Serbia nuk rreshtohet pas Perëndimit në sanksionet ndaj Rusisë

Evropë

Serbia nuk rreshtohet pas Perëndimit në sanksionet ndaj Rusisë

Më: 23 shtator 2023 Në ora: 14:29
Aleksandar Vuçiq

Serbia nuk iu bashkua zgjatjes së sanksioneve ndaj Rusisë edhe kësaj radhe. Në vend të bashkimit me Perëndimin sa i përket kësaj çështje, Serbia zgjodhi të mos e prishë aleancën me partnerin tradicional të saj.

Pas refuzimit të vendosjes së sanksioneve, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka hedhur një sërë akuzash ndaj Perëndimit për hipokrizi duke u munduar të tërheqë paralele mes Kosovës dhe Ukrainës.

Duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuçiç tha të hënën se vendet perëndimore përmendën parimet e sovranitetit dhe të drejtave të njeriut kur miratuan statusin e Kosovës si një shtet i pavarur, shkruan Geopost.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 — gati një dekadë pasi NATO ndihmoi në shtyrjen e forcave serbe nga ish-krahina gjatë një lufte të përgjakshme që vrau rreth 13,000 njerëz, kryesisht shqiptarë etnikë. Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian e njohën Kosovën.

“Ata nuk qeshën me zë të lartë kur presidenti rus përdori të njëjtat fjalë duke justifikuar sulmin e tij kundër Ukrainës. Ata kanë harruar se ata vetë kanë përdorur të njëjtin tregim, të njëjtat fjalë dhe të njëjtat shpjegime”, tha Vuçiç për Perëndimin ku thotë se kinse e ka synim anëtarësimin. “Më keq se çdo gjë është se të gjithë ata që kryen agresion kundër Republikës së Serbisë sot ligjërojnë për integritetin territorial të Ukrainës”.

Beogradi, së bashku me aleatët e tij kryesorë Kinën dhe Rusinë, ka refuzuar të njohë pavarësinë e Kosovës.

Beogradi ka kërkuar të balancojë lidhjet e tij tradicionale me Rusinë, duke përfshirë trashëgiminë e përbashkët ortodokse dhe mospëlqimin e ndërsjellë të NATO-s.

Vuçiç në këtë Asamble të OKB-së përçoi mesazhin e Rusisë, e cila vazhdimisht tenton të lidhë Kosovën me Ukrainën duke u munduar ta arsyetojë agresionin e nisur në fqinjin e saj.

Serbia nuk është bashkëngjitur as në ripërtëritjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Rusisë. Me vendim të Këshillit të BE-së, i bërë publik të premten, janë vazhduar edhe për 12 muaj të tjerë sanksionet ndaj Rusisë për shkak të shkeljes së integritetit territorial i Ukrainës.

Këto sanksione parashikojnë kufizime të udhëtimit, ngrirje të aseteve dhe ndalim për vënien e fondeve ose burimeve të tjera ekonomike në dispozicion të pothuajse 1800 individëve dhe subjekteve.

Ndryshe nga Serbia, vendet kandidate si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina, Moldavia dhe Bosnja dhe Hercegovina, vendi potencial kandidat Gjeorgjia dhe vendet e EFTA-s Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia u rreshtuan pas vendimit për vazhdimin e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat