LIVE/ Njoftimi misterioz i Medvedevit: Fajësoi rusët, merreni me mend se çfarë e pret - Zelensky flet për ‘formulën e paqes’

Evropë

LIVE/ Njoftimi misterioz i Medvedevit: Fajësoi rusët, merreni me mend se çfarë e pret - Zelensky flet për ‘formulën e paqes’

Nga: Bota sot Më: 19 shtator 2023 Në ora: 06:34 Përditësuar në ora: 22:06 më 19.09.2023
Medevev

Njoftimi misterioz i Medvedevit: Fajësoi rusët dhe shkoi në NATO, merreni me mend se çfarë e pret

Zëvendëspresidenti i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitry Medvedev, ka pasur sot një njoftim misterioz në kanalin e tij Telegram, shkruan Fontanka.

Nuk dihet nëse njoftimi ka lidhje me përkeqësimin e situatës në Nagorno-Karabakh.

Ndryshe, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit njoftoi sot fillimin e “masave anti-terroriste” në Nagorno-Karabakh.

“Një herë një kolegu im nga një vend vëllazëror më tha: “Epo, unë jam i huaj për ty, nuk do të më pranosh”, i thash “nuk do të gjykojmë nga biografia, por nga veprat”. Më pas humbi luftën, por në mënyrë të quditshme ruajti pozitën. Vendosi të fajësojë Rusinë për humbjen e tij mediokër”, shkroi Medvedev.

“Më pas hoqi dorë nga një pjesë e territorit të vendit të tij. Vendosi të flirtonte me NATO-n dhe gruaja e tij shkoi me biskota te armiqtë tanë. Merreni me mend se çfarë fati e pret”, vazhdoi ai.

Armenia ka qenë aleat i Rusisë, por marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar kohët e fundit. Në një intervistë të fundit me një gazetë italiane, kryeministri armen, Nikol Pashinyan u ankua se Rusia nuk arriti të mbronte Armeninë nga agresioni i vazhdueshëm nga Azerbajxhani.

Pastaj Armenia njoftoi dy javë më parë se do të organizonte një stërvitje të përbashkët ushtarake me Shtetet e Bashkuara, gjë që zemëroi rusët.

Pas kësaj, Moska e ftoi ambasadorin armen të fliste me të për t’i shprehur atij një protestë kundër një sërë hapash armiqësorë të qeverisë armene.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme ruse përmendi vendimin e Jerevanit për t’u bashkuar me Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC), për të pritur stërvitje ushtarake me SHBA-në dhe për gruan e kryeministrit armen të vizitojë Ukrainën për të ofruar ndihma humanitare. 

Ukrainasit publikojnë pamjet, helikopterët luftarakë sulmojnë pozicionet mbrojtëse të rusëve

Ukrainasit kanë publikuar pamjet, me të cilat pretendojnë se helikopterët e tyre luftarake kanë sulmuar pozicionet mbrojtëse të rusëve.

Videoja raportohet të jetë filmuar në fushëbetejë në lindje të vendit.

Kundërofensiva është duke vazhduar, e pavarësisht se po shkon më ngadalë sesa që ishte planifikuar, ukrainasit pretendojnë se po avancojnë duke thye pozicionet mbrojtëse të rusëve – përfshirë istikamet e hapura për pozicionimin e rusëve të ashtuquajturat dhëmbët e dragoit dhe fushat e minuara, ku të gjitha këto janë sulmuar me artileri të rëndë.

“Mos të harrojmë se po flasim për ushtrinë të cilës ia kishin frikën shumëkush deri një vit më parë, e sot po flasim për ofensivën ukrainase që ka mësyrë në shumë anë”, tha për CNN, Mihailo Podolyak, këshilltari i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ndryshe Zelensky është duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, ku në orarin e takimeve ka të paraparë edhe bisedat me zyrtarë të lartë amerikanë.

Britania e Madhe zotohet të dërgojë ‘dhjetëra mijëra’ predha të tjera artilerie në Ukrainë

Britania e Madhe është zotuar të dërgojë dhjetëra mijëra predha të tjera artilerie në Ukrainë këtë vit, sapo ka njoftuar Sekretari i ri i Mbrojtjes, Grant Shapps.

Kjo vjen pasi Britania e Madhe përfundoi dorëzimin e predhës së saj të 300,000-të në Ukrainë së fundmi.

“Sot ne kemi demonstruar përkushtimin e palëkundur të Britanisë ndaj Ukrainës dhe kemi vendosur më shumë mbështetje ushtarake, duke përfshirë premtimin e dhjetëra mijëra predhave të tjera artilerie për t’i mundësuar Ukrainës të mbrohet kundër pushtimit të paprovokuar të Rusisë dhe të rimarrë territoret e pushtuara ilegalisht”, shtoi Shapps.

“Për t’u siguruar që Ukraina ka atë që i nevojitet për të mbrojtur veten ndërsa i afrohemi dimrit, ne kemi përcaktuar gjithashtu se si Britania e Madhe do të shkojë më tej në muajt e ardhshëm në fushat tona të mbështetjes prioritare, duke përfshirë mbrojtjen ajrore dhe aftësitë e goditjes me rreze të gjatë dhe trajnimin”, shtoi ai.

“Presidenti Putin duhet të jetë i shqetësuar”, tha shefi i Shtabit të Mbrojtjes, Admirali Sir Tony Radakin.

“Ky është një demonstrim i prekshëm i vendosmërisë së vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar për të mbështetur Ukrainën me mbështetjen ushtarake që ajo kërkon gjatë dimrit dhe deri në vitin 2024”, shtoi ai.

Deri më sot, Britania e Madhe ka furnizuar me më shumë se 12,000 armë antitank, 300,000 fishekë municione artilerie, mijëra raketa të mbrojtjes ajrore, artileri mobile dhe më shumë se 200,000 pajisje jo-vdekjeprurëse, duke përfshirë veshje të motit ekstrem të ftohtë, pajisjet e zbulimit dhe gjeneratorët.

Biden i kërkon botës të bashkohet kundër Rusisë

Presidenti amerikan, Joe Biden u ka bërë thirrje liderëve botërorë që të qëndrojnë afër Ukrainës teksa ajo e lufton pushtimin rus, me shpresën se edhe republikanët në Kongresin amerikan do të mbajnë shënime.

“Rusia beson se bota do të lodhet dhe do ta lejojë atë që të jetë brutale ndaj Ukrainës, pa ndonjë pasojë”, ka thënë Biden në fjalimin e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Nëse e lejojmë Ukrainën që të gërmohet, a është e sigurt pavarësia e ndonjë vendi?”

Biden, demokrat, është duke bërë vazhdimisht thirrje që aleatët e Shteteve të Bashkuara ta mbështesin Ukrainën, me arsyetimin se bota duhet t’i dërgojë sinjal presidentit rus, Vladimir Putin se ai nuk do të mund t’i bëjë ballë Perëndimit.

Fjalimi i tij është përcjell me duartrokitje kur ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë me Ukrainën në luftën e saj për liri.

“Rusia është ajo që e mban përgjegjësinë për këtë luftë. Rusia e ka forcën që ta ndalë këtë luftë menjëherë”.

Biden është përballur me kritika nga disa republikanë, të cilët dëshirojnë që Shtetet e Bashkuara të shpenzojnë më pak para për këtë luftë./REL

Artikullin e plotë mund ta lexoni ketu

Putin pritet të udhëtojë në Kinë në tetor

Presidenti rus Vladimir Putin pritet të udhëtojë në Pekin në tetor pë bisedime të drejtpërdrejta me homologin e tij kinez Xi Jinping.

Lajmi është bërë i ditur nga Interfax, duke cituar sekretarin e këshillit rus të sigurimit, Nikolai Patrushev.

Rikujtojmë se presidenti kinez Xi Jinping ishte në Rusi në një vizitë 3 ditore, ku zhvilloi disa takime të njëpasnjëshme dhe u takua gjithashtu me homogolun e tij.

Udhëheqësi kinez dhe presidenti rus Vladimir Putin u zotuan të thellojnë lidhjet në një shfaqje uniteti që ka rritur shqetësimet se Pekini do të sigurojë sërish mbështetje për luftën e Kremlinit në Ukrainë.

Zelensky: Putin është “Hitleri i dytë”

Volodymyr Zelenskyy ka fajësuar Rusinë për “ngritjen e një Hitleri të dytë” në formën e Vladimir Putin.

Duke folur me CBS në 60 Minutes të dielën, presidenti ukrainas tha se Ukraina po lufton për të parandaluar Luftën e Tretë Botërore.

“Ne nuk mund ta ndryshojmë Putinin. Shoqëria ruse ka humbur respektin e botës, ata e zgjodhën dhe e rizgjodhën dhe ngritën një Hitler të dytë.

“Ata e bënë këtë. Ne nuk mund të kthehemi pas në kohë. Por ne mund ta ndalojmë këtu,” tha Zelensky.

Në gjyq për gjenocid, nis seanca e dytë dëgjimore mes Ukrainës dhe Rusisë

Ditën e djeshme Rusia dhe Ukraina u përballen para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pretendimet ruse se ai që e konsideron si operacion special, është bërë për të parandaluar një gjenocid.

Ka qenë Ukraina ajo e cila solli këtë rast në Hagë disa ditë pasi nisi pushtimi rus më 24 shkurt të vitit të kaluar.

Kievi argumentoi se Rusia po shkel ligjin ndërkombëtar duke thënë se pushtimi justifikohet me gjenocidin e pretenduar në lindje të Ukrainës. Zyrtarët rusë vazhdojnë ta akuzojnë Ukrainën se po kryen gjenocid, teksa Kremlini kërkon që rasti të hidhet poshtë dhe kundërshton juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Moska ka thënë se Ukraina po e përdor këtë rast për të fituar një vendim gjyqësor lidhur me ligjshmërinë e veprimit ushtarak të Rusisë, teksa pritet që seanca dëgjimore të zgjatë deri më 27 shtator.

Në ditën e dytë të gjyqit në Hagë, Ukraina i tha gjykatës më të lartë të OKB-së se Rusia justifikoi luftën kundër Ukrainës duke thënë një gënjeshtër, se pushtimi i Moskës ishte për të ndaluar një gjenocid të supozuar.

“Komuniteti ndërkombëtar miratoi Konventën e Gjenocidit për të mbrojtur, ndërsa Rusia e shkatërroi atë,” tha përfaqësuesi i Ukrainës, Anton Korynevych para gjyqëtarëve.

Ai i bëri thirrje Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) që të vendosë se ka juridiksion për të dëgjuar plotësisht çështjen dhe përfundimisht të vendosë se Rusia duhet të paguajë dëmshpërblime për pushtimin nën një pretekst të rremë.

Pse kubanezët po shkojnë të luftojnë për Rusinë në Ukrainë – dhe më vonë po kërkojnë të kthehen në shtëpi?

Për muaj të tërë, qindra kubanë janë larguar në heshtje nga ishulli për të luftuar për Rusinë në luftën e saj në Ukrainë.

Sipas mediave të huaja,  me këtë ata kanë “ndjekur” premtimet për para dhe shtetësi ruse nga rekrutuesit e fshehtë në internet.

Në pjesën më të madhe të Kubës, ekonomia është ndalur teksa ishulli i drejtuar nga komunistët përballet me rënie të mprehtë të turizmit, rritje e inflacionit dhe ripërtëritje e sanksioneve të SHBA-së.

Në vende si Santa Clara, një qytet me rreth 250,000 njerëz me ndërprerje të shpeshta ditore për orë të tëra të energjisë elektrike dhe më shumë kuaj dhe karroca në rrugë sesa makina, kishte një numër të pakufizuar burrash të pakënaqur – të gatshëm për t’u rekrutuar.

Burra si Miguel, i cili në korrik udhëtoi për në Rusi dhe menjëherë pas kësaj ishte në vijën e parë të luftës me Ukrainën, tha nëna e tij Cecilia për CNN.

“Djali im fitonte rreth 2000 pesos në muaj”, tha ajo duke punuar në punë të çuditshme në Santa Clara. “Nuk mund të blesh një kuti vezë me to tani. Ai thjesht donte të na bënte jetën më të mirë”.

Cecilia tha se kishte frikë nga reprezaljet ruse kundër djalit të saj dhe i kërkoi CNN të mos identifikonte asnjërin prej tyre dhe të përdorte pseudonime në vend të emrave të tyre të vërtetë.

Por shumë shpejt Miguel i tha nënës së tij se donte të kthehej në shtëpi.

“Ai ka parë atë që shihni në një luftë”, ka thënë Cecilia. “Ai tha se ka parë të plagosur. Se në spital njerëzit mbërritën pa krahë dhe këmbë. Ai nuk është mësuar ta shohë gjëra të tilla”.

Miguel u ankua për sëmundje për të mos pasur nevojë të luftonte, por oficerët e tij eprorë rusë nuk i pranuan justifikimet e tij.

Herën e fundit që Miguel foli me nënën e tij në shtator, ai tha se oficerët rusë ia kishin hequr telefonin si ndëshkim dhe se duhej të korruptonte njërën prej tyre që të mund ta përdorte telefonin përsëri. 

Shefi i Inteligjencës së Mbrojtjes së Ukrainës parashikon se kur Rusisë i mbarojnë armët për luftë

Kyrylo Budanov, shefi i Inteligjencës së Mbrojtjes së Ukrainës (DIU), beson se ekonomia ruse do të “rezistojë” vetëm deri në vitin 2025 nëse agresioni kundër Ukrainës vazhdon dhe furnizimi i armëve të agresorit do të “shteret” në vitin 2026 ose më herët.

Sipas mediave të huaja, mes raporteve se Rusia është gati të shtojë fushatën e saj të mobilizimit, Budanov vuri në dukje se fuqia njerëzore është avantazhi i vetëm i qartë i Rusisë ndaj Ukrainës.

“Burimet njerëzore në Rusi janë relativisht të pakufizuara. Cilësia është e ulët, por sasia është e mjaftueshme”, citohet të ketë thënë ai.

Por sa i përket aspekteve të tjera të përpjekjeve të luftës, Budanov beson se burimet e Rusisë po mbarojnë dhe se koha e shpagimit do të vijë së shpejti.

Ai thotë se ekonomia ruse “do të përballojë” vetëm deri në vitin 2025, dhe fluksi i armëve do të “shteret” në vitin 2026, “ndoshta më herët”.

Shefi i DIU beson se bisedimet e presidentit rus Vladimir Putin me Korenë e Veriut tregojnë qartë problemet e tij.

“Nëse gjithçka është në rregull dhe Rusia ka burime të mjaftueshme, pse po kërkon të tjera në të gjithë botën? Përgjigja është e qartë. Nuk ka asgjë për të nxjerrë më”, tha ai.

Ndërkohë, Budanov pranon se Ukraina rrezikon gjithashtu të shpenzojë burimet e veta.

“Ne jemi të varur nga lojtarët e jashtëm. Rusia është kryesisht e varur nga vetvetja”, ka theksuar ai.

Në të njëjtën kohë, ai hodhi poshtë idenë se mbështetja për Ukrainën nga partnerët e saj së shpejti mund të zvogëlohet.

Ndryshe, në të njëjtën intervistë, Budanov kishte thënë se Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës mund të jenë në gjendje të shkëputin korridorin tokësor të Rusisë me Krimenë e pushtuar përpara fillimit të dimrit.

Ukraina padit fqinjët evropianë për ndalesën në importet ushqimore

Ukraina ka dorëzuar padi në Organizatën Botërore të Tregtisë kundër Sllovakisë, Polonisë dhe Hungarisë, për shkak të ndalesave të tyre në importet e mallrave ushqimore nga Kievi.

Ky vend ka thënë se kufizimet e tilla i shkelin obligimet ndërkombëtare të fqinjëve evropianë të Ukrainës.

Në anën tjetër, këto vende të Bashkimit Evropian, kanë thënë se ndalesat janë të nevojshme për t’i mbrojtur bujqit nga importet e lira.

Lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur vitin e kaluar, e ka pamundësuar bartjen e mallrave ukrainase përmes Detit të Zi, dhe sasi të mëdha të grurit kanë përfunduar në qendër të Evropës.

“Është thellësisht e rëndësishme për ne të dëshmojmë se vendet individuale nuk mund t’i ndalojnë importet e mallrave ukrainase”, ka thënë ministrja ukrainase e Ekonomisë Yulia Svyrydenko.

“Për këtë arsye jemi duke nisur padi kundër Sllovakisë, Polonisë dhe Hungarisë në Organizatën Botërore të Tregtisë”.

Ajo ka thënë se eksportet ukrainase “veçse janë dëmtuar dhe vazhdojnë të dëmtohen” nga ndalesat e njëanshme.

Polonia ka thënë se do ta vazhdojë ndalesën, pavarësisht padisë.

“Ne e ruajmë pozicionin tonë, mendojmë se është i drejtë, rezulton nga analiza ekonomike që del prej BE-së dhe ligjit ndërkombëtar”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë polake, Piotr Mueller.

Të premten e javës së kaluar, Komisioni Evropian, ka vendosur që të mos e vazhdojë një ndalesë – për të cilën është arritur pajtueshmëri më herët gjatë vitit – për qarkullim të importeve ukrainase në Bullgari, Hungari, Poloni, Rumani dhe Sllovaki.

Komisioni e ka përmendur se vendet nuk mund të marrin vendime individualisht për politikën e bllokut evropian me 27 anëtarë.

Mirëpo, qeveritë në Budapest, Varshavë dhe Bratisllavë e kanë sfiduar vendimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat