LIVE: E papritur/ Ushtria britanike është “në terren në Ukrainë” - Trupa të NATO-s në Ukrainë, Macron sqaron qëndrimin e Francës!

Evropë

LIVE: E papritur/ Ushtria britanike është “në terren në Ukrainë” - Trupa të NATO-s në Ukrainë, Macron sqaron qëndrimin e Francës!

Nga: BOTA SOT Më: 4 mars 2024 Në ora: 06:22 Përditësuar në ora: 19:11 më 04.03.2024
Foto ilustrim

Ushtria britanike është “në terren në Ukrainë”, thuhet në informacionet ‘e rrjedhura’ të ushtrisë gjermane

Kremlini thotë se audio me diskutimet e oficerëve tregon përfshirjen kolektive të Perëndimit në konflikt.

Ushtarët britanikë janë ‘në terren’ në Ukrainë duke ndihmuar forcat e Kievit me lëshimet e raketave Storm Shadow, thuhet në audion e publikuar nga mediat ruse, e konfirmuar tashmë se është biseda sekrete e oficerëve të forcave ajrore gjermane.

Kremlin thtoë se kjo demonstron përfshirjen kolektive të perëndimit në luftën në Ukrainë ndërsa ish-ministra britanikë të mbrojtjes dënonin ushtrinë gjermane për daljen e informacioneve.

Regjistrimi konfirmuar si i vërtetë nga Gjermania është një bisede mes zyrtarëve të forcave ajrore gjermane Luftwaffe , që mes të tjerash diskutojnë nëse një raketë Taurus mund të përdoret për të shkatërruar urën e Kerch, e cila lidh Rusinë me Krimenë.

Gjatë bisedës gjenerali Ingo Gerhartz, kreu i Luftwaffe, përshkruan sesi Britania bashkëpunon me Ukrainën për dislokimin e raketave Storm Shadow duke goditur thellë brenda linjave ruse të frontit.

“Për planifikimin e misioneve,” thotë komandanti gjerman, “unë e di si e bëjnë anglezët, ata mbledhin shumë inteligjencë dhe çojnë njerëz në terren, kështu e bëjnë, ndërsa francezët jo”, thotë ai.

Zëdhënesi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se bisedat e publikuara tregojnë përfshirjen e perëndimit, ndërsa dje ministri gjerman i mbrojtjes Boris Pistorius akuzonte Moskën për “luftë informacioni” kundër perëndimit.

Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse Maria Zakharova kërkonte më herët një shpjegim nga Gjermania për regjistrimin, që ishte një provë e “luftës hibride” që Perëndimi i ka hapur Rusisë.

Macron sqaron qëndrimin e Francës: S’do të ketë vendosje të menjëhershme trupave perëndimorë në Ukrainë

Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka sqaruar deklaratën e tij për mundësinë e dërgimit të trupave Perëndimorë në Ukrainë.

Një deklaratë kjo që shkaktoi reagime të shumta në Perëndim dhe jo vetëm. Në një intervistë të fundit me gazetën çeke Pravo, presidenti francez Emmanuel Macron iu drejtua reagimit global ndaj komenteve të tij në lidhje me dislokimin e mundshëm të personelit ushtarak në Ukrainë.

Çfarë synoi të arrinte Macron me idenë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë?

Macron theksoi se ndërsa ideja e dërgimit të trupave franceze në Ukrainë në të ardhmen e afërt nuk po shqyrtohet, Franca po angazhohet në mënyrë aktive në diskutime për të eksploruar të gjitha opsionet e mundshme të mbështetjes për Ukrainën, veçanërisht në tokën ukrainase.

Kritkat fillestare të Macron në lidhje me mundësinë e vendosjes së trupave të NATO-s në Ukrainë ndezën një valë polemikash midis aleatëve të NATO-s. Ky propozim nga Shtabi i Përgjithshëm i Francës u prit me skepticizëm dhe u perceptua nga disa si ndjekje e një axhende të fshehur politike.

“Kjo nuk do të thotë se ne po shqyrtojmë dërgimin e trupave franceze në Ukrainë në të ardhmen e afërt, por do të thotë se kemi filluar një diskutim dhe po shqyrtojmë gjithçka që mund të bëhet për të mbështetur Ukrainën, veçanërisht në territorin ukrainas”, tha Macron.

Ndryshimi i qëndrimeve të Macronit ndaj Rusisë

Pasi Rusia e ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë, Macroni e ka mbajtur një linjë të hapur të komunikimit me Putinin. Ai pati thënë në qershor të vitit 2022 se presidenti rus e ka bërë një “gabim historik”, mirëpo fuqitë botërore nuk duhet të “nënçmojnë Rusinë, pasi kur luftimet të përfundojnë, ne mund të krijojmë një rrugë të re përmes mundësive diplomatike”.

Këto deklarata janë kritikuar, atëbotë, prej Ukrainës dhe shumë aleatëve të Francës.

Macroni ka folur për herë të fundit me Putinin në shtator të vitit 2022, dhe qysh atëherë e ka pasur një qasje më të ashpër ndaj tij.

Komentet e tij të hënën kanë pasur për qëllim të jenë ‘zile zgjimi’, ka thënë François Heisbourg, analist i mbrojtjes në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, me bazë në Londër.

“Megjithatë, disa deklarata nuk janë pritur”, ka thënë Heisbourg.

Rusia shihet si armike agresive

Macron ka thënë se është i shqetësuar që Rusia është duke u bërë më e ashpër në muajt e fundit. Ai e ka përmendur vdekjen e liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, shtypjen e opozitës politike ruse, dhe ashpërsimin e luftimeve përgjatë vijës së frontit në Ukrainë.

Qeveria e Francës ka gjetur së fundi se forcat ruse kanë kërcënuar me rrëzim të një aeroplani vëzhgues që ka patrulluar në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin e Zi.Më herët këtë muaj, Parisi e ka akuzuar Moskën edhe për përhapje të dezinformatave nëpër Evropë.

Këto qëndrime për Rusinë në Evropë vijnë teksa rriten shqetësimet nëse do të miratohet në Kongres ndihma amerikane për Ukrainën.

Zyrtarët evropianë janë të shqetësuar edhe për mundësinë e fitores së ish-presidentit amerikan Donald Trump, më vonëgjatë këtij viti, duke ndryshuar politikën amerikane për kontinentin e vjetër.

“Siguria jonë evropiane është në rrezik”, ka thënë Macron. “A duhet t’ua delegojmë votuesve amerikanë të drejtën tonë? Përgjigja ime është jo, pavarësisht se çfarë votimi është”.

Pa marrë parasysh se cilat kanë qenë mesazhet e Macronit, analistët kanë thënë se ai mund të ketë ngatërruar mënyrën e dërgimit të mesazhit. “Macroni dëshiron t’i dërgojë Rusisë mesazh të fuqisë. Mirëpo për të funksionuar, duhet të jetë mesazh kredibil”, ka thënë Jana Puglierin, udhëheqëse e Këshillit Evropian të Berlinit për Marrëdhënie me Jashtë, institut ndërkombëtar.

Ukraina ka zbuluar mjetin e saj më të ri luftarak të blinduar, Inguar-3

Kompania ukrainase e mbrojtjes Inguar ka zbuluar mjetin e saj më të ri luftarak të blinduar, Inguar-3.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, automjeti “i mbrojtur ndaj minave”, ose MRAP, “është një mjet i lehtë taktik i krijuar për të pasur sukses në mjedise të ndryshme ushtarake”, thotë prodhuesi, Inguar, në faqen e tij të internetit.

Kompania shton se ka zhvilluar automjetin “më të fundit” me ndihmën e forcave speciale të Ukrainës dhe “duke ndjekur kërkesat e kohës së luftës”.

“Me dizajnin e tij inovativ të trupit, automjeti Inguar3 disponon shumë variacione dhe vjen në dy versione të shasisë: 4×4 dhe 6×6, të dyja të dizajnuara për të trajtuar sfidat urbane dhe në terrene të vështira me lehtësi”, thotë kompania në faqen e saj të internetit.

“Pavarësisht nëse është vendosur për misione përcjelljeje, zbulimi apo operacione të reagimit të shpejtë, Inguar3 ofron performancë dhe besueshmëri të lartë, duke e bërë atë një aset të paçmuar në fushën e betejës”, shton ai.

Faqja e internetit e lajmeve ushtarake Defence Blog shkroi se makina e blinduar është i pajisur me një motor Deutz me 356 kuaj-fuqi, kamera të shumta dhe aftësi për shikim natën, ndërsa “mbështjellësi” i saj prej çeliku dhe alumini ndihmon në mbrojtjen e ekuipazhit duke mos shtuar shumë peshë. 

Rusia thërret ambasadorin gjerman për publikimin e audio regjistrimit

Gjermania ka pranuar detajet e përfshira në një audio regjistrim të publikuar në mediat ruse të një takimi ushtarak për dërgimin e municioneve dhe planet e luftës për Ukrainën. Rusia e quajti Gjermaninë rivale “të vjetër”, që është bërë sërish një armike “e përbetuar” dhe sot thirri ambasadorin e saj në Moskë, për të diskutuar audio regjistrimin e një takimi të zyrtarëve të lartë të ushtrisë gjermane, në të cilin u diskutuan planet për të ndihmuar Ukrainën.

Ministria e jashtme e Rusisë thirri sot ambasadorin gjerman Alexander Graf Lambsdorf pasi mediat ruse publikuan një audio regjistrim të një takimi të zyrtarëve të lartë të ushtrisë gjermane.

Në audio regjistrimin e publikuar të shtunën dëgjohen oficerë të ushtrisë gjermane duke diskutuar mbi dërgimin e armëve në Ukrainë dhe mundësinë e një sulmi nga Kievi ndaj një ure në Krime, duke bërë që zyrtarët rusë të kërkonin shpjegime.

Ukraina është mbështetur në ndihmën e fuqive perëndimore në luftën e saj me Rusinë dhe vazhdimisht ka bërë thirrje për armë me rreze të gjatë veprimi për të goditur nga distanca pozicionet e forcave ruse.

Kështu që kur dolën njoftimet javën e kaluar se Gjermania po shqyrtonte planet për të furnizuar Ukrainën me raketat me vetëdrejtim, “Taurus”, të cilat kanë një rreze veprimi dy herë më të gjatë se sa raketat që Britania dhe Franca tashmë i kanë dhënë Ukrainës, zyrtarët rusë menjëherë fajësuan perëndimin për vazhdimin e luftës së saj në Ukrainë.

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha se “kampi i fortë i luftës” në Evropë është i vendosur “t’i shkaktojë një humbje strategjike Rusisë në fushën e betejës”. Ai gjithashtu kritikoi anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.

Njoftimet për dërgimin e raketave “Taurus” duket se ishin rezultat i publikimit të audio regjistrimit të një lidhjeje me video, në të cilën oficerët gjermanë po diskutonin mbi furnizimin e Ukrainës me pajisje ushtarake dhe objektiva të mundshme, si urën që lidh Rusinë me Krimenë, të cilën Moska e ka aneksuar në mënyrë të paligjshme.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha të dielën se Rusia po bënte një luftë informacioni që synon të nxisë përçarje në Gjermani.

“Incidenti është shumë më tepër se regjistrim dhe publikim i një bisede. Ai është pjesë e një lufte informacioni që po bën Putini. Është një sulm dezinformimi, i cili synon të dëmtojë unitetin tonë. Për rrjedhojë, duhet të reagojmë ndaj tij me kujdes të veçantë, por jo me më pak vendosmëri”, tha ministri Pistorius.

Gjatë një vizite në Vatikan, kancelari gjerman Olaf Scholz e quajti publikimin e audio regjistrimit “një çështje shumë serioze” , që “do të hetohet me kujdes, intensitet të lartë dhe shumë shpejt”.

Ndërkohë, Kremlini vazhdon të vendosë në shënjestër objektiva civile si shkollat dhe banesat në sulmet e saj me raketa ndaj Ukrainës, duke shkatërruar lagje të tëra.

Sulmi në shkallë të gjerë i Rusisë ndaj Ukrainës tashmë ka hyrë në vitin e tij të tretë, ndërsa javën e kaluar u mbajt funerali për një nga figurat më të shquara të opozitës ruse, që ka kritikuar ashpër qeverinë e Presidentit Vladimir Putin. Mijëra njerëz javën e kaluar i dhanë lamtumirën Aleksei Navalnit, i cili vdiq në mënyrë misterioze në një burg pranë Arktikut.

Mediat e pavarura ruse dhe grupi i të drejtave të njeriut “OVD-Info” njoftuan për 70 të arrestuar në mbarë vendin pavarësisht mbizotërimit të një qetësie relative në Moskë./VOA

Gjatë muajit shkurt, Rusia pësoi humbjet mesatare ditore më të mëdha që nga fillimi i luftës në Ukrainë

Sipas Inteligjencës së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, numri mesatar ditor i viktimave ruse (të vrarë dhe të plagosur) në Ukrainë në shkurt 2024 ishte më i larti që nga fillimi i luftës në shkallë të gjerë.

Kjo për faktin se, sipas agjencisë, në muajin shkurt, forcat ruse humbnin mesatarisht 983 njerëz në ditë, shkruajnë mediat e huaja.

Po sipas Inteligjencës Mbrojtëse të Mbretërisë së Bashkuar, Federata Ruse ka të ngjarë të ketë humbur mbi 355,000 ushtarakë të vrarë dhe të plagosur që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.

Sipas këtyre të dhënave, rritja e humbjeve mesatare ditore është pothuajse me siguri për shkak të angazhimit të Rusisë ndaj një “lufte masive”.

Ndryshe, një ditë më parë, Inteligjenca Mbrojtëse e Mbretërisë së Bashkuar vlerësoi se një javë pasi humbi aeroplanin e dytë të zbulimit të radarit me rreze të gjatë A-50U, Rusia ka shumë të ngjarë të ketë ndërprerë fluturimet e këtij aeroplani për të mbështetur operacionet në Ukrainë.

Ndërkohë më herët, ata theksuan se kompleksi ushtarak-industrial i Rusisë nuk është në gjendje të përmbushë plotësisht nevojat e luftës së tij kundër Ukrainës, por do të jetë në gjendje të ruajë epërsinë këtë vit.

Para kësaj, inteligjenca e Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se Rusia tani po përpiqet të përfitojë nga fakti se pas humbjes së Avdiivka, forcat ukrainase nuk kanë pozicione mbrojtëse të fortifikuara mirë për t’u rikthyer. 

“Menjëherë!”: Ky është mesazhi i ministrit finlandez për Perëndimin, në raport me luftën në Ukrainë

Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Hakkanen u ka kërkuar aleatëve perëndimorë që të rrisin mbështetjen për Ukrainën “menjëherë” dhe t’i ofrojnë asaj më shumë armë, raportoi transmetuesi publik finlandez Yle më 2 mars.

Kievi po përballet me mungesa kritike të municioneve, pasi 61 miliardë dollarë fonde nga SHBA-ja mbeten të bllokuara në Kongres, duke bërë që dërgesat e ndihmave të mbrojtjes të mbarojnë.

“Duhen gjetur menjëherë fonde për të mbështetur armët për Ukrainën”, vuri në dukje Hakkanen, duke thënë se “Evropa nuk e ka kuptuar seriozitetin e luftës”.

Ministri tha gjithashtu se vendet evropiane arritën të rrisin prodhimin e tyre të armëve dhe “janë afër arritjes së qëllimit”.

Në dhjetor 2023, Hakkanen tha se Finlanda po planifikonte të rriste prodhimin e saj të municioneve artilerie “në pak javë” për të armatosur Ukrainën mes shqetësimeve se BE do të dështonte në premtimin e saj për të furnizuar Kievin me 1 milion predha deri në mars 2024.

Presidenti çek Petr Pavel tha në Konferencën e Mynihut në shkurt se Praga kishte identifikuar 500,000 predha 155 mm dhe 300,000 predha 122 mm jashtë Evropës.

Sipas tij, municioni mund të dërgohet shpejt në Ukrainë nëse partnerët e tjerë ofrojnë financim.

Bloomberg raportoi më 1 mars se Ukraina mund të marrë të parën sasi nga 800,000 predha artilerie “brenda javësh”.

Zelensky: Duhet vullnet politik për t’i siguruar Kievit furnizime ushtarake

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka bërë sërish thirrje që ndërkombëtarët të dërgojnë furnizime ushtarake në mbështetje të Kievit.

Duhet vullnet politik për t’i siguruar Ukrainës furnizimet e nevojshme ushtarake”, ka thënë Zelensky.

Ai gjithashtu nuk i ka kursyer edhe kritikat duke shtuar se një mbështetje e tillë është e domosdoshme që të mos futet në histori si një nga ngjarjet më të turpshme.

Gjëra kryesore për të realizuar mbështetjen ushtarake është vullneti politik. Por nëse furnizimi me armë nuk vazhdon, kjo do të nënkuptoje shkrimin e një prej faqeve më të turpshme të historisë”, ka thënë ndër të tjera ai.

Më herët Zelensky është shprehur se vonesat në dërgimin e armëve dhe sistemeve të mbrojtjes në Ukrainë po çojnë në humbje jetësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat