LIVE: Pjesë e Rusisë apo e vdekjes, vjen deklarata kërcënuese për ukrainasit – ja si ndikoi pushtimi

Evropë

LIVE: Pjesë e Rusisë apo e vdekjes, vjen deklarata kërcënuese për ukrainasit – ja si ndikoi pushtimi

Nga: Bota sot Më: 18 janar 2024 Në ora: 08:54 Përditësuar në ora: 19:21 më 18.01.2024
Pamje nga Rusia

Lavrov: Pushtimi i Ukrainës ndihmoi në spastrimin e shoqërisë ruse

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha sot se sulmi ndaj Ukrainës kontribuoi në “pastrimin” e Rusisë nga njerëzit të cilët nuk mendojnë se janë pjesë e historisë ruse dhe kulturës ruse.

Që nga fillimi i konfliktit gati dy vjet më parë, qindra mijëra njerëz janë larguar nga vendi për arsye politike ose nga frika se mos dërgohen në ushtri, një zgjedhje e dënuar ashpër nga autoritetet ruse.

Shtypja e çdo zëri kundërshtues ka dërguar qindra të tjerë në burg, pasi nuk tolerohet asnjë kritikë ndaj politikës së Kremlinit.

“Operacioni special ushtarak mblodhi në mënyrë të jashtëzakonshme shoqërinë tonë dhe ndihmoi për ta pastruar atë nga njerëzit që nuk mendojnë se janë pjesë e historisë ruse dhe kulturës ruse”, tha Lavrov, duke përdorur termin zyrtar sulm ndaj Ukrainës.

“Disa u larguan, të tjerët qëndruan dhe filluan të mendojnë,” shtoi ai në një konferencë për shtyp në Moskë

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet ruse, të cilët thonë se duan të “denazifikojnë Ukrainën”, i referohen nevojës për të “pastruar” shoqërinë.

Në fillim të luftës, në mars 2022, presidenti Vladimir Putin kishte deklaruar të njëjtën gjë.

“Çdo popull, populli rus në veçanti, do të jetë gjithmonë në gjendje të njohë llumrat dhe tradhtarët”, tha ai.

Medvedev: Ukrainasit përballen me zgjedhjen mes të qenurit pjesë e Rusisë dhe vdekjes

Dmitry Medvedev thotë se ukrainasit përballen me një zgjedhje: të jenë pjesë e Rusisë ose të vdesin me familjet e tyre.

Ish-presidenti, i cili aktualisht është nënkryetar i këshillit rus të sigurisë, nuk është i panjohur për të bërë kërcënime të egra ndaj Ukrainës dhe Perëndimit, shkruan Sky News.

Në një postim në Telegram, Medvedev deklaroi se ukrainasit duhet të zgjedhin midis “luftës së përjetshme dhe vdekjes dhe jetës së pashmangshme”.

Ai shtoi: “Ata do të kuptojnë se jeta në një shtet të madh të përbashkët, që nuk u pëlqen shumë tani, është më e mirë se vdekja. Vdekja e tyre dhe vdekja e të dashurve të tyre. Dhe sa më shpejt që ukrainasit ta kuptojnë këtë, aq më mirë.”

“Koalicioni i Artilerisë” për Ukrainën mblidhet në Paris

Një "koalicion artilerie" për Ukrainën, nga 23 vende, po niset në Francë më 18 janar, derisa vendi i shkatërruar nga lufta përpiqet të sigurojë furnizime të vazhdueshme të armëve të rënda dhe municioneve, për të larguar pushtimin e plotë gati dyvjeçar nga Rusia.

Nisma e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca është pjesë e Grupit të Kontaktit Ramstein - i përbërë nga dhjetëra vende aleate të Kievit.

Ministri i Mbrojtjes Sebastien Lecornu, i cili do të nisë "koalicionin e artilerisë" në një ceremoni në Paris, tha para mbledhjes se Franca do të prodhojë dhe do t'i dorëzojë Ukrainës 78 obusa "Cezar" të montuara në kamion deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Duke folur për gazetën Le Parisien, Lecornu tha se gjashtë Caesarët e parë - arma kryesore e artilerisë franceze që mund të godasë objektivat në një distancë prej më shumë se 40 kilometra - do të dorëzohen në javët në vijim.

Ukraina i ka përdorur cezarët nga maji i vitit 2022 kur mori grupin e parë të tyre.

Në ceremoninë në Paris, Ukraina do të përfaqësohej nga ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, por ministria e tij tha në një deklaratë në Telegram se ai nuk do të mund të udhëtonte në Paris siç ishte paralajmëruar, kjo për shkak të një takimi me komandantët ushtarakë të Ukrainës. Por, ai do të marrë pjesë përmes video-lidhjes, tha ministria.

Më herët, qeveria franceze tha se Umerov e kishte anuluar udhëtimin në momentin e fundit për "arsye sigurie" të paspecifikuara.

Nisja e "koalicionit të artilerisë" vjen një ditë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Parisi do t'i dorëzojë Ukrainës një grup të ri prej rreth 40 raketash me rreze të gjatë veprimi, SCALP, si dhe "disa qindra" bomba.

Macron njoftoi gjithashtu se në muajin e ardhshëm do të vizitojë Kievin, ku ai dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, do të nënshkruajnë një marrëveshje dypalëshe për garancitë e sigurisë, të ngjashme me marrëveshjen e dakorduar midis Kievit dhe Londrës.

Umerov ka thënë se forcave ukrainase po u mbarojnë municionet.

"Mungesa e municioneve është një problem shumë real dhe urgjent me të cilin po përballen forcat tona të armatosura aktualisht," tha Umerov.

Ministria franceze e Mbrojtjes tha se koalicioni i artilerisë "synon të kombinojë përpjekjet për të ndihmuar Ukrainën të ketë një forcë artilerie që plotëson nevojat e kundërofensivave të saj dhe ushtrisë së saj në të ardhmen, në afat të shkurtër dhe afatgjatë".

Ai konsiderohet, gjithashtu, si një hap tjetër vendimtar në tranzicionin e Ukrainës nga epoka sovjetike në pajisjet e artilerisë perëndimore.

Por tranzicioni është përballur me një pengesë kryesore në mungesën e municioneve për pajisjet perëndimore. Bashkimi Evropian është zotuar të dorëzojë 1 milion predha deri në pranverë, por deri më tani janë dorëzuar vetëm rreth 300.000.

Më 17 janar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar për rreziqet në ardhje nëse vonohet ndihma e Perëndimit për shtetin e tij, i cili është duke u përballur me pushtimin rus për gati dy vjet.

"Do të jetë një krizë masive për gjithë Evropën", ka thënë Zelensky para gazetarëve në Forumin Ekonomik Botëror, që po mbahet në Davos të Zvicrës.

“Ukraina do të vazhdojë luftën, mirëpo pa ndihmë financiare, Rusia do të mund të mposhtë Ukrainën. Në momentin që mposhtin Ukrainën, do të jetë lufta në mes të NATO-s dhe Rusisë”, ka thënë Zelensky.

Sipas tij, presidenti rus, Vladimir Putin e ka në mendje një sulm të tillë kundër aleancës ushtarake.

Ukraina është duke e luftuar pushtimin rus për gati dy vjet, me anë të ndihmës së Perëndimit.

Sipas të dhënave të Institutit për Ekonomi Botërore, Kiel, Ukraina ka pranuar ndihmë totale në vlerë të 240 miliardë dollarëve.

Megjithatë, sigurimi i ndihmës së re në vlerë të miliarda dollarëve, është kyç për vazhdim të mbrojtjes së territorit./REL

Kaos në Rusi, mijëra njerëz dalin në protesta, rusët nuk po i “binden” më Vladimir Putinit, një luftë e ashpër klanesh ka nisur në Kremlin

Vladimir Putin nuk po kalon ditë të qeta dhe të lehta. Instituti Amerikan për Studimin e Luftës (ISW) ka njoftuar se, bazuar në informacionet në rrjetet sociale, një luftë tjetër klanore është duke u zhvilluar rreth Presidentit rus Vladimir Putin. Por si të mos mjaftonte, dënimi i aktivistit Fayil Alsynov nga një gjykatë në rajonin e Bashkirisë shkaktoi atë që media e pavarur ruse i quajti "protestat më masive në vend që nga fillimi i luftës kundër Ukrainës". Përleshje të dhunshme shpërthyen midis policisë dhe demonstruesve të shumtë që mbështesin Alsynov, të cilët u mblodhën në qytetin e Baymak. Tensionet, të cilat me sa duket kanë shtyrë mijëra njerëz të dalin në rrugë dhe tashmë kanë shkaktuar disa të plagosur, vijojnë prej disa ditësh. Situata “mori flakë”, kur një gjykatë dënoi Alsynov, një aktivist lokal mjedisor, me katër vjet burg për nxitje të urrejtjes etnike kundër punëtorëve migrantë gjatë një fjalimi vitin e kaluar. Burri, i cili lufton kundër minierave të arit në rajonin e Uralit dhe mbështet mbrojtjen e gjuhës bashkir, u shpall fajtor për krimet e lartpërmendura në qytetin e Baymak.

Dënimi i aktivistit

Konkretisht, Guvernatori Radij Khabirov e akuzoi atë për fyerje të qytetarëve të Azisë Qendrore dhe Kaukazit në një fjalim në gjuhën bashkire që, sipas Alsynov, ishte përkthyer keq. Aktivisti gjithashtu kishte kritikuar publikisht ofensivën e Moskës në Ukrainë. Vendimi erdhi pasi protestat në mbrojtje të aktivistit kishin shpërthyer në Baymak ditët e fundit, pavarësisht temperaturave të ngrira prej rreth minus 20 gradë. Në një fjalim kundër minierave të arit në një këshill fshati vitin e kaluar, Alsynov kishte përdorur dy fjalë bashkirisht që u përkthyen në rusisht si "njerëz të zinj". Pas vendimit, shkroi BBC, disa protestues shprehën mbështetjen e tyre për Alsynov dhe pati raportime se disa u përpoqën të bllokonin hyrjen në gjykatë. Policia e trazirave u detyrua të hidhte gaz lotsjellës, ndërkohë që demonstruesit i sulmuan oficerët me topa bore të improvizuara në vend. Edhe në orët e fundit mijëra njerëz organizuan një protestë para gjykatës duke kërkuar “lirinë” e aktivistit dhe dorëheqjen e guvernatorit Khabirov.

“Fati” i Bashkimit Sovjetik

Pavarësisht kufizimeve të lirive që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ka pasur shpërthime publike zemërimi kundër Kremlinit, të cilat mund të përbëjnë problem për Putinin, i cili kandidon sërish për president në mars. Fundjavën e kaluar, anëtarët e familjeve të trupave të mobilizuara ruse protestuan kundër luftës dhe kushteve për ushtarët duke vendosur lule te Varri i Ushtarit të Panjohur në murin e Kremlinit. Ish-shkrimtari i fjalimit të Putinit, Abbas Galyamov, theksoi rëndësinë e trazirave, duke argumentuar se ato ishin alarmante për liderin e Kremlinit. “Kjo nuk do të thotë se regjimi do të rrëzohet menjëherë, por do të thotë se autoritetet do të duhet të veprojnë shumë ashpër për të shtypur pakënaqësinë. Kështu u shemb Bashkimi Sovjetik”, tha ai. Dan Storiev, redaktor i projektit të të drejtave të njeriut në gjuhën angleze OVD-info, i cili ka gazetarë në terren, tha për Newsweek se protestat treguan se shoqëria ruse është "gati të ngrihet për të drejtat e saj pavarësisht represionit të tmerrshëm".

Lufta e klaneve

Momenti është gjithashtu i rëndësishëm sepse këto kohë pritej një armëpushim parazgjedhor, jo shpërthimi i protestave apo edhe një lufte klanore, komenton Newsweek.Një nga treguesit e fërkimit është dalja publike e mercenarit serb Dejan Beric, këshilltar aktual në ekipin e Putinit për rizgjedhjen presidenciale në mars, për abuzimin e personelit serb në ushtrinë ruse në Ukrainë. Kanali rus Vizionar shkroi për këtë në rrjetin social Telegram. ISW e përshkruan kanalin si "një burim i brendshëm rus që raporton vazhdimisht për ndryshimet në udhëheqjen politike dhe ushtarake të Rusisë". Sipas analizës së ISW, klanet rivale po përpiqen të njollosin njëri-tjetrin në sytë e Putinit, por ai e di dhe kjo është arsyeja pse analistët besojnë se nuk do të thotë domosdoshmërisht probleme për regjimin e Putinit.

Luftimet Rusi-Ukrainë, shpërthen Lavrov: Ju tregoj dy aleatët që nuk duan t’i japin fund konfliktit

Sergei Lavrov, ministri i Jashtëm i Rusisë ka nisur konferencën e tij vjetore në Moskë, duke folur për luftën Rusi-Ukrainë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai fillimisht foli për disa çeshtje të politikës së brendshme dhe të jashtme.

Lavrov iu referua asaj që Rusia e quan një fushatë “agresive dhe jolegjitime” nga Perëndimi kundër Moskës, pa përmendur drejtpërdrejt luftën. Lavrov theksoi se shumica e diskutimeve që përfshijnë Perëndimin janë “udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara”.

“Ata sunduan botën për 500 vjet dhe nuk patën asnjë konkurrencë përveçse gjatë periudhës sovjetike. Ata nuk patën ndonjë konkurrent serioz gjatë asaj periudhe, gjë që i bëri ata të vetëkënaqur, ata u mësuan të ishin hegjemon,” tha Lavrov.

Lavrov foli edhe për luftën Rusi-Ukrainë duke thënë se SHBA dhe vendet e tjera perëndimore nuk kanë treguar “interesin më të vogël” për t’i dhënë fund luftës.

“Ata nuk kanë dashur të dëgjojnë shqetësimet tona,” tha ai.

Ai tha Ukraina mund të ketë një fat të ngjashëm me Afganistanin, me SHBA-në që u tërhoq dy vjet më parë pas 20 vitesh luftë.

“Ukraina ka një fat të ngjashëm. Ata mbështeten te padronët e tyre, ata nuk janë të vetëdijshëm që ata padronë mendojnë vetëm për veten.”

Duke folur gjatë konferencës për shtyp, ministri i jashtëm i Rusisë përshkroi gjithashtu se cilat parakushte do të ishin të nevojshme për bisedimet e drejtpërdrejta të paqes me Ukrainën.

Sergei Lavrov tha se është e qartë se Ukraina nuk do të vendosë se kur do të fillojë bisedimet serioze, sepse kjo do të vendoset nga SHBA. Ukraina do të duhet të refuzojë “racizmin” anti-rus, “ideologjinë naziste” dhe “aspiratat e saj për anëtarësim në NATO”, tha ai.

Por Perëndimi “nuk është i interesuar për asnjë negociatë”, theksoi ministri i Jashtëm.

Ukraina pretendon se goditi objektivat në sulmin me dron në terminalin e naftës

Ukraina nisi një sulm me dron në një terminal nafte në Shën Petersburg, tha një burim i inteligjencës ushtarake ukrainase për Reuters, pa specifikuar se cilat objektiva të sakta u goditën.

“Ka goditje të konfirmuara. Kjo është një fazë e re e punës në këtë rajon”, tha burimi ukrainas.

Ndërkaq sot më herët Rusia tha se Ukraina kishte dështuar të sulmonte një terminal nafte në qytetin port, që ndodhet në brigjet e Detit Baltik.

Vladimir Rogov, zyrtar në administratën e instaluar nga Rusia në rajonin jugor të Zaporizhzhias të Ukrainës, tha se droni u kap dhe nuk u shkaktuan lëndime apo dëme.

AI u kërkon shteteve evropiane të ndalin ekstradimin në Rusi të pakicave nga Kaukazi Verior

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI), u ka bërë thirrje disa shteteve evropiane që “menjëherë të ndalojnë” transferimin e refugjatëve dhe azilkërkuesve nga Kaukazi Verior për në Rusi, duke u thirrur në rrezikun e torturës dhe keqtrajtimeve të tjera.

“Për shkak të identitetit të tyre fetar dhe etnik... komunitete të tëra janë cilësuar si ‘ekstremistë të dhunshëm’ që paraqesin kërcënim ekzistencial për sigurinë kombëtare, gjoja për të justifikuar kthimin e tyre në rajon ku të drejtat e tyre janë në rrezik të madh”, tha organizata përmes një deklarate të publikuar më 18 janar.

Një studim i fundit, i cituar nga AI gjeti se autoritetet në Kroaci, Francë, Gjermani, Poloni dhe Rumani “kanë ekstraduar ose kanë tentuar” të ekstradojnë apo dëbojnë azilkërkuesit nga Kaukazi Verior.

Grupe të ndryshme etnike jetojnë në Kaukazin Verior, përfshirë çeçenë, dagestanas dhe ingushë, shumica prej të cilëve janë myslimanë.

Nils Muiznieks, drejtor i Zyrës rajonale për Evropë i AI, tha se shtetet evropiane “duhet të kuptojnë se shumica e individëve që vijnë nga këto vende do të përballen me arrestim apo rrëmbim, torturë dhe keqtrajtime të tjera, apo do të përballen me rekrutim të detyruar sapo të kthehen”.

Ai tha se është “skandaloze” për shtetet evropiane “të kërcënojnë se do të dërgojnë në Rusi njerëzit nga Kaukazi Verior që i kanë ikur persekutimit” në vendin “ku këto shkelje kanë ndodhur”.

Njerëzve që po kërkojnë mbrojtje në Evropë duhet t’iu bëhet vlerësim i drejt i nevoja të tyre në dritë të situatës së keqe me të drejtat e njeriut në Rusi dhe luftës që po vazhdon në Ukrainë, shtoi Muiznieks.

Amnesty International po ashtu paralajmëroi se personat që kthehen në Rusi mund të dërgohen që të luftojnë në Ukrainë dhe ata që refuzojnë këtë apo tentojnë t’i ikin mobilizimit rrezikojnë të përballen me shkelje serioze të të drejtave të tyre.

Organizata theksoi se ka raporte të besueshme që minoritetet etnike në Rusi “në mënyrë disproporcionale po mobilizohen në forcat e armatosura”.

Amnesty International vlerësoi se situata me të drejtat e njeriut në Kaukazin Verior është “e tmerrshme” dhe ata që shprehim mendime kritike apo pjesëtarët e komunitetit LGBT veçmas janë në rrezik “që të shënjestrohen”.

Organizata për të drejtat e njeriut po ashtu paralajmëroi ndaj asaj që e përshkroi si “diskriminim dhe stigmatizim në Evropë të njerëzve nga Kaukazi Verior”.

Britania, Perëndimit: Përdorini asetet e ngrira ruse për të rindërtuar ekonominë e Ukrainës

Britania po rrit presionin mbi qeveritë perëndimore për të përdorur 350 miliardë dollarë (mbi 321 miliardë euro) të aseteve të ngrira ruse për të ndihmuar në rindërtimin e ekonomisë së shkatërruar nga lufta të Ukrainës.

Ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron këmbëngul se kishte justifikime ligjore, morale dhe politike për veprim.

Ai tha se vendet që mbështesin Ukrainën kishin ekonomi që kur kombinoheshin ishin 25 herë më të mëdha se Rusia dhe ishte e rëndësishme që kjo fuqi të llogaritet.

“Kur Putini filloi këtë pushtim të paligjshëm, bota ndryshoi dhe ne duhet të ndryshojmë me të dhe të pranojmë se jemi në një botë më e rrezikshme, e pasigurt dhe e vështirë”, u shpreh Cameron.

“Ne duhet të jemi të përgatitur të bëjmë disa mendime novatore se si i përdorim këto burime për të ndihmuar Ukrainën”.

Ai këto i tha kur ishte duke folur në Davos, ku Ukraina ka qenë në krye të agjendës në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror, raporton The Guardian.

Kandidimi për president/ Putin mbledh firmat - kreu i Kremlinit 2.5 mln mbështetës

Mbi 2 milionë rusë kanë nënshkruar dokumentet në mbështetje të kandidaturës së presidentit Vladimir Putin, për zgjedhjet presidenciale të marsit.

Në bazë të ligjit rus, kandidatët e pavarur duhet të mbledhin të paktën 300 mijë firma nga 40 ose më shumë rajone të Rusisë në mënyrë që të marrin pjesë në garë.

Duke garuar si i kandidat i vetemëruar, Putin ka mbledhur tashmë 2.5 milionë firma, thuajse 1 milion më shumë se në vitin 2018.

Komisioni Elektoral Rus ka aprovuar 3 kandidatë për zgjedhjet, por asnjë prej tyre nuk përbën rrezik për të sfiduar Putin, që dominon politikën ruse që prej vitit 2000.

Sulmi rus në Kharkiv shkakton një të vrarë

Raketat ruse goditën të mërkurën një zonë pranë qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, duke vrarë një person dhe dëmtuar një institucion arsimor, njoftuan zyra e guvernatorit rajonal dhe ushtria ukrainase.

Guvernatori Oleh Syniehubov shkroi në aplikacionin e mesazheve Telegram se qyteti Chuhuyev, në juglindje të Kharkiv-it, u përball me dy sulme ruse. Një punonjëse e termocentralit të ngrohjes u vra dhe një tjetër person u plagos nga sulmet.

Një tjetër kanal i rrjetit Telegram, i mbikëqyrur nga komandanti i garnizonit ushtarak të Kharkiv-it, tha se ushtria ruse kishte përdor raketa të modelit S-300 në sulmet ndaj Ukrainës. Të martën, dy raketa ruse goditën një lagje banimi në Kharkiv, duke plagosur 17 persona.

Qyteti është objektiv i shpeshtë i sulmeve të Kremlinit, por nuk ka rënë në duart e ushtrisë ruse gjatë agresionit 22-mujor të Rusisë ndaj Ukrainës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat