LIVE: “Sulme tjera”, ISIS vjen me një kërcënim të ri për Putinin – Turqia zbulon detaje për personat që kryen sulmin në Moskë!

Evropë

LIVE: “Sulme tjera”, ISIS vjen me një kërcënim të ri për Putinin – Turqia zbulon detaje për personat që kryen sulmin në Moskë!

Nga: Bota sot Më: 25 mars 2024 Në ora: 06:22 Përditësuar në ora: 11:02 më 25.03.2024
Vladimir Putin

Forcat ajrore ukrainase rrëzojnë dy raketa balistike, Kievi tronditet nga shpërthimet

Gazetarët e AFP-së kanë raportuar se kanë dëgjuar disa shpërthime në qendër të Kievit, pasi forcat ajrore të Ukrainës thanë se rrëzuan dy raketa balistike të lëshuara nga Rusia që synonin kryeqytetin ukrainas.

Raketat u lëshuan nga gadishulli i okupuar i Krimesë dhe u rrëzuan rreth orës 10:30 të mëngjesit me orën lokale, tha komandanti i Forcave Ajrore, gjenerallejtënant, Mykola Oleschuk.

“Shpërthime në Kiev. Shkoni menjëherë në strehimore”, shkroi në mediat sociale kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, duke shtuar në një postim të mëvonshëm se shërbimet e urgjencës ishin dërguar në tre rrethe të kryeqytetit.

Kreu i administratës ushtarake të Kievit tha se një raketë ruse kishte dëmtuar një ndërtesë banimi në lagjen Pechersky dhe detajet po konfirmoheshin.

“Përsëri këtë mëngjes Rusia po sulmon Ukrainën me raketa hipersonike. Shpërthime të forta në Kiev”, shkroi ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, Bridget Brink, në një postim në X.

“Gjatë 5 ditëve të fundit, Rusia ka lëshuar qindra raketa dhe dronë kundër një vendi sovran. Ukraina ka nevojë për ndihmën tonë tani. Nuk ka asnjë moment për të humbur.”

Rusia ka përshkallëzuar sulmet ajrore në Kiev në ditët e fundit, duke synuar infrastrukturën kryesore pas bombardimeve fatale të Ukrainës në rajonet kufitare ruse.

Rusia i vazhdon sulmet ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës

Rusia i ka vazhduar sulmet me dronë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës gjatë natës së 24 dhe 25 marsit, duke shkaktuar ndërprerje të rrymës në disa rajone.

Cak i sulmeve të natës ishte qyteti Mikolaiv. Kryetari i qytetit, Oleksandr Sienkevych, shkroi në Telegram se 11 civilë u plagosën dhe disa ndërtesa banimi u dëmtuan nga “rënia e mbetjeve”.

Vitaliy Kim, kryetar i administratës ushtarake rajonale të Mykolayiv, raportoi se një dron i prodhuar në Iran, Shahed, shkaktoi zjarr në objektin energjetik në këtë rajon.

Një sulm rus me dronë në qytetin e portit të Detit të Zi, Odesa, shkaktoi ndërprerje të rrymës.

“Infrastruktura energjetike është dëmtuar”, shkroi Oleh Kiper, kryetar i administratës ushtarake rajonale. “Nuk ka furnizim me rrymë në portin e Odesas. Të gjitha shërbimet emergjente po punojnë”.

Rusia i ka rritur sulmet ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës në ditët e fundit.

Më 23 mars, zyrtarët në Kiev raportuan se më shumë se 1 milion civilë kanë mbetur pa rrymë.

Volodymyr Kudrytskiy, kryetar i bordit të Ukrenerho, tha më 23 mars se vendi e ka rritur importin e rrymës nga Evropa, për të ndihmuar në kompensimin e humbjeve.

“Në shumë rajone, megjithatë, ka dëme të mëdha në infrastrukturën energjetike. Kjo është shkaktuar nga shkalla e lartë se sulmeve”, tha ai.

Në rajonin e Harkivit, rreth 200.000 njerëz kanë mbetur pa rrymë, sipas kryetarit të administratës ushtarake rajonale.

Autoritetet lokale në rajonin e Harkivit kanë vendosur një sistem reduktimesh disa orëshe deri së paku më 31 mars.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se 11 dronë ukrainas janë “interceptuar” mbi rajonin jugor rus, Rostov.

Guvernatori i këtij rajoni, Vasily Golubev, e postoi një video në Telegram ku shihet një zjarr duke shpërthyer në një termocentral të madh në këtë rajon. Vendësit kishin raportuar për disa shpërthime në këtë zonë.

Golubov tha se nuk ka viktima nga ky zjarr dhe se autoritetet kanë nisur një hetim për ta gjetur shkaktarin e tij./REL

Sulmi terrorist në Moskë, Medvedev: Do të synojmë ata që qëndrojnë pas të shtënave vdekjeprurëse

Rusia do të synojë ata që qëndrojnë pas të shtënave vdekjeprurëse në një sallë koncertesh pranë Moskës kudo dhe kushdo që të jenë ata, tha në një mesazh të ri Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurimit Rus.

Medvedev, i cili tha të premten se ata që planifikuan sulmin duhet të ndiqen dhe të vriten, e bëri deklaratën e tij të fundit në llogarinë e tij zyrtare në shërbimin e mesazheve Telegram.

Ne do të marrim hak për secilin (të vrarët dhe të plagosurit).

Dhe të përfshirët, pavarësisht nga vendi i origjinës, pozicioni, statusi, tani janë objektivi ynë kryesor dhe legjitim”, theksoi ai.

Masakra në Moskë, gjykata ruse lë në paraburgim katër të arrestuarit

Katër të arrestuarit, të dyshuar për sulmin të së premtes në një sallë koncertesh në Moskë, janë lënë në paraburgim për të paktën dy muaj. Dalerdzhon Barotovich Mirzoyev, Saidakrami Murodali Rachabalizoda, Shamsidin Fariduni dhe Muhammadsobir Fayzov akuzohen për akte terrorizmi.

Gjykata tha në një deklaratë se Mirzoyev, një shtetas i Taxhikistanit dhe Rachabalizoda, kombësia e të cilit nuk është bërë e ditur, kanë pranuar fajin.

Të katër do të mbahen në paraburgim deri të paktën më 22 maj, shtoi gjykata.

Shteti Islamik ka marrë përgjegjësine e sulmit të së premtes në Crocus City Hall dhe ka postuar video nga vendi i ngjarjes. Zyrtarët rusë kanë pretenduar, pa prova, përfshirje të Ukrainës. Por Kievi thotë se pretendimi është “absurd”.

Sulm me raketa në Sevastopol, raportohet për një të vdekur

Rusia njoftoi dje, të shtunën mbrëma, se zmbrapsi një sulm nga dhjetë raketa ukrainase që synonin Sevastopolin, në Krime, gadishullin ukrainas të aneksuar nga Moska në 2014.

“Ushtria jonë zmbrapsi një sulm masiv në Sevastopol. Sipas informacioneve të para, më shumë se 10 raketa u rrëzuan”, -tha guvernatori i emëruar nga Rusia i Sevastopolit, Mikhail Razvozaev, në një postim në Telegram.

Më pas ai sqaroi se nga sulmi humbi jetën një person, një civil 65-vjeçar dhe se katër persona u plagosën, mes tyre një adoleshent. Ai gjithashtu vuri në dukje se infrastruktura ishte dëmtuar, duke përfshirë një ndërtesë dhe një linjë gazi natyror.

Transporti rrugor dhe detar që lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë u pezullua për disa orë, njoftoi në të njëjtën kohë administrata rajonale e transportit e emëruar nga Rusia. Krimea është shpesh në shënjestër nga raketat dhe dronët e ushtrisë ukrainase për shkak të rëndësisë së saj në mbështetjen logjistike për forcat pushtuese ruse në Ukrainën jugore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat