Familjarët “luftë” për trashëgiminë e Prigozhin, nga minierat te kompanitë e ndërtimit, zbardhet pasuria marramendëse që la ai

Evropë

Familjarët “luftë” për trashëgiminë e Prigozhin, nga minierat te kompanitë e ndërtimit, zbardhet pasuria marramendëse që la ai

Më: 5 shtator 2023 Në ora: 07:41
Yevgeny Prigozhin

Në sferën e aktorëve enigmatikë të pushtetit në Rusi, emri i Yevgeny Prigozhin ka mrbetëruar gjithmonë. I njohur për lidhjen e tij me Agjencinë e Kërkimeve në Internet dhe lidhjet e supozuara me qeverinë ruse, Prigozhin ka lënë gjithashtu gjurmë të konsiderueshme në botën e biznesit. Me një perandori që përfshin sektorë të ndryshëm, nga kateringu tek media, pasuria e tij neto është bërë objekt spekulimesh dhe intrigash kudo, para edhe pas vdekjes. Shumë media janë përpjekur të gërmojnë në “universin financiar” të Prigozhin, duke u përpjekur të zbulojnë sekretet që fshihen pas vlerës së tij marramendëse neto. Megjithatë, kjo çështje është bërë “mollë sherri” edhe mes familjarëve të ish-kreut të grupit mercenar rus, Wagner, që vdiq tragjikisht në një aksident ajror, edhe para se ai të vdiste. Kanali rus i lajmeve në internet "Mozhem Obyasnit" raportoi se ka filluar rishpërndarja e aseteve nga perandoria e Prigozhin-it, e cila përfshinte dhjetëra kompani dhe të ardhura vjetore deri në qindra miliarda rubla.

“Perandoria” e Prigozhin

Shtrirja e vërtetë e perandorisë së përhapur të Prigozhin është e panjohur, por gjatë një bastisjeje në shtëpinë e tij në Shën Petersburg pasi ai udhëhoqi një kryengritje kundër pushtetit të lartë të Kremlinit më 24 qershor, autoritetet zbuluan vulat e 600 personave të ndryshëm juridikë, duke sugjeruar se ai ishte i përfshirë në aktivitetet e qindra kompanive. Në letër, ai ka krijuar biznese në të paktën 15 vende. Prigozhin njihet më së shumti për kontratat e kateringut që siguroi me Kremlinin, gjë që i dha pseudonimin "kuzhinieri i Putinit". Sipërmarrjet e tij të biznesit përfshinin gjithashtu "fabrikën e trolleve" e cila punëson njerëz për të përhapur dezinformata, një muze çokollate në Shën Petersburg, një kompani ndërtimi pronash dhe Megaline, një kompani që mbikëqyr ndërtimin e kampeve ushtarake. Ai gjithashtu ka investuar në miniera, veçanërisht në Afrikë. Megjithatë, thuhet se vlera e përgjithshme e pasurisë së tij shkon deri në 1 miliardë dollarë.

“Lufta” e familjarëve

“Mozhem Obyasnit” identifikoi tetë nga kompanitë më fitimprurëse të Prigozhin-Lakhta Plaza, Lakhta Park, Megaline, Main Line, Pishchevik, Food Plant, RIA FAN dhe Nevskie Novosti, dhe zbuloi se kishte patur ndryshime strukturore në disa prej tyre edhe para vdekjes së tij. Ditë përpara se të vdiste Prigozhin, u bënë ndryshime në kompaninë e zhvillimit Lakhta Plaza, e cila ndërton qendra biznesi, hotele dhe ndërtesa banimi në Shën Petersburg dhe kontrollohet nga djali i tij, Pavel Prigozhin.  Drejtorët e rinj të përgjithshëm u emëruan për kompaninë dhe të tjerët në pronësi të djalit të Prigozhin më 26 qershor, ditë pas rebelimit të dështuar të shefit të Wagner. U zbulua gjithashtu se nëna e Prigozhin, Violetta, fshehu informacione për veten në regjistrat shtetërorë. Ajo ishte themeluese e fondacionit Colors of Life, i cili organizonte ekspozita arti. E veja e Prigozhin, Lyubov, thuhet se u hoq si pronare e dy prej kompanive më të mëdha të Prigozhin dhe u zëvendësua nga Dmitry Koshara, një partner prej kohësh i "kuzhinierit të Putinit". Sipas “Mozhem Obyasnit”, marrëdhëniet midis Lyubov dhe burrit të saj ishin përkeqësuar dhe asaj i ishin hequr aksionet në një numër kompanish në perandorinë e Prigozhin. Ajo nuk u pa në funeralin e tij.

Pasuria marramendëse

Ngjitja e Prigozhin në pushtet dhe arritja e asaj pasurie marramendëse ka patur edhe pengesa, përfshirë probleme ligjore dhe sanksione ndërkombëtare. Qeveria amerikane, ndër të tjera, e ka vënë në “shënjestër” atë me sanksione për shkak të përfshirjes së tij të dyshuar në aktivitete të ndryshme të diskutueshme. Megjithatë, ashtu si vetë ai, edhe kur vjen puna tek pasuria, ka mister. Nga fillimet e përulura si shitës hot-dog deri tek komandimi i një perandorie të madhe biznesi, ai ka qenë “i përndjekur” nga polemika, sfida ligjore dhe tensione gjeopolitike. Aura enigmatike e Prigozhin vazhdon të tërheqë vëmendjen e botës, duke na lënë të mendojmë për shifrat reale pas emrit të tij dhe perandorisë që ai ka ndërtuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat