Deputeti britanik: Dhashë dorëheqjen si ministër se me rrogën nuk përballoja dot kredinë

Evropë

Deputeti britanik: Dhashë dorëheqjen si ministër se me rrogën nuk përballoja dot kredinë

Më: 30 janar 2024 Në ora: 14:12
George Freeman

Një ish-ministër britanik në një rrëfim që është cilësuar tronditës pasi provon rritjen e kostos së jetesës në Mbretërinë e Bashkuar, ka zbuluar se dha dorëheqjen si anëtar i kabinetit të Rishi Sunak, për shkak se paga e tij nuk mund të mbulonte më kredinë për shtëpinë.

Deputeti konservator George Freeman pretendoi në një postim se rritja e normave të hipotekës kontribuoi në vendimin e tij për të lënë punën si Ministër i Shkencës nëntorin e kaluar.

Në letrën e tij të dorëheqjes drejtuar Kryeministrit, Freeman tha se ai dëshironte të përqendrohej te shëndeti personal dhe mirëqenia e familjes.

Megjithatë, postimi në blog që Freeman bëri të premten sqaron se ishin pagesat e tij për kredinë, të cilat u rritën këtë muaj nga 800 £ në muaj në 2,000 £, ai nuk mund t’i përballonte me një pagë ministrore.

Normat e kredive janë rritur që nga buxheti i vjeshtës 2022, me një studim nga Laburistët që zbuluan se ata që kanë rinovuar kredinë e shtëpisë, paguajnë mesatarisht 150 £ më shumë çdo javë.

Ministrat e shtetit paguhen 31,680 £ në vit, mbi pagën standarde të një deputeti prej 86,584 £. Deputetëve në qeveri u ndalohet të kryejnë punë të dyta jashtë politikës për të plotësuar të ardhurat e tyre, por Freeman ishte i lirë të gjente një punë me pagë më të lartë në profesionin e tij pasi braktisi postin e ministrit.

“Largimi nga puna si ministër më dha 70 orë në javë për t’i shfrytëzuar, të cilat nuk i kisha më parë”, shkroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat