Bisedë në të njëjtin nivel - Berlin Global Dialogue

Evropë

Bisedë në të njëjtin nivel - Berlin Global Dialogue

Më: 30 shtator 2023 Në ora: 09:10
Edi Rama: Presim më shumë akses në Tregun e Brendshëm të BE-së

Ish-këshilltari ekonomik i ish-kancelares Merkel, Lars Hendrik Roeller, donte të hapte në Berlin një dialog të ri me jugun global. Një nga mysafirët e edicionit të parë ishte edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

"Ne nuk mbajmë fjalime, por bisedojmë me njëri-tjetrin", tha Lars Hendrik Roeller, organizatori i Berlin Global Dialogue per DW në përfundim të aktivitetit të tij dyditor. "Dhe kjo e bën këtë forum ndryshe nga shumë të tjerë", shtoi ai duke pasur parasysh forumet e shumta që adresojnë çështje globale, si Konferenca e Sigurisë në Mynih, apo Forumi i Ekonomisë Botërore në Davos. Berlin Global Dialogue mblodhi për dy ditë 500 të ftuar nga e gjithë bota, politikanë, ekonomistë dhe studentë për të biseduar për temat aktuale globale.

Rama: Hapa gradualë për integrim në Tregun e Brendshëm të BE

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ishte njëri nga njëzet politikanët e nivelit të lartë të këtij forumi. Në bisedën me Lars Hendrik Roeller, Rama theksoi rëndësinë strategjike të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe u shpreh optimist, që së shpejti, në konferencën e Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Tiranë, BE do të vijë me një plan të ri për afrimin e mëtejshëm me Ballkanin Perëndimor.

 Ai tha se, meqenëse deri në anëtarësim të plotë mund të duhet shumë kohë, lipset që të hapen disa perspektiva për vendet kandidate në mënyrë që ato të integrohen gradualisht në Tregun e Brendshëm. 

 

Image
Lars Hendrik Röller, profesor ekonomie dhe ish këshilltar i Angela MerkelFotografi: imago/allerfarben-foto

"Ky proces integrimi që në kuptimin e formalizimit të anëtarësive mund të zgjasë sa kohë të jetë e nevojshme, me të gjithë traumën rrugës, nuk mund të jetë një proces që për vendet kandidate është "o gjithçka o asgjë” . Pra, ju merrni të gjitha kur jeni anëtarë, ose nuk merrni asgjë deri aty. Pra, disa hapësira të reja duhet të hapen për vendet kandidate dhe ne po luftojmë për këtë.”

Përballë Ramës ishte Katherina Reiche, persidente e Këshillit Kombëtar për energjinë e hidrogjenit, në Gjermani, dhe CEO e kompanisë Westenergie. Reiche propozoi që qeveria gjermane të krijojë një Aleancë hidrogjeni me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Afrika në fokus

Berlin Global Dialogue është një forum i ri për dialogun global dhe diskutimin e temave të rëndësishme globale, veçanërisht në lidhje me Afrikën dhe mbrojtjen e klimës. Një moment i veçantë në konferencë ishte biseda e zhvilluar të enjten, më 28 shtator,  mes Kryeministrit Gjerman Scholz dhe Delphine Traoré, një ekonomiste nga Burkina Faso. Traoré theksoi rëndësinë e partneritetit të barabartë midis Afrikës dhe vendeve të tjera të botës dhe bëri thirrje që fjala "ndihmë" të mos përdoret më. Ajo gjithashtu theksoi urgjencën e investimeve në mbrojtjen klimatike në Afrikë për të arritur objektivat globale të klimës.

Image
Kancelari gjerman Olaf Scholz me ekonomisten nga Burkina Fasso, Delphine TraoreFotografi: John Macdougall/AFP

Kancelari gjerman Scholz u pajtua me këtë pikëpamje dhe theksoi se Afrika nuk ka nevojë për miliona, por trilione dollarë për të përballuar ndryshimet klimatike dhe për të nxitur rritjen e qëndrueshme. Ai gjithashtu vuri në dukje nevojën për të investuar në teknologjitë miqësore ndaj mjedisit për të mundësuar rritjen ekonomike në Afrikë, pa dëmtuar mjedisin.

Edicioni i parë i Berlin Global Dialogue ishte një raund pa pompozitet e ku sundonte një atmosferë familjare. Organizatori Lars Hendrik Roeller dëshiron ta mbajë atë edhe në vitet e ardhshme. Nëse ky format do të arrijë të të ketë sukses krahas formateve të shumta të dialogut mes industrisë dhe politikës, siç është ai Forumi i Ekonomisë Botërore në Davos apo të ngjashme, kjo pritet të shihet në vitet e ardhshme./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat