Ushtria serbe propozon rivendosjen e shërbimit ushtarak ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten në Ballkan

Evropë

Ushtria serbe propozon rivendosjen e shërbimit ushtarak ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten në Ballkan

Më: 5 janar 2024 Në ora: 00:17
Foto ilustrim

Serbia duhet të rivendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, tha të enjten ministria serbe e Mbrojtjes. Njoftimi u bë në një periudhë kur tensionet vazhdojnë të përshkallëzohen në rajonin e Ballkanit.

Ministria serbe tha në një deklaratë se propozimi për shërbim ushtarak deri në katër muaj është bërë “me qëllim të rritjes së aftësive mbrojtëse të Forcave të Armatosura të Serbisë, përmes përtëritjes dhe përmirësimit të stërvitjeve të forcave aktive dhe atyre rezervë”.

Në deklaratë thuhet se propozimi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Serbe u bë pas “një shqyrtimi të hollësishëm situatës së përgjithshme të sigurisë dhe sfidave aktuale me të cilat përballet Republika e Serbisë si një vend ushtarakisht neutral”.

Propozimi thuhet më tej, i është dërguar presidentit serb Aleksandar Vuçiç për shqyrtim, ndërsa nuk thuhet se cila mund të ishte mosha e të rekrutuarve të mundshëm.

Serbia pezulloi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2011 në mes të përpjekjeve për të profesionalizuar forcat e armatosura. Por vendi tani duket afër rikthimit të shërbimit pas një fushate të gjatë në favor të tij, pavarësisht shqetësimeve se qeveria mund të përballet me vështirësi për të paguar faturën për një rekrutim masiv.

Tensionet kanë qenë të larta në rajonin e Ballkanit që u përball me shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë në vitet 1990. Edhe pse zyrtarisht neutrale, ushtria serbe ka mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë prej së cilës ka blerë shumicën e armatimeve të saj, duke përfshirë avionë dhe tanke.

Edhe pse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Tensionet janë të larta rreth Kosovës e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, e cila kundërshtohet nga Serbia dhe aleatet e saj Rusia dhe Kina. Beogradi ka ngritur disa herë gatishmërinë luftarake të forcave të tij në kufirin me Kosovën gjatë disa muajve të fundit.

Serbia ka mbajtur gjithashtu marrëdhënie të mira me NATO-n, trupat paqeruajtëse të së cilës janë vendosur në Kosovë që nga viti 1999, kur aleanca ushtarake perëndimore ndërhyri për të ndaluar shtypjen e përgjakshme të shqiptarëve të Kosovës nga Beogradi.

Një rajon tjetër i paqëndrueshëm është Bosnja, ku një udhëheqës separatist serb ka kërcënuar të shpallë gjysmën e Bosnjës të kontrolluar nga serbët të pavarur dhe ta bashkojë atë me Serbinë fqinje./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat