Rusia arreston dy ushtarë për vrasjen e një familjeje ukrainase

Evropë

Rusia arreston dy ushtarë për vrasjen e një familjeje ukrainase

Më: 31 tetor 2023 Në ora: 23:29
Foto ilustrim

Dy ushtarë rusë janë arrestuar me dyshimin për vrasjen e një familjeje me 9 anëtarë në shtëpinë e tyre në qytetin e pushtuar nga Rusia të Volnovakha në Ukrainën lindore.

Mediat ruse raportuan se vrasjet e familjarëve kanë ndodhur të premten mbrëma. Të dyshuarit dyshohet se i kanë vrarë anëtarët e familjes gjatë natës në gjumë duke përdorur automatikë me silenciator.

Ky është rasti i parë i njohur i arrestimit të ushtarëve rusë nga autoritetet ruse me akuzën e vrasjes së civilëve ukrainas. Megjithatë, që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022, deri më sot grupet e pavarura të të drejtave të njeriut, gazetarët dhe OKB-ja kanë mbledhur prova që tregojnë se ushtarët rusë janë përfshirë sistematikisht në krimet e luftës në Ukrainë.

Prokurorët rusë thanë se dy ushtarët e arrestuar ishin nga Lindja e Largët ruse dhe motivi i vrasjeve dukej të ishte një “mosmarrëveshje e brendshme”. Por sipas zyrtarëve ukrainas, ushtarët vranë familjen e madhe pasi anëtarët e saj refuzuan t’u jepnin shtëpinë. Qeveria ukrainase tha në një deklaratë se ka filluar gjithashtu hetimin e krimit.

Astra, një kanal i pavarur rus i lajmeve në Telegram, citoi dëshmi nga fqinjët e viktimave, të cilët fajësojnë ushtarët për vrasjen masive. “Të gjithë fqinjët thonë se vrasësit ishin ushtarë. Jemi të frikësuar”, tha një nga fqinjët e familjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat