Kremlini hedh poshtë si të pabaza akuzat e bashkëshortes së Navalnyt se Putini qëndron prapa vrasjes së tij

Evropë

Kremlini hedh poshtë si të pabaza akuzat e bashkëshortes së Navalnyt se Putini qëndron prapa vrasjes së tij

Më: 20 shkurt 2024 Në ora: 17:01
Yulia Navalnaya

Presidenti rus Vladimir Putin nuk e ka parë videon ku bashkëshortja e udhëheqësit opozitar rus që humbi jetën në burg, Alexei Navalny zotohet të vazhdojë betejën e tij kundër Kremlinit, njoftoi zëdhënësi i presidentit. Ai i hodhi poshtë akuzat e saj se zoti Putin qëndron prapa vrasjes së tij si “të pabaza” dhe “të pacipa”.

Në një video të publikuar të hënën, zonja Yulia Navalnaya akuzoi Presidentin Putin për vrasjen e bashkëshortit të saj në një burg të izoluar në Artik dhe tha se refuzimi i zyrtarëve për t’ia dorëzuar trupin nënës së tij është pjesë e një përpjekje të tyre për të fshehur krimin.

“Po e fshehin trupin e tij tinzisht dhe ndyrësisht, po refuzojnë t’ia japin nënës së tij dhe po gënjejnë mjerisht ndërkohë që presin që gjurmët e helmit të zhduken”, tha zonja Navalnaya. Ajo tha se beson që bashkëshorti i saj është helmuar me agjentin nervor Novichok.

Zyrtarët rusë thanë të premten se shkaktari i vdekjes së zotit Navalny ende nuk dihet dhe se rezultatet e hetimit, cilado qofshin, do të viheshin në dyshim jashtë vendit. Shumë udhëheqës perëndimorë tashmë kanë deklaruar se e mbajnë zotin Putin përgjegjës për vdekjen e zotit Navalny.

“Këto janë akuza plotësisht të pabaza, të pacipa për kreun e shtetit rus”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Vdekja e zotit Navalny e ka lënë opozitën ruse pa udhëheqësin e saj më të njohur dhe politikanin më frymëzues në prag të zgjedhjeve, të cilat pritet t’i sigurojnë zotit Putin edhe gjashtë vjet në pushtet. Vdekja e tij është edhe një goditje shkatërrimtare për shumë rusë, të cilët e konsideronin zotin Navalny si një shpresë të rrallë për ndryshim politik, pas goditjeve të vazhdueshme të zotit Putin ndaj opozitës.

Zoti Navalny, 47 vjeç, po mbahej në burg që nga janari i vitit 2021, kur u kthye në Moskë pas kurimit në Gjermani nga helmimi me agjent nervor, për të cilin ai e fajësoi Kremlinin. Pas arrestimit, ai është dënuar për tre akuza të ndryshme me burg, të cilat i ka quajtur politikisht të motivuara.

Përfaqësuesi i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borrell, bëri thirrje të hënën për një hetim ndërkombëtar të vdekjes së zotit Navalny, por zëdhënësi rus Peskov tha se Kremlini nuk do ta pranojë një kërkesë të tillë.

Që nga vdekja e zotit Navalny, 400 persona janë arrestuar nga policia në Rusi për pjesëmarrje në ceremoni të paplanifikuara përkujtimore dhe vendosje të luleve e ndezje të qirinjve pranë monumenteve kushtuar viktimave të represionit politik për të nderuar zotin Navalny, sipas njoftimeve të grupit OVD-Info që dokumenton arrestimet politike.

Autoritetet ndaluan qasjen ndaj disa monumenteve në mbarë vendin dhe larguan lulet gjatë natës, por ato u shfaqën sërish.

Zëdhënësi Peskov tha të martën se policia veproi “në përputhje me ligjin” kur arrestoi njerëzit që po nderonin zotin Navalny.

Mbi 50,000 njerëz i kanë drejtuar kërkesa zyrtare qeverisë ruse për të kërkuar që trupi i zotit Navalny t’i dorëzohet të afërmve të tij, sipas OVD-Info.

Pas shqiptimit të dënimit të fundit me 19 vjet burg, zoti Navalny tha se ai e kupton që “është i dënuar me burgim të përjetshëm, që do të zgjasë sa të jetë ai gjallë, ose sa të jetë gjallë regjimi”.

Në deklaratën e të hënës, zonja Navalnaya tha se “duke vrarë Alexey-n, Putini vrau gjysmën time, gjysmën e zemrës dhe gjysmën e shpirtit tim”.

“Por unë ende e kam gjysmën tjetër, që më thotë se nuk kam të drejtë të dorëzohem. Do ta vazhdoj punën e Alexei Navalnyt”, tha ajo./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat