VOA/ Zelensky në Athinë për takime me udhëheqësit e Ballkanit dhe BE-së

Evropë

VOA/ Zelensky në Athinë për takime me udhëheqësit e Ballkanit dhe BE-së

Më: 21 gusht 2023 Në ora: 22:12
Foto nga takimi

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky të hënën ndodhet në Greqi për bisedime me udhëheqësit e këtij vendi, e të vendeve të tjera të Ballkanit, si dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.

Zoti Zelensky u takua me Kryeministrin grek Kiyriakos Miksotakis dhe më vonë pritet të takohet me Presidenten e vendit, Katerina Sakellaropoulou.

Në mbrëmje Presidenti Zelensky pritet të marrë pjesë në një darkë të shtruar nga zoti Mitsotakis për zyrtarë të lartë të nëntë vendeve të Ballkanit, Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen si dhe Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, thuhet në një njoftim të zyrës së zyrës së kryeministrit grek. Në këtë ngjarje pritet të diskutohet mbi të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Shumë vende të këtij rajoni tashmë janë anëtare të BE-së, ndërsa vendet e tjera janë në proces anëtarësimi.

Greqia u është bashkuar partnerëve të saj të NATO-s dhe BE-së në mbështetje të Ukrainës kundër agresionit rus dhe ka ofruar ndihmë ushtarake, përfshirë automjete ushtarake dhe municione.

Por Athina i ka rezistuar trysnisë për ta furnizuar Kievin me një sistem rus të mbrojtjes ajrore, të dislokuar në ishullin e Kretës. Greqia është e angazhuar në një fushatë të blerjes së armëve për ushtrinë e saj mes tensioneve në rritje me Turqinë, vendin fqinj, aleatin e NATO-s dhe rivalin e saj historik rajonal.

Darka në Athinë po mbahet për të shënuar 20 vjetorin e takimit BE-Ballkani Perëndimor në Selanik që kishte për synim të përshpejtonte përpjekjet e vendeve të rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Presidentët e Serbisë, Malit të Zi dhe Moldavisë, kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Bullgarisë, Kroacisë dhe Rumanisë, dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës pritet marrin pjesë në darkën e punës në Athinë. Kryeministri grek Miktsotakis do të zhvillojë takime të veçanta me disa nga udhëheqësit e këtyre vendeve të hënën dhe të martën.

Një mungesë e theksuar në takim është ajo e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Marrëdhëniet e Greqisë me fqinjin e saj veriperëndimor u përkeqësuan për shkak të burgosjes së kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili i arrestua në maj nën dyshimet për blerje votash.

Athina këmbëngul se ndalimi i Fredi Belerit, i cili përfaqëson votuesit e pakicës greke në Himarë, u bë për motive politike dhe ka bërë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.

“Besoj se të gjithë e kuptojnë se nuk ishte e mundur që zoti Rama të ftohej në një iniciativë kaq të rëndësishme”, tha zëdhënësi i qeverisë greke Pavlos Marinakis.

“Ne jemi serioz kur themi se rruga evropiane e Shqipërisë kalon përmes respektimit themelor të rregullave dhe ligjeve evropiane”, tha ai, duke vënë në dukje se presidenti i Shqipërisë nuk e kishte pranuar ftesën për të marrë pjesë në këtë takim./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat