Pas dy vitesh robëri, ribashkohet çifti ukrainas

Evropë

Pas dy vitesh robëri, ribashkohet çifti ukrainas

Më: 10 shkurt 2024 Në ora: 12:26
Alina Panina dhe Illia Muzyka

Kur Illia Muzyka, një roje kufitare 29 vjeç në qytetin jugor të Ukrainës, Mariupol, u kap menjëherë pas nisjes së agresionit rus në shkallë të gjerë kishte frikë të mos e shihte më të fejuarën e tij.

Pa e ditur, edhe Alina Panina u mor si robër lufte disa javë më vonë në të njëjtin qytet. Tani çifti më në fund janë ribashkuar dhe kanë filluar të rindërtojnë jetën e tyre në Ukrainën perëndimore.

“Nuk e dija nëse ajo kishte qenë apo ishte ende në robëri. Mendova se e kishin qëlluar për vdekje”, thotë ai.

Muzyka dhe Panina janë bashkë që nga viti 2019, pasi janë njohur përmes punës. Në vitin 2021, ata u dërguan në portin tregtar të Mariupolit si mbajtës qensh, duke inspektuar ngarkesat.

Kur Rusia nisi agresionin dy vjet më parë, forcat e saj rrethuan me shpejtësi Mariupolin, duke rrafshuar pjesën më të madhe të qytetit dhe duke e kthyer atë në fushëbetejën më vdekjeprurëse të konfliktit.

Panina dhe Muzyka morën armët dhe u vendosën në fabrikën Azovmash për ta mbrojtur atë, por u ndanë më 10 prill kur ajo u zhvendos në një vend të ri, duke marrë të dy qentë me vete.

Disa ditë më vonë, Muzyka u kap nga rusët, duke mos ditur fatin e partneres së tij. Alina Panina përfundoi në fabrikën gjigante të çelikut Azovstal të Mariupolit. Pasi presidenti Volodymyr Zelensky i urdhëroi ata të dorëzoheshin, edhe ajo u kap rob më 17 maj.

Duke folur pranë Muzykës në shtëpinë e tyre në Novovolynsk, në perëndim të Ukrainës, 27-vjeçarja tha se ishte ndarë nga luftëtarët meshkuj si dhe nga dy qentë e saj.

“Kur po më çonin në Rusi, ne shkuam pranë vendit ku mbaheshin qentë dhe ata lehnin ndërsa unë u largova. Kjo ishte hera e fundit që i dëgjova. Qentë nuk kishin frikë nga asgjë. Ata vraponin kur ishte nevoja për të vrapuar. Kur vrapova me ta ata kishin këtë instinkt, ndoshta qentë mund ta ndjejnë atë rrezikun, më tërhoqën fort në njërën anë dhe në atë moment ndodhi edhe bombardimi. Qentë më shpëtuan, shumë herë. Ua kam borxh”.

Panina tha se ajo ishte zhvendosur disa herë në Rusi. Ajo e përshkroi trajtimin e saj nga rusët si të ashpër dhe kujtoi se si rrëmbyesit e saj e kishin gënjyer. Ajo u lirua në rajonin jugor të Zaporizhzhia në tetor 2022, duke mos ditur se çfarë kishte ndodhur me Muzyka.

“Ata na thonin vazhdimisht se askush nuk ka nevojë për ne, se Ukraina nuk ka nevojë për ne sepse nuk ekziston më. Ukraina perëndimore është marrë nga Polonia e cila mbajti një referendum. Diçka tjetër që ata thanë ishte se ata morën gjysmën e Ukrainës  dhe gjysmën tjetër e ka marrë Europa. Kështu thonin ata. Këto ishin fjalët e tyre në çdo marrje në pyetje që na nënshtroheshin”.

Ilia u lirua më shumë se një vit më vonë, më 3 janar. Muzyka shprehet se ai u mbajt në një kamp rus, vendndodhjen e të cilit ai nuk e di, ku humbi peshë sepse nuk ushqehej siç duhet. Pasi Muzyka u lirua, pyetja e parë për të atin ishte se ku ishte Alina.

“Gjatë gjithë kësaj kohe e mendoja për të. Pyetja ime e parë ka qenë gjithmonë për Alinën se çfarë ka ndodhur me të. Pasi mora babain tim ai më tha se ka mbi një vit që është kthyer në shtëpi dhe gjithçka ishte në rregull me të. Unë isha i pushtuar nga emocionet”.

Çifti u ribashkua në Kiev.

“Ne kishim pritur kaq gjatë për të folur, për t’u përqafuar, për të folur. Kur ndodhi, ne ishim kaq të lumtur. Nuk do t’i dëshironim askujt gjërat që kishim kaluar”, thotë Alina.

“Unë mund t’ju them sinqerisht se edhe tani e kam të vështirë të besoj se jam kthyer në shtëpi. Ishte një tronditje për mua. E besova dhe e shpresoja, por nuk e mendoja se do të merrte kaq shumë kohë. Kur ndodhi shkëmbimi i kërkova dikujt të më lejonte të përdor telefonin e tij. Unë thashë të lutem më lejoni të bëj një telefonatë, ata thanë sigurisht. Mora telefonin në duar dhe nuk dija çfarë të bëja me të, thjesht nuk isha mësuar më me të. Nuk dija cilin buton të shtypja dhe çfarë të bëja”, shprehet Illia.

Muzyka dhe Panina kanë vendosur të shtyjnë dasmën e tyre. Ata kishin planifikuar të martoheshin në mars 2022, por Muzykës i duhet më shumë kohë për t’u rikuperuar.

Të dy tanimë kanë një qen të ri, të quajtur Roxy, e cila punon me Alinën në punën e saj të re si roje doganore në qytetin perëndimor të Lutsk.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat