Hetimet e Moskës: Yevgeni Prigozhin, ndodhej në avionin e aksidentuar

Evropë

Hetimet e Moskës: Yevgeni Prigozhin, ndodhej në avionin e aksidentuar

Më: 27 gusht 2023 Në ora: 14:54
Yevgeny Prigozhin

Një komision hetimor i Rusisë bëri të ditur të dielën se ka konfirmuar se Yevgeny Prigozhin, themeluesi dhe kreu i grupit rus të mercenarëve Wagner, ishte mes personave që gjetën vdekjen gjatë një aksidenti ajror më 23 gusht.

Në një deklaratë të zëdhënëses së komisionit, Svetlana Petrenko, thuhej se analizat mjeko-ligjore e gjenetike identifikuan të 10 trupat e gjetur në vendin e rrëzimit të avionit dhe se gjetjet "përputheshin me listën e personave" në bord. Por deklarata nuk ofronte asnjë detaj se çfarë mund të ishte bërë shkak për rrëzimin e avionit, raporton VOA.

Në fillim të kësaj jave Autoriteti rus i Aviacionit Civil tha se 62 vjeçari Yevgeny Prigozhin si dhe disa nga togerët e tij të lartë ishin në listën e pasagjerëve. Të shtatë pasagjerët dhe tre anëtarët e ekuipazhit humbën jetën kur avioni u rrëzua në gjysmë të rrugës ndërsa udhëtonte nga Moska drejt Shën Petersburgut, qyteti i lindjes së zotit Prigozhin.

Dy muaj më parë, Yevgeny Prigozhin kreu një rebelim njëditor kundër ushtrisë ruse, duke i çuar mercenarët e tij nga Ukraina drejt Moskës. Presidenti Vladimir Putin e cilësoi aktin si "tradhti" dhe u zotua për ndëshkimin e organizatorëve të tij.

Por më pas Kremlini shpejtoi një marrëveshje me zotin Prigozhin për t'i dhënë fund revoltës së armatosur, nuk e procedoi atë penalisht, si dhe e la të zhvendosej në Bjellorusi, bazuar në një marrëveshje të negociuar nga presidenti i këtij vendi. Megjithatë shumë pikëpyetje vazhdonin të ishin pa përgjigje sikurse ajo që lidhej me fatin e zotit Prigozhin e nëse ai do të përballej me një ndëshkim pas rebelimit, që u pa gjerësisht si sfida më të madhe ndaj sundimit 23 vjeçar të Vladimir Putinit.

Sipas një vlerësimi paraprak të agjencive amerikane të zbulimit, avioni u rrëzua nga shpërthim i qëllimshëm. Mes dyshimeve në rritje se presidenti rus mund të ishte arkitekti i këtij atentati, Kremlini i hodhi poshtë këto qëndrime, duke i quajtuar ato tërësisht gënjeshtra.

Një nga zyrtarët amerikanë tha se Yevgeny Prigozhin ishte "me shumë gjasë" në shënjestër dhe se ngjarja përputhet me "historinë e gjatë të Putinit për t'u mbyllur gojën kritikëve të tij".

Në aksident humbën jetën edhe dy udhëheqës të tjerë të grupit Wagner, komandanti i dytë, Dmitry Utkin, si dhe organizatori i logjistikës Valery Chekalov.

Me vdekjen e Yevgeny Prigozhinit fati i grupit Wagner, i cili deri vonë ka luajtuar një rol të rëndësishëm në fushatën ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe ishte i përfshirë në një numër vendesh afrikane dhe të Lindjes së Mesme, ka mbetur i paqartë.

Pas rebelimit të këtij grupi, Kremlini tha se zoti Prigozhin do të zhvendosej në Bjellorusi dhe luftëtarëve të tij iu ofruan tre opsione: të shkonin me të, të tërhiqeshin ose të regjistroheshin në ushtrinë e rregullt të Rusisë e të ktheheshin në Ukrainë, ku mercenarët e grupit Wagner kishin luftuar përkrah trupave ruse.

Disa mijëra mercenarë të Wagner-it zgjodhën të shkonin në Bjellorusi dhe u vendosën në një kamp në juglindje të kryeqytetit të vendit, Minskut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat