falcon konsiderohet si një nga aeroplanët luftarakë më të besueshëm në botë. Sipas Forcave Ajrore të SHBA-së, aeroplani mund të armatoset me raketa dhe bomba të drejtuara me saktësi dhe është në gjendje të fluturojë me shpejtësi 2 mijë e 400 kilometra në orë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat