LIVE: Zbulohet plani B i Ukrainës për të siguruar fonde për luftën, derisa sulmet ajrore ruse nuk ndalojnë!

Evropë

LIVE: Zbulohet plani B i Ukrainës për të siguruar fonde për luftën, derisa sulmet ajrore ruse nuk ndalojnë!

Nga: Bota sot Më: 9 shkurt 2024 Në ora: 07:15 Përditësuar në ora: 22:57 më 09.02.2024
Pamje nga lufta në Ukrainë

Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës tregon qëllimet

Komandanti i ri i Përgjithshëm i Ushtrisë Ukrainase, gjeneral Oleksandr Sirsky, zbuloi se qëllimet e tij imediate janë përmirësimi i rotacionit të trupave në vijat e frontit dhe përdorimi më i mirë i fuqisë së teknologjive të reja, raporton AP.

“Detyrat e reja janë në rendin e ditës”, tha Sirsky në kanalin e tij Telegram, një ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e emëroi atë në krye të ushtrisë ukrainase.

Duke zëvendësuar gjeneralin Valery Zaluzhny.

Sirski nuk dha detaje për detyrat e reja, por deklarata e tij është në përputhje me fjalët e Zelenskiy se qëllimi i ndryshimit në krye të ushtrisë është rikthimi i forcave ushtarake dhe një qasje e re në luftën me Rusinë

Ukraina raporton për viktima nga një sulm ajror rus

Ukraina tha se një sulm rus në rajonin verilindor të Sumit la të vrarë tre persona dhe plagosu katër të tjerë.

Rajoni Sumi gjendet në kufi me Rusinë dhe që kur Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës pothuajse dy vjet më parë ka qenë shënjestër e sulmeve të ushtrisë së Moskës. Por, ky rajon gjendet larg zonave ku ka luftime intensive, që gjenden më në jug.

“Tre të vdekur dhe katër të plagosur: pasojat e një sulmi ajror rus në rajonin e Sumit”, shkroi në Telegram më 9 shkurt ministri i Brendshëm ukrainas, Igor Klymenko, shkruan REL.

Ai tha se viktimat gjendeshin “në një punëtori të një firme bujqësore” në një fshat, kur u goditën nga sulmi rus.

Ministri ukrainas tha se Rusia lëshoi shtatë bomba të komanduara në qarkun e Sumit. Ai nuk tregoi emrin e fshatit, por publikoi fotografi të ekipeve të shpëtimit që kishin dalë në vendin e ngjarjes. Në fotografi dukej se një ndërtesë e vogël ishte shkatërruar nga sulmet.

Forcat ruse kishin hyrë në Sumi, por ishin dëbuar nga territori i këtij rajoni në nisje të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Miliarda dollarë ndihma të bllokuara në Senat, zbulohet ‘plani B’ i Ukrainës për të siguruar fonde për luftën

Ukraina po shqyrton një plan emergjence për të siguruar para nga Fondi Monetar Ndërkombëtar nëse një paketë ndihme prej 60 miliardë dollarësh, e bllokuar aktualisht në Senatin amerikan, mbetet e bllokuar, raportoi Bloomberg.

Sipas gazetës, zyrtarët ukrainas do të parashtrojnë planin rezervë gjatë një vizite të një delegacioni të FMN-së në Kiev javën e ardhshme pasi vendi përballet me një boshllëk buxhetor “jashtëzakonisht të lartë” .

Masat që po shqyrtohen, të cilat thuhet se do të përfshijnë rritjen e taksave, shkurtimet e shpenzimeve dhe rritjen e shitjeve të bonove të brendshme, janë të nevojshme për të bindur institucionin financiar me bazë në Uashington se Ukraina do të jetë në gjendje të paguajë kredinë e FMN-së nëse aleatët e saj perëndimorë nuk arrijnë të ofrojnë ndihmë.

FMN miratoi kredinë katërvjeçare për të ndihmuar Ukrainën të mbulojë mungesën e buxhetit të saj vitin e kaluar. Kievi është planifikuar të marrë 5.3 miliardë dollarë nga programi këtë vit.

Ukraina i rrëzon 10 prej 16 dronëve me të cilët e sulmoi Rusia të premten

Forcat e Mbrojtjes Ajrore të Ukrainës i kanë rrëzuar 10 nga 16 dronët me të cilët Rusia i sulmoi tri rajone të saj, Mikolain, Hersonin dhe Harkivin, mëngjesin e së premtes, thanë zyrtarët ukrainas.

Një person u plagos dhe u dëmtua infrastruktura civile gjatë sulmit në Harkiv, tha guvernatori rajonal, Oleh Synyehubov në Telegram.

“Ekipet e shpëtimit e shuan zjarrin në një ndërtesë hoteli. Një roje sigurie civile u plagos, ai mori tretman mjekësor në vendin e ngjarjes”, tha ai.

Ai shtoi s ndërtesat e banimit, një kompleks rekreativ trekatësh dhe një restorant u dëmtuan nga sulmi.

Ushtria ruse i sulmon rregullisht rajonet e Ukrainës me lloje të ndryshme armësh, posaçërisht me dronë dhe raketa. Në janar, Rusia intensifikoi sulmet e saj, si rezultat i të cilave dhjetëra njerëz u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën..REL

Moska, Krasnodarsky dhe rajone të tjera në zjarr: Rusia po përjeton sulme të fuqishme

Rusët kanë përjetuar në lëkurën e tyre një ndër sulmet më të fuqishme që ka realizuar Ukraina.

Këta të fundit kanë sulmuar brenda territorit rus katër objektiva të ndryshme.

Së pari, një rafineri nafte u sulmua në rajonin Krasnodarsky. Sulmi me dron shkaktoi zjarr të madh, raporton skynews.

Gjithashtu edhe kryeqyteti rus, Moska është në zjarr. Një pallat gjashtëkatësh është në flakë. Sipërfaqja e zjarrit ka arritur në 4000 metra katrorë. Ende nuk raportohet për viktima. Për shuarjen e zjarrit është përfshirë edhe aviacioni.

Një zjarr i rëndë ka shpërthyer edhe në rajonin e Permit për shkak të një shpërthimi në një tubacion gazi, raportojnë mediat ruse.

Në vendbanimin Kueda u dogjën tanke hekurudhore. Zjarri tashmë ka nisur të përhapet edhe në banesa. Sipas të dhënave paraprake ka viktima.

Ndryshe, Ukraina kohët e fundit ka nisur të sulmojë objektiva brenda Rusisë si kundërpërgjigje ndaj pushtimit, i cili po hyn në vitin e tretë.

Rusia në telashe, Zelensky ndryshon shefin e ushtrisë, “gjenerali më i rëndësishëm i shekullit” vjen në krye

Gjenerali Valery Zaluzhny u hoq nga posti i Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës nga Volodymyr Zelensky. Lajmi kishte ditë të tëra që qarkullonte, duke qenë se mosmarrëveshjet mes dy figurave përfliteshin prej javësh.

Për muaj të tërë, mosmarrëveshjet e mprehta mbi gjendjen e luftës midis presidentit dhe gjeneralit kanë tërhequr vëmendjen e publikut, duke reflektuar tensionin e shtuar në Kiev mbi kundërsulmin e dështuar të vitit të kaluar dhe pakësimin e rezervave të armëve dhe municioneve.

Njoftimi zyrtar ka mbërritur vetëm tani, me presidentin e Ukrainës që njoftoi shkarkimin e Zaluzhny me një postim në X, pa folur megjithatë në mënyrë eksplicite për shkarkimin.

"Unë takova gjeneralin Valerii Zaluzhnyi dhe e falënderova për dy vitet në të cilat ai mbrojti Ukrainën," shkroi kreu i shtetit të Kievit, duke pretenduar se kishte diskutuar vendimin për ndryshimin e qasjeve dhe strategjive ushtarake me personin e interesuar në terren.

Sakaq, Zelensky nuk e la aspak karrigen e Zaluzhny-t bosh, duke e zëvendësuar atë menjëherë me Oleksandr Stanislavovich Sirsky.

Largimi i Zaluzhny

Zelensky shpjegoi se ai foli me Zaluzhny "për rinovimin që ka nevojë Forcat e Armatosura të Ukrainës. “Ne diskutuam gjithashtu se kush mund të jetë pjesë e udhëheqjes së rinovuar të Forcave të Armatosura të Ukrainës. Koha për një rinovim të tillë është tani," tha presidenti, i cili thotë se "i propozoi gjeneralit Zaluzhnyi të qëndronte në ekip." “Do të fitojmë patjetër!”, përfundoi lideri ukrainas.

Përgjigja e Zaluzhny nuk vonoi shumë. Në kanalin e tij Telegram ai shkroi se "është marrë një vendim për nevojën e ndryshimit të qasjeve dhe strategjisë”.

Komandanti e cilësoi bisedën e zhvilluar me presidentin si "të rëndësishme dhe serioze".

Megjithëse gjenerali është një nga njerëzit më të njohur në Ukrainë, falë rolit kyç që luajti në zbutjen e sulmit fillestar rus pothuajse dy vjet më parë, dhe shihet si një rival i mundshëm politik i Zelenskit, në muajt e fundit imazhi i tij është përkeqësuar në disa pjesë të vendit. Zaluzhny, si dhe me liderin ukrainas, ka pasur gjithashtu tensione me Uashingtonin, pasi ai dhe udhëheqësit ushtarakë amerikanë nuk ranë dakord për mënyrën e kryerjes së kundërofensive kundër Moskës vitin e kaluar.

Sipas asaj që u raportua nga faqja e internetit Politico, Zelensky do të kishte informuar Shtëpinë e Bardhë për dëshirën e tij për të hequr Zaluzhny. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara kishin deklaruar publikisht se vendime të tilla do t'ia linin Kievit.

“Truri i kundëofensivës”

Nëse kërkoni gjeneralin Oleksandr Sirsky në internet, ai do të përshkruhet si “gjenerali më i suksesshëm i shekullit të 21-të deri më tani”.

Gjenerali Sirsky udhëhoqi mbrojtjen e Kievit në fillim të pushtimit të plotë rus të Ukrainës vitin e kaluar. Sirsky lindi më 26 korrik 1956 në Vladimir, atëherë në Bashkimin Sovjetik. Që nga viti 2019, ai ka qenë komandant i Ushtrisë Tokësore të Ukrainës, dhe më parë komandant i Operacionit të Forcave të Përbashkëta. Sirsky u diplomua në Shkollën e Lartë të Komandës Ushtarake në Moskë, institucioni kryesor arsimor i lartë ushtarak në Bashkimin Sovjetik. Para luftës në Donbas, ai komandoi brigadën e 72-të të mekanizuar dhe u gradua gjeneral-major.

Me fillimin e luftës në Ukrainën lindore, ai ishte shefi i shtabit të operacioneve antiterroriste.Sirski u nderua me Urdhrin e Bogdan Khmelnytsky shkalla III, dhe më vonë mori gradën e gjeneral-lejtnant për suksesin e tij në Betejën e Debaljcev.

Nga 6 maji deri më 5 gusht 2019, ai ishte komandant i Shtabit të Përbashkët Operacional të Forcave të Armatosura të Ukrainës.Që nga 5 gushti 2019, Sirski është komandant i Ushtrisë Tokësore të Forcave të Armatosura të Ukrainës . Më 23 gusht 2020 u gradua në gradën gjenerallejtënant.

Grada nuk jepet më në ushtrinë ukrainase që nga 1 tetori 2020, por Sirsky e ka ruajtur atë, duke qenë i vetmi oficer ushtarak ukrainas që ka mbetur në detyrë aktive për të mbajtur këtë gradë të veçantë.Në prill 2022, Sirsky mori çmimin “Hero i Ukrainës” për përpjekjet e tij.

Kremlini akuzon Ukrainën për vrasjen e civilëve në Mariupol

Kremlini tha të premten se nuk kishte shqyrtuar ende vlerësimin e Human Rights Watch se sa njerëz u vranë në Mariupol, por fajësoi forcat ukrainase për vdekjen e civilëve atje.

Të paktën 8,000 njerëz janë vrarë në luftime ose nga shkaqe të lidhura me luftën në përpjekjen e Rusisë për të marrë në kontroll Mariupol, një nga betejat më të mëdha në luftën gati dyvjeçare Rusi-Ukrainë, sipas Human Rights Ëatch.

Duke komentuar raportin, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov akuzoi forcat ukrainase se po përdorin civilët në Mariupol si mburoja njerëzore dhe i qëlluan pas shpine.

“Ne nuk kemi pasur kohë të shqyrtojmë raportin dhe nuk e dimë se sa i besueshëm mund të konsiderohet ky informacion,” tha Peskov.

Por ajo që ne dimë është se shumë civilë vdiqën nga duart e neo-nazistëve që përpiqeshin të mbronin Mariupolin në atë kohë.

Ata përdorën civilët si mburoja njerëzore, i qëlluan pas shpine. Ne e dimë këtë dhe e dimë me siguri”, shtoi Peskov.

Ai nuk citoi prova për pretendimin, të cilin Kievi e ka mohuar më parë.

Në lidhje me ndryshimin në udhëheqjen ushtarake të Ukrainës, Kremlini njoftoi se “nuk do të ndryshojë rezultatin e operacionit special ushtarak”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi dje se ka zëvendësuar kreun në largim të forcave të armatosura të vendit Valery Zaluzny me gjeneralin Oleksandr Sirsky.

Putin me deklaratë ‘bombë’: Isha gati t’i jepja fund luftës në Ukrainë 18 muaj më parë, ja kush më pengoi

Vladimir Putin ka bërë një deklaratë shokuese mbrëmjebn e djeshme, teksa tha se ishte gati t’i jepte fund luftës në Ukrainë 18 muaj më parë, por kjo përpjekje është ndaluar nga Boris Johnson.

Presidenti rus pretendoi se ish-kryeministri britanik “e dekurajoi” liderin e partisë në pushtet të Ukrainës, David Arakhamia, nga nënshkrimi i dokumentit të marrëveshjes për paqe. Putin tha se negociatat ishin zhvilluar në Stamboll dhe se Ukraina nënshkroi marrëveshjen paraprake, por u tërhoq në fund nën presionin e Johnson, i cili i bindi ishte “më mirë të luftohej Rusia”.

“Ne ishim gati ta nënshkruanim këtë dokument, por zoti Johnson, në atë kohë Kryeministër, erdhi dhe na pengoi ta bënim këtë, duke thënë se ishte më mirë që ata ta luftonin Rusinë. Dhe fakti që ata i binden kërkesës së Johnson, ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe, duket qesharak.

Dhe është shumë e trishtueshme për mua, sepse, siç tha zoti Arakhamia, ne mund t’i kishim ndalur ato armiqësi me luftë një vit e gjysmë më parë. Por britanikët na bindën dhe ne e refuzuam këtë. Ku është zoti Johnson tani? Dhe lufta vazhdon.”– tha Putin.

Më tej, ai akuzoi SHBA-në se i kishte thënë presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, të refuzonte të negocionte ndonjë marrëveshje dhe tha se dëshironte të binte dakord për një zgjidhje.

Biden e Scholz takohen sot, në qendër të diskutimit ndihma për Ukrainën

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka nisur dje vizitën në Shtetet e Bashkuara, me takime me ligjvënës amerikanë ndërsa sot pasdite pritet të takohet me Presidentin Joe Biden.

Scholz tha se bisedimet me Presidentin Biden do të përqëndrohen tek rrugët e mundshme për forcimin e mbështetjes ndaj Ukrainës, përballë agresionit rus.

Ndër lufta po hyn në vitin e tretë, Ukraina po përballet më mungesë armatimesh në betejen e luftës dhe varet shumë nga aleatët e saj perëndimorë për mbështetjen ushtarake dhe financiare.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë deri më sot mbështetësi më i madh i Kievit, por vizita e kancelarit gjerman në Uashington vjen në një kohë që po shtohen shqetësimet për angazhimin amerikan ndaj Ukrainës, ndërsa një paketë financiare e propozuar nga Presidenti Biden që përfshin ndër të tjera ndihmën në Ukrainën, është bllokuar në Kongres, për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Disa politikanë evropianë janë të shqetësuar se kthimi i mundshëm i ish-Presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë mund ta dëmtojë më tej angazhimin amerikan.

“Ajo për të cilën është rënë dakord në Europë dhe në Kongresin e Shteteve të Bashkuara nuk është e mjaftueshme dhe duhet të gjehen rrugë të tjera që të gjithë bashkë të mund të bëjmë më tepër”, tha zoti Scholtz në aeroportin e Berlinit, para se të udhëtonte drejt Uashingtonit.

Javën e kaluar Bashkimi Europian miratoi një paketë ndihme 4-vjeçare prej 54 miliardë dollarësh për Ukrainën.

Zyrtarët gjermanë thonë se deri më tani Berlini ka furnizuar apo është zotuar për një ndihmë prej 28 miliardë eurosh për Ukrainën.

Putin nuk i lë asgjë rastësisë, ja si presidenti rus do të kandidojë i vetëm në zgjedhjet e marsit

Siç merrej me mend, i vetmi politikan civil, jo-regjim dhe i hapur kundër luftës, Boris Nadezhdin nuk u pranua në zgjedhjet presidenciale ruse, të cilat do të mbahen nga 15 deri më 17 mars. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve Ruse gjeti, siç tha, një mori nënshkrimesh të falsifikuara dhe të rreme në kandidaturën e tij, dukshëm më shumë se 5 për qind e lejuar. Ai duhej të mblidhte 100.000 nënshkrime, gjë që e bëri Boris Nadezhdin.

Ai pretendon se ka 200.000, por ka dorëzuar 105.000, por siç pritej, nuk ishte as e mjaftueshme. Pa dyshim, Boris Nadezhdin tha se ai do të apelojë në Gjykatën e Lartë Ruse, por është e vështirë të besohet se diçka mund të ndryshojë atje. Kështu regjimi skualifikoi të vetmin politikan që kishte qëndrim tjetër dhe Vladimir Putin do të ketë kundër tij vetëm 3 “konkurrentë” sistematikë të parëndësishëm, të cilët janë aty vetëm për hir të shfaqjes së zgjedhjeve demokratike dhe mimikës.

Edhe pse ishte e qartë se Boris Nadezhdin nuk do të mund të kërcënonte Putinin, i cili, sipas detyrës së Kremlinit, duhet të marrë më shumë se 80 për qind të votave, regjimi nuk guxoi të lejonte që Nadezhdini as të merrte pjesë në zgjedhje. Kremlini nuk dëshiron që Vladimir Putin të mërzitet apo që dikush dhe asgjë të “errësojë” fitoren e tij të pestë të lavdishme zgjedhore.

Ai doli në përfundimin se nuk donte asnjë shfaqje, sepse regjimi autokratik nuk toleron kandidatë që nuk mund t'i kontrollojë. Vetëm “demokracia dekorative” mund të kalojë. Regjimi nuk pranon të shohë as përqindjen më të vogël të rusëve që kundërshtojnë luftën. Kujtojmë se Boris Nadezhdin u mbështet nga shumë politikanë dhe figura publike liberale dhe demokratike ruse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat