Vala e protestave në Serbi vazhdon

Evropë

Vala e protestave në Serbi vazhdon

Më: 30 dhjetor 2023 Në ora: 10:30
Protesta e studentëve në Beograd

Në shenjë proteste pas dyshimeve për manipulime zgjedhore qindra vetë demonstruan të premten në kryeqytetin serb, Beograd dhe bllokuan një udhëkryq të rëndësishëm të kryeqytetit. Demonstruesit kanë ngritur çadrat në udhëkryqin qe të çon në bllokun qeveritar dhe kanë bërë të ditur se do të qëndrojnë 24 orë, sipas agjencisë gjermane të lajmeve, DPA.

Të shtunën është planifikuar një marsh proteste me pjesëmarrje të figurave të njohura serbe, artistë e intelektualë. Shumica e demonstruesve janë studentë, kërkojnë anulimin e rezultatit zyrtar të zgjedhjeve dhe zgjedhje të reja.

Partia e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ka fituar qartë sipas të dhënave zyrtare zgjedhjet më 17 dhjetor. Vëzhgues ndërkombëtarë kanë raportuar për një sërë parregullsish në votime. Sipas aleancës më të madhe opozitare, "Serbia kundër dhunës" ndër të tjera janë sjellë me autobusë dhjetëra mijëra banorë nga Republika Srpska për të votuar ilegalisht në Beograd. Të shtunën përsëriten votimet në 30 qendra zgjedhore. Në protestat e së premtes në mbrëmje në udhëkryqin e Beogradit kanë marrë pjesë krahas studentëve edhe qindra qytetarë të tjera që ishin mbledhur më parë para Komisionit Qendror Zgjedhor, sipas DPA.

Image
Studentët bllokojnë një udhëkryq në Beograd

Në ditët e kaluara në Beograd ka pasur rregullisht protesta në Beograd me bllokime rrugësh dhe mitingje të tjera. Fundjavën e shkuar demonstruesit hodhën gurë mbi ndërtesën e bashkisë së Beogradit dhe u përpoqën ta mësynin atë. Më shumë se 30 demonstrues u ndalën nga policia./DW 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat