LIVE: Zbulohet skenari ekstrem i Putinit, paralajmërohet luftë bërthamore – ja detajet shokuese

Evropë

LIVE: Zbulohet skenari ekstrem i Putinit, paralajmërohet luftë bërthamore – ja detajet shokuese

Nga: Bota sot Më: 29 shtator 2023 Në ora: 06:51 Përditësuar në ora: 20:07 më 29.09.2023
Pamje nga lufta në Ukrainë

Putin: Të dënuarit rusë që vdiqën në Ukrainë “paguan” borxhin e tyre ndaj shoqërisë

Të dënuarit rusë, të cilët u rekrutuan nga burgjet dhe u vranë në frontin e Ukrainës, janë vlerësuar nga Vladimir Putin, duke thënë se me vdekjen e tyre ata kanë “shlyer” borxhin e tyre ndaj shoqërisë.

“Ata u vranë. Ne jemi të gjithë njerëz, të gjithë mund të bëjnë gabime, dhe ata bënë. Ata dhanë jetën për vendin e tyre dhe shlyen borxhin e tyre ndaj shoqërisë sa më shumë që të ishte e mundur”, tha Putin teksa mirëpriti ushtarët rusë të Kremlinit, të cilët, sipas Moskës, u dalluan në betejat në Ukrainë. “Ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të ndihmuar të afërmit e tyre”, shtoi ai.

Para se të fliste me ushtarët, Putin mbajti “një minutë heshtje në kujtim” të ish të burgosurve që vdiqën në një betejë pranë Urozaine, në frontin jugor në Ukrainë, dhe funeralet e të cilëve u mbajtën sot.

Presidenti rus tha se ushtarët rusë atje, për të cilët ministria e mbrojtjes tha se kishin zmbrapsur një sulm ukrainas, ishin një “shembull emblematik i guximit dhe heroizmit”.

Rekrutimi u bë kryesisht nga Wagner

Dhjetëra mijëra të burgosur u rekrutuan nga burgjet ruse për të luftuar në Ukrainë, në këmbim të premtimit për lirimin e tyre, pas fillimit të pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022. Rekrutimi ishte kryesisht nga grupi paraushtarak Wagner , por edhe nga ushtria e rregullt ruse.

Të dënuarit luftuan kryesisht në Bahamut, betejën më të përgjakshme të luftës. Pas riintegrimit në shoqëri, disa nga ish-të burgosurit kryen krime të reja, sipas mediave ruse.

Shefi i NATO-s: I bindur se Polonia dhe Sllovakia do të mbështesin ende Ukrainën

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se ka besim se Polonia dhe Sllovakia do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në luftën e saj me Rusinë.

Polonia, e cila zgjedh një parlament të ri më 15 tetor, deklaroi javën e kaluar se nuk do të binte më dakord për dërgesat e reja të armëve në Ukrainë, por përkundrazi do të fokusohej në rindërtimin e rezervave të veta.

Vendi, i cili është anëtar i NATO-s, ishte parë deri vonë si një nga aleatët më të vendosur të Ukrainës në luftën e saj me Rusinë, por marrëdhëniet janë acaruar që nga vendimi i Polonisë për të zgjatur ndalimin e importeve të grurit ukrainas.

“Unë pres dhe kam besim se Ukraina dhe Polonia do të gjejnë një mënyrë për të adresuar këto çështje pa ndikuar negativisht në mbështetjen ushtarake për Ukrainën”, tha Stoltenberg për
Reuters.

Analisti ushtarak britanik tregon se si po zhvillohet kundërsulmi i ukrainasve

Që nga fillimi i kundërsulmit të ukrainasve, shumë janë përqendruar në sulmet me dron dhe raketa, por ajo që Ukraina po përpiqet të bëjë në të vërtetë është të thyejë mbrojtjen e vijës së parë të Rusisë.

Analisti ushtarak britanik, Sean Bell thotë se përpjekja kryesore është në lindje të Zaporizhzhias, rreth Robotyne, por mbrojtja ka qenë e vështirë për t’u arritur pavarësisht luftimeve të ashpra dhe viktimave në rritje.

Fakti që nuk kemi asnjë filmim prej zonës dhe se kundërsulmi po lëviz shumë ngadalë, ka shkaktuar akuza se kundërofensiva ka ngecur, por Bell thotë se “asgjë nuk është e vërtetë”.

Ai thotë se kjo është “në fakt pjesë e një strategjie të Ukrainës” dhe se trupat kanë bërë rrugën e tyre përmes tre shtresave të mbrojtjes, raporton skynews.

“Sfida si gjithmonë është koha”, thotë ai dhe shtoi se “në muajin tetor dhe nëntor vijnë shirat dhe që do ta kthejnë gjithë këtë rajon në një baltë”.

“Dituria konvencionale ushtarake do t’ju sugjeronte të ndaleni dhe të prisni deri në pranverë dhe të filloni përsëri, por problemi është se ukrainasit e kanë marrë mësimin e tyre duke bërë pikërisht atë në Kherson. Ata hoqën këmbën nga fyti i rusëve dhe lejuan që të rikuperohet Rusia, kështu që u ndalua faza e tyre tjetër – ofensiva”, pohoi ai.

Ndryshe, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Kiev, ku ka deklaruar se kundërsulmi ukrainas po shkon sipas planit dhe dëshirës së Ukrainës. 

Tronditet Wagner, ndryshime të mëdha priten brenda grupit mercenar, një grua e rrezikshme mund të zërë vendin e Prigozhin

Operacionet e grupit mercenar në Afrikë ofruan një mënyrë të lirë dhe të lehtë për Rusinë për të ndërhyrë në ngjarjet në vende me rëndësi strategjike pa përfshirë ndonjë forcë të rregullt ruse, sidmos në kohën kur Yevgeny Prigozhin, kreu i tyre ishte gjallë.

Megjithatë, edhe pas vdekjes së tij, sipas Foreign Policy, udhëheqja e Wagnerit në Afrikë mbeti kryesisht e paprekur.

Vitalij Perfilev dhe Dmitri Siti ende drejtojnë biznesin e koncesionit për arin, diamantet dhe drurin në Republikën e Afrikës Qendrore, madje kanë markën e birrës Wagner, ndërsa Ivan Maslov është nën sanksione nga Departamenti i Thesarit i SHBA për rolin në operacionet në Mali.

Në raportin e tij të fundit nga Bangui, kryeqyteti i Republikës së Afrikës Qendrore, CNN vuri në dukje shfaqjen e një emri të ri që duket se lidhet me praninë e Wagner dhe ndikimin rus në rajon. Mediat lokale njoftuan së fundmi se një grua ka marrë kohntrollin e Wagner, emri i së cilës thuhet se është Nafisa.

Ajo është fotografuar edhe me Prigozhin gjatë vizitës së tij të fundit në CAR por nuk ka asnjë provë që ajo të ketë pasur lidhje me grupin mercenar para prillit. Kur ekipi i CNN vizitoi qendrën duke përdorur një kamerë të fshehtë, ajo u prezantua si Nafisa Kirjanova.

Ekipi i CNN, duke hetuar rrjetet sociale dhe profilet e lidhura me to, zbuloi se ajo përdor edhe një emër tjetër, Anfisa Aleksandrovna Kirjanova. Sipas informacioneve që janë shpërndarë në internet, ajo pretendon se ka punuar si përkthyese dhe se ka ndjekur studimet në Sorbonë në Paris dhe në Universitetin Gjuhësor të Moskës.

Duke folur për të ardhmen e Wagnerit, Kirjanova tha se vdekja e Prigozhin nuk do të thotë asgjë për misionin rus në vend.

Ja pse lufta bërthamore mund të nisë shumë shpejt, Vladimir Putin drejt skenarit ekstrem, zbulon armët e reja që po krijohen

Në qershor 2016, presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi për një "breshëri në rritje sulmesh informacioni të lëshuara kundër Rusisë", një nga rastet e shumta që Kremlini ka akuzuar Perëndimin për përfshirje në “lojëra mendore psikologjike”.

Në fakt, është Perëndimi ai që e ka lënë veten të manipulohet nga operacionet e kalibruar të ndikimit të Kremlinit.

Midis tyre, taktika më efektive e Putinit ka qenë përdorimi i shantazhit bërthamor për të luajtur me frikën perëndimore për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë. Ai e ka përdorur vazhdimisht këtë taktikë për të penguar me sukses Perëndimin nga rritja e ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke ofruar lloje të reja armësh dhe duke mbështetur plotësisht fitoren e Kievit ndaj Moskës.

Këto manipulime pasqyrojnë teknikën e vjetër sovjetike të kontrollit refleksiv. Në kontekstin e luftës së Rusisë për të nënshtruar Ukrainën, Putini e di se asgjë më mirë nuk e “provokon” Perëndimin sesa kërcënimet e përshkallëzimit bërthamor.

Kërcënimet e Putin

Së fundmi, ai tha se Rusia, nëpërmjet agjencisë së energjisë atomike Rosatom, "është e përkushtuar të krijojë armë të avancuara të afta për të mbajtur një ekuilibër strategjik në botë". Kjo u duk si përgjigje ndaj Ukrainës, e cila tha se kishte një “dron sekret”, dhe pritet të marrë në dorëzim armë shumë të fuqishme nga Amerika.

"Ata po zgjidhin me zell problemet e futjes së teknologjive novatore në fushat e energjisë dhe hapësirës, mjekësisë bërthamore, ekologjisë dhe modernizimit të flotës së akullthyesve bërthamorë. Ata marrin pjesë në krijimin e armëve të përparuara të afta për të mbajtur një ekuilibër strategjik në botë”, vazhdoi kreu i Kremlinit, duke iu drejtuar shkencëtarëve rusë në mesazhin për Ditën Kombëtare të Punëtorëve të Industrisë Bërthamore që festohet çdo vit në Rusi që nga viti 2005.

Alexey Likhachev, drejtor i përgjithshëm i Rosatom tha se është i bindur se detyra kryesore e sektorit të energjisë bërthamore është të sigurojë kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe parandalimin bërthamor të shtetit. 

Planet e Moskës

Sinergjia midis shkencëtarëve dhe kompleksit ushtarak rus po mbështet përpjekjet luftarake të Moskës në Ukrainë.

Gjatë vitit të kaluar, Rosatom ka ofruar njohuritë dhe burimet e saj për kompanitë shtetërore që prodhojnë sisteme raketore dhe bomba për të furnizuar vazhdimisht arsenalin konvencional të Putinit. Kjo përkundër faktit se agjencia bërthamore merret kryesisht me energjinë bërthamore për qëllime civile, një nga arsyet që e ka bërë atë në thelb imun ndaj sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë.

Rosatom, në fakt, ende ka disa dhjetëra centrale bërthamore dhe termocentrale në Evropë, me projekte të nisura në mbarë botën, dhe menaxhon më shumë se 30 për qind të tregut global të uraniumit të pasuruar. Shkencëtarët rusë morën gjithashtu kontrollin e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, pranë qytetit ukrainas të Energodarit të pushtuar nga ushtria e Moskës. Impianti është nën vëzhgim nga ekspertë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për shkak të rreziqeve që paraqet prania e kontingjentit ushtarak që e ruan atë, të akuzuar se kanë abuzuar psikologjikisht punonjësit që u detyruan të arratiseshin ose të punësoheshin nga Rosatom.

Arsenali rus

Të gjitha shifrat për armët bërthamore janë vlerësime, por, sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, Rusia ka 5,977 koka bërthamore - pajisje që shkaktojnë një shpërthim bërthamor.

Nga rreth 4500 funksionale, shumica konsiderohen armë bërthamore strategjike - raketa balistike ose raketa me të cilat mund të synohen distanca të gjata. Këto janë armët që zakonisht lidhen me luftën bërthamore.

Pjesa tjetër janë armë bërthamore më të vogla dhe më pak shkatërruese për përdorim me rreze të shkurtër veprimi në fushat e betejës ose në det.

Por kjo nuk do të thotë se Rusia ka mijëra armë bërthamore me rreze të gjatë në gatishmëri. Ekspertët vlerësojnë se rreth 1500 koka luftarake ruse janë aktualisht "të vendosura", që do të thotë të vendosura në bazat e raketave dhe bombarduesve ose në nëndetëse.

Tanket “Abrams” arrijnë në Ukrainë – disa karakteristika të mjetit luftarak amerikan

Ekuipazhet e tankeve ukrainase në lindje kanë mirëpritur sot ardhjen e tankeve amerikane, Abrams në Kiev, të cilat do t’u ofrojnë atyre më shumë mbrojtje dhe fuqi zjarri në betejë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky konfirmoi më parë dorëzimin dhe theksoi rolin e tyre vendimtar në mbrojtjen kundër Rusisë, raporton skynews.

Gjenerali amerikan, Mark Milley vlerësoi tanket Abrams, duke thënë se ato “do të bëjnë një ndryshim” në luftën e vazhdueshme 19-mujore.

Me një motor të fuqishëm, armë kryesore 120 mm dhe armaturë speciale, tanku Abrams është veçanërisht vdekjeprurës kundër forcave të blinduara të rënda.

Ekuipazhet e tankeve ukrainase të trajnuar në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore thanë se pasi të vendoseshin, tanket Abrams do të ishin një hap i madh përpara për dallim prej tankeve të epokës sovjetike që po operojnë aktualisht.

“Tanku Abrams… ka mbrojtje kundër shpërthimit të municionit”, tha shoferi i tankut Vitalii, 29 vjeç.

Megjithëse numri i saktë i tankeve të dorëzuara është i pazbuluar, oficerët ukrainas theksuan rëndësinë e më shumë mbështetjes ushtarake, duke përfshirë municione, artileri, aeroplanë luftarakë dhe fuqi punëtore, për të kundërshtuar në mënyrë efektive praninë e rëndësishme ruse.

Britania e Madhe sanksionon zyrtarët e rajoneve të aneksuara të Ukrainës

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka zbatuar sot sanksione kundër zyrtarëve nga rajonet e aneksuara ukrainase të Zaporizhzhia, Kherson, Donetsk dhe Krime, duke ngrirë asetet e tyre dhe duke vendosur ndalime të udhëtimit.

Ministri i Jashtëm, James Cleverly tha se Mbretëria e Bashkuar “nuk do t’i njohë kurrë pretendimet e Rusisë ndaj territorit ukrainas”.

Ky veprim është pjesë e sanksioneve më të gjera të Britanisë kundër Rusisë, raporton skynews.

Përveç kësaj, në listën e sanksioneve u shtuan ministri i Emergjencave të Rusisë, Alexander Kurenkov dhe sekretarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ruse, Natalya Alekseevna Budarina.

Këto masa nënvizojnë qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar kundër aneksimit të territoreve të Ukrainës dhe reagimin e saj të vazhdueshëm ndaj situatës.

Ndryshe, Britania është një ndër shtetet kryesore që po japin kontribut në çlirimin e ukrainasve kundër pushtuesit rus.

Mbyllja e qeverisë amerikane 'skenari më i keq' për trajnimin e F-16

Nga: Bota sot

Një mbyllje e qeverisë amerikane do të pengonte trajnimin e pilotëve ukrainas në avionët luftarakë F-16, sipas raporteve.

Kongresi duhet të ndajë fonde për qindra agjenci çdo vit fiskal, i cili përfundon më 30 shtator, por disa republikanë po kërkojnë shkurtime të thella të shpenzimeve përpara se të miratojnë çdo projektligj që do ta bënte këtë.

Zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh tha se një mbyllje do të ishte "skenari më i keq që mund të ndodhë" për sa i përket trajnimit, raportoi European Pravda.

Pilotët ukrainas kanë filluar trajnimin në gjuhën angleze si pjesë e përgatitjeve të tyre për të përdorur F-16, me të gjitha manualet e shkruara në anglisht, raportoi CNN.

Gjatë një mbylljeje, shumica e personelit civil do të detyroheshin të shkonin me leje, duke ndaluar mësimet e gjuhës, tha zonja Singh.

Rusia instalon "shtyllat e vëzhgimit orwellian" në qytetin e pushtuar

Nga: Bota sot

Rreth 40 shtylla vëzhgimi janë ngritur nga forcat pushtuese ruse në Mariupol për të spiunuar banorët, sipas një zyrtari ukrainas.

Bisedat telefonike të qytetarëve dhe trafiku në internet po monitorohen nga pajisjet, tha Petro Andryushchenko, një këshilltar i kryetarit të bashkisë në mërgim të qytetit. "Kontroll i plotë në veprim.

Plaku Orwell thjesht do të habitej sesi të gjitha trillimet e tij u bënë realiteti i Mariupolit," tha ai.

Më parë këtë vit, këshilltari pretendoi se pushtuesit po shisnin karta SIM që i lejonin autoritetet të dëgjonin thirrjet.

Franca dhe Ukraina diskutojnë ndihmën e mbrojtjes ajrore mes frikës nga sulmet dimërore ruse

Nga: Bota sot

Forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës përpara një fushate të mundshme ruse të sulmeve dimërore është diskutuar nga ministri francez i forcave të armatosura dhe Volodymyr Zelenskyy.

Sebastien Lecornu dhe presidenti ukrainas shikuan gjithashtu mundësitë për prodhimin e përbashkët të armëve. Ministri ritheksoi mbështetjen e Francës për kundërsulmin e Ukrainës, mes shqetësimeve nga disa anë se duhet bërë më shumë përparim.

Franca do të "vazhdojë të ndihmojë Ukrainën aq sa është e nevojshme", tha z. Lecornu, por ai nuk dha detaje mbi armët që mund të ofrohen.

Vendet do të konsiderojnë "çfarë mund të bëjmë së bashku në lidhje me blerjen ose prodhimin e [armëve]".

Ministri ukrainas i mbrojtjes Rustem Umerov tha se ai dhe z. Lecornu kishin biseduar për rritjen e bashkëpunimit në drejtim të trajnimit të forcave të armatosura të Kievit dhe në fushën teknike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat