Serbia sërish i vetmi vend nga rajoni që nuk respektoi masat e BE-së kundër Rusisë

Evropë

Serbia sërish i vetmi vend nga rajoni që nuk respektoi masat e BE-së kundër Rusisë

Më: 19 shtator 2023 Në ora: 18:04
Foto ilustrim

Bashkimi Evropian mori një vendim për të zgjatur masat kufizuese ndaj Krimesë dhe Sevatopolit, të cilat janë aneksuar nga Federata Ruse, deri në 23 qershor të viti 2024.

Siç shihet nga njoftimi i Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borrell, këtë masë e kanë respektuar të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE nga rajoni, përveç Serbisë, shkruan European Western Balkans.

“Bashkimi nuk e njeh dhe vazhdon ta dënojë aneksimin e paligjshëm të Krimesë dhe Sevastopolit nga Federata Ruse si shkelje e ligjit ndërkombëtar. Unioni mbetet i palëkundur në angazhimin e tij ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe është i përkushtuar për të zbatuar plotësisht politikën e tij të mosnjohjes”, thuhet në vendimin e BE-së.

Shtohet se masat kufizuese të vendosura me vendimin e vitit 2014, i cili ndalonte importin e mallrave me origjinë nga Krimea apo Sevastopoli, janë duke u zgjatur, raporton nova.rs.

Sipas Analizës së Përafrimit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së të publikuar nga Fondi ISAC në muajin korrik të këtij viti, Serbia vazhdoi me të njëjtat modele të (mos)përafimit me BE-në.

Vitin e kaluar, Serbia kishte një normë përputhshmërie me BE-në prej 48 për qind, që është rezultati më i keq nga të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE.

Megjithatë, ritmi më pak intensiv i prezantimit të paketave të reja të masave kufizuese kundër Rusisë nga BE e ndihmoi Serbinë të rriste shkallën e përputhshmërisë në 52 për qind (që paraqet një përmirësim të lehtë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur shkalla e pajtueshmërisë ishte 44 për qind). 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat